Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH i rikthehet eksportit për vetëm dy ditë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se per dy ditët e fundit të nëntorit sot (29 nëntor) dhe 30 nëntor do të shesë energji në treg të lirë. Referuar dokumentetit të hapjes së ankandit bëhet me dije se profili i shitjes do të jetë në harkun kohor 06:00-23:00 për një sasi prej 15.3 mijë MWh.

Burime nga KESH konfirmuan se shitja në treg të lirë ka ardhur si efekt i situatës së rreshjeve të ditëve të fundit dhe menaxhimit me eficencë të kaskadës. “Reshjet në zonën e Pukës, Thethit dhe Valbonës shkojnë të gjitha në basenin e Komanit. Me keto reshje HEC-et e vegjël me të cilin marrdhënien e ka OSHEE e vegjel trefishojnë prodhimin e tyre në datat 29-30 Nëntor çka do të thotë që automatikisht (meqë HECet e vegjel kanë prioritet ne prodhim dhe dispecerim) OSHEE do zvogëlojë kërkesën e vet për prodhimin nga KESH. Ndërkohë rreshjet në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës rrisin nivelet me ritme të shpejta dhe nëse nuk rritet prodhimi KESH detyrohet të shkaktojë mos prodhim energjie. Kjo është arsyeja përse është bërë shitje vetem për dy dite që ka reshje. Pra për të shfrytezuar çdo prurjeje dhe menjanimit të shkarkimeve pa prodhim energjie. Kjo shitje është operacion i detyrueshëm në kushtet e përgjegjshmërisë” shprehen burimet.

Kjo sasi ka qenë e pamundur të parashikohet në fund të tetorit kur bëhen rakordimet e energjisë mes OSHEE dhe KESH mbi bazë të të dhënave historike shumëvjeçare.

Kjo është procedura e parë që Korporata zhvillon pas shumë kohësh si shitje në treg të lirë me kushtin e çmimit më të lartë të ofruar. Deri më tani ajo ka prodhuar në minimum për OSHEE madje edhe ka importuar vetem për të plotësuar nevojën në vend.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka përjetuar në 2017-n një nga vitet më te vështirë, ku humbja arriti 31 milionë euro në fund të shtatorit ndërkohë që detyrimet ndaj të tretëve janë kthyer në problem. Të ardhurat e saj kanë qenë me pikatore për shkak të verës së thatë dhe prodhimit minimal ndërkohë që në pak raste KESh është munduar që të bëjë optimizim duke shitur në pik me çmim më të shtrenjtë dhe duke blerë gjatë natës me çmime më të uleta. Kjo i ka mundësuar asaj të ardhura në disa mijëra  euro, por të pamjaftueshme për të balancuar situatën e vështirë.

KESh përdori gjithashtu për tre muaj rresht kredinë e Bankës Botërore prej 22.4 milionë euro për importe ndërkohë që për dhjetorin kompania publike e gjenerimit pritet që t’i sigurojë OSHEE mes 140-150 mijë MWh energji.

Importet e energjisë vetëm nga Shpërndarja kanë arritur në 207 milionë euro ndërkohë që këtu nuk përfshihet pjesa e përdorur nga kredia e BB që e bën faturën e importeve akoma edhe më të kripur.

Revista Monitor,  30.11.2017