Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Merret vendimi mbi çertifikimin e shoqërisë Albgaz

Bordi i ERE-s, në mbledhjen e tij të datës 8.11.2017,

VENDOSI:

1. Miratimin përfundimtar të certifikimit të operatorit të kombinuar të gazit natyror Albgaz sh.a., në përputhje me nenet 37, 50, 59, 68, dhe 80 të ligjit nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror” dhe nenin 9, pika 6, të direktivës 73/2009 EC.

2. Brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Albgaz sh.a. të zëvendësojë përfaqësuesit e MIE te Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë me anëtarë të cilët nuk janë të punësuar te MIE ose te kompanitë e prodhimit dhe/ose furnizimit të energjisë elektrike që kontrollohen nga ajo.

3. Albgaz sh.a. të raportojë çdo muaj në ERE procedurën për regjistrimin e aseteve të transmetimit dhe ta përfundojë procedurën brenda gjashtë muajve pas miratimit të vendimit përfundimtar.

4. Brenda 3 muajve pas miratimit të vendimit të certifikimit, Albgaz sh.a. të caktojë zyrtarin e përputhshmërisë subjekt i miratimit nga ERE, si dhe duhet që të hartojë dhe t’i dorëzojë ERE-s, raportin e përcaktuar sipas programit të përputhshmërisë, rregullatore jo më vonë se 12 muaj nga miratimi i vendimit të certifikimit të Albgaz sh.a., konform përcaktimeve të nenit 21 të direktivës nr. 73/2009, të Komisionit Evropian, “Mbi rregullat për tregun e gazit natyror” dhe nenit 47, të ligjit nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.

5. Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, për qëllime të implementimit të rekomandimeve në opinionin e Sekretariatit, Albgaz sh.a., të paraqesë në ERE dëshmi që tregon garancinë, në lidhje me:

  • 5.1 Pavarësinë e audituesve financiarë. Audituesi financiar i Albgaz sh.a. duhet të jetë i pavarur, në kuptimin që audituesi financiar nuk mund të jetë i njëjti subjekt që kryen detyra ose kryen auditimin e ndërmarrjeve/sipërmarrjeve që kryejnë ndonjë nga veprimtaritë e prodhimit apo të furnizimit të gazit natyror. Në lidhje me këtë çështje, Albgaz sh.a. duhet t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme (MEF) sigurimin e shmangies së emërimeve të audituesve financiarë të njëjtë.
  • 5.2 Bashkëpunimin ndërinstitucional për realizimin e ndryshimeve në kuadrin ligjor, neni 11 dhe 46(10) i ligjit “Për sektorin e gazit natyror” dhe transferimi i kompetencave te Ministria e Ekonomisë. Për përmbushjen e këtij detyrimit, Albgaz sh.a. do t’i paraqesë ERE-s provat dokumentare që ndryshimet ligjore dhe nënligjore të nevojshme që lidhen me transferimin e kompetencave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tek aksionari i Albgaz sh.a., Ministria e Ekonomisë dhe Financave, kanë ndodhur, janë efektive.

6. Mospërmbushja e detyrimeve të përshkruara në pikat 2, 3, 4 me sipër nga ana e Albgaz sh.a. sjell si pasojë rihapjen e procedurës së certifikimit në përputhje me nenin 14 të “Rregullave për certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Gazit Natyror”.

7. Albgaz sh.a., do të raportojë çdo 3 muaj tek ERE dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në lidhje me përmbushjen e detyrimeve të pikave 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, si dhe me ecurinë e procesit të transferimit të kompetencave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë te Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

8. T’ia përcjellë këtë vendim Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

9. T’ia përcjellë këtë vendim OST sh.a., Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit të Konkurrencës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Ky vendim botohet në Fletoren Zyrtare.

Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën Administrative Tiranë, brenda 45 ditëve nga data e botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYETARI Petrit Ahmeti

Për të lexuar vendimin e plotë klikoni këtu.

energjia.al  27.11.2017