Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prodhimi në SHBA zbeh marrëveshjen e OPEC

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të pritshmërive për një rritje të mëtejshme të prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka eklipsuar optimizmin e OPEC dhe vendeve të tjera prodhuese për të balancuar tregun.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 63 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 56.6 dollarë për fuçi. Javën e kaluar, 2 bençmarkët kryesorë prekën nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2015, por në sesionet në vijim tendenca ka qenë në rënie.

Investitorët po tregohen të kujdesshëm, pasi janë vendosur shumë baste për çmime më të larta të naftës, por në anën tjetër, prodhimi në Shtetet e Bashkuara është rritur me 14%, që nga mesi i vitit 2016, në një rekord prej 9.62 milionë fuçi në ditë.

Qeveria amerikane deklaroi të hënën se, prodhimi i naftës argjilore, do të rritet për të 12 muaj me radhë, gjatë dhjetorit. Gjithashtu, ftohja e ekonomisë kineze ka risjellë shqetësimet në krahun e kërkesës.

Agjencia e vlerësimit të kreditit, Fitch Ratings, deklaroi se, çmimet gjatë vitit 2018 do të jenë në të njëjtin nivel krahasuar me 2017-ën.

Pavarësisht kësaj ndjenje kujdesi, tregtarët shprehen se, çmimet nuk do të bien ndjeshëm, për shkak të marrëveshjes së OPEC për të ulur prodhimin dhe pritshmërive për shtyrjen e kësaj marrëveshjeje përtej marsit të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë solli një parashikim më të kujdesshëm, përsa i përket kërkesës për naftë.

Në raportin mujor, agjencia me bazë në Paris e uli me 100 mijë fuçi në ditë parashikimin për kërkesën, gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm.

Scan Tv,  15.11.2017