Kanadaj ul eksportet e naftës drejt SHBA
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, pasi shkurtimet e furnizimit me naftë nga Kanadaja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shkaktuar rënien e rezervave të naftës në ekonominë më të madhe në botë.
Gjithashtu, çmimet po mbështeten edhe nga pritshmëritë se, OPEC do të shtyjë marrëveshjen për uljen e prodhimit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.3 dollarë për fuçi.
TransCanada Corp deklaroi se do të ulë furnizimin me naftë në SHBA, me të paktën 85% në rreth 590 mijë fuçi në ditë, deri në fund të nëntorit. Gazsjellësi Keystone, që lidh fushat naftëmbajtëse të Albertas me rafineritë amerikane, u mbyll javën e kaluar, pas derdhjes së 5 mijë fuçive në Dakotën e Jugut.
Tregtarët shprehen se, një mbështetje e lehtë për çmimet vjen edhe nga raporti javor i Institutit Amerikan të Naftës, ku thuhej se, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 6.4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 17 nëntor.
Ndërkohë, nafta Brent e Londrës vazhdon të mbështetet nga mundësitë që OPEC dhe vendet e tjera prodhuese të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit, përtej marsit të vitit të ardhshëm. Marrëveshja skadon në mars të 2018, por OPEC do të takohet më 30 nëntor në Vjenë për të përcaktuar politikat e ardhshme të naftës.
Në raportin mbi tregun e lëndëve të para, J.P. Morgan parashikon se, tregu i naftës do të balancohet më tej në vitin 2018, për shkak të shtyrjes së marrëveshjes për uljen e prodhimit. Por, banka shtoi se, nëse nuk do të shtyhet kjo marrëveshje, atëherë tregu do të përballet me një suficit.
Scan TV, 23.11.2017