Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH del në treg për herë të tretë brenda javës

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të nxjerrë  një sasi tjetër energjie për shitje në tregun e lire. Burime nga kompania bënë me dije se sasia e disponueshme për shitje është rreth 3750 MWh. “Sasia në dispozicion është pjesa që nuk do të shkojë tek OSHEE-ja. Kjo e fundit rakordoi me KESH se ka një rënie të konsumit në vend dhe për këtë arsye nga 4500 MWh që kishte rezervuar si nevojë do të marrë vetëm 750 MWh. Sasia e mbetur do të shitet në treg të lirë” pohuan të njëjtat burime.

Kjo është hera e tretë në harkun e një jave që KESH del në treg të lirë për të shitur energji. Aktualisht po punohet në Vaun e Dejës dhe në Koman për të përdorur sa më me eficencë pjesën e ujit që nëse nuk përdoret për prodhim duhet të shkarkohet për të mbajtur nën kontroll kaskadën e Drinit sipas parametrave që imponon rregullorja e plotave. Gjithsesi sasia e reshjeve duket se ka qenë e paparashikuar çka ka rezultuar më pas edhe në rritje të prodhimit.

KESH mbylli një shitje më herët edhe për periudhën 1 dhjetor deri më 4 dhjetor e ndarë në dy lote ku secili planifikonte shitjen me disa profile. Sasia e energjisë së nxjerrë në shitje ishte mbi 19 mijë MWh. Procedura e parë e shitjes ishte ajo për fundin e nëntorit ku në vetëm dy ditë kompania siguroi 1.2 milionë euro nga shitja e energjisë duke tregtuar një MW mesatarisht me 73 euro.

OSHEE duket se aktualisht ka një rënie të përgjithshme të konsumit që vjen si rezultat i ndërprerjes së detyruar të energjisë në disa zona në vend ku ka pasur edhe përmbytje të nënstacioneve por edhe dëmtime të tjera në rrjet.

Revista Monitor,  02.12.2017