Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bashkia teston mjete elektrike te parku i liqenit

Krahas testimit të autobusëve elektrikë, të cilët do të zëvendësojnë së shpejti flotën e autobusëve në kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka testuar edhe mjete të tjera ekologjike.

Bëhet fjalë për disa motorë dhe skuterë elektrikë, të cilët kanë kaluar provën në terrenin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Mësohet se këto pajisje janë përshtatur shumë mirë me mjedisin dhe shumë shpejt do të bëhen edhe porositë.

Mjetet do t’i shërbejnë inspektorëve të parkut, për të ndërhyrë pas çdo denoncimi apo kundravajtjeje të konstatuar.

Modelet që u testuan janë Volta VT3 dhe Volta VM4, të kompanisë turke Volta Motor.

Modeli VT3 arrin një shpejtësi maksimale prej 20 kilometrash në orë, ka një rreze maksimale prej 65 kilometrash dhe  një kohë karikimi prej 6-8 orë.

Ndërsa modeli tjetër, skuteri elektrik VM4, ka një shpejtësi maksimale prej 35 kilometrash në orë dhe një rreze më të shkurtër, prej 50 kilometrash. Bateria ndërkohë ka të njëjtën kohë karikimi.

Bashkia e Tiranës duket se ka marrë një rol kryesor në nxitjen e përdorimit të mjeteve elektrike. Së fundmi ajo bleu 5 autoveturaelektrike dhe 1 autoveture elektrike hibride. Gjithashtu janë instaluar 2 karikues të shpejtë në parkingjet nëntokësore në Sheshin Skënderbej dhe Bulevardin e Ri.

Scan Tv,  25.11.2017