Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria po mbytet nga HEC -et

Një studim i fundit tregon se, në Shqipëri planifikohen të ndërtohen plot 305 hidrocentrale. Nga këto 305, një në gjashtë, ose saktësisht 53 prej tyre do të ndërtohen në zona të mbrojtura, parqe kombëtare, thotë studimi.

Ky studim ka për qëllim të evidentojë rastet e hidrocentraleve që do të ndërtohen në Ballkan që cenojnë zonat e mbrojtura.

Janë plot 2800 të tillë që projektohen të ndërtohen në rajon, në rritje me 300%, dhe që vënë në rrezik florën dhe faunën, turizmin, banorët vendas apo ekonomitë lokale. Studimi ka marrë edhe vëmendjen e prestigjiozes “The Guardian” që i ka kushtuar një artikull të posaçëm.

Një e treta e 2800 HEC-eve të reja në Ballkan janë në zona të mbrojtura thotë studimi. Raporti është përpiluar nga “Fluvius”, një firmë konsulente për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe projektet që financohen nga Bashkimi Europian.

Një ndër mbikëqyrësit e raportit deklaroi për The Guardian se, kjo është një katastrofë për banorët lokalë dhe për ambientin. Për shumë specie peshqish dhe insektesh është fundi. The Guardian ndërkohë si shembull merr specifikisht rastin e Vjosës, pasi është një rast unik për shkak të ekosistemit.

Pjesa dërrmuese e specieve në zonë do të zhduken si rrjedhojë e ndërtimit të digave, thonë ekspertët për Vjosën. Prestigjiozja britanike ka kërkuar një koment edhe nga Ministri Gjiknuri i cili i ka garantuar se do të ndërtohet një bypass në lumë për peshqit.

Pas Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë ndërkohë Shqipëria është vendi i katërt në listë për hec-et e planifikuara, por këtu duhet marrë parasysh se bëhet fjalë për një territor disa herë më të vogël dhe një popullsi po disa herë më të vogël,  çka e bën të pakrahasueshme me fqinjët në terma kapaciteti.

Këtë e tregon mjaft mirë edhe harta, në të cilën territori i Shqipërisë duket praktikisht i mbytur nga hidrocentralet. Studimi saktëson gjithashtu se, ndërkohë që 305 hec-e janë në planifikim, 81 prej tyre janë në ndërtim aktualisht. Në zonat e mbrojtura ndërkohë po ndërtohen 4 të tilla aktualisht.

Scan Tv,  27.11.2017