Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

EON synon krijimin e rrjetit të karikimit të makinave elektrike

Kompania gjermane EON do të bashkëpunojnë me norvegjezët e Clever që prodhojnë pika karikimi për të ndërtuar një rrjet me stacione karikimi të shpejta përgjatë autostradave europiane. Ky lajm vjen në një kohë që rajoni po has vështirësi të përhapjen masive të kërkesave për automjete elektrike.

Rrjeti do të mbështetet edhe nga një financim prej 10 milionë eurosh nga Bashkimi Europian dhe do të ketë fillimisht 180 stacione që shtrihen nga Italia në Norvegji. Stacionet e para në Gjermani dhe Danimarkë do të hapen para verës, ndërsa të tjerët do të vendosen të paktën çdo 180 kilometra dhe do të mundësojnë kështu udhëtimet brenda kontinentit.

Për të treguar dhe nxitur që makinat elektrike janë e ardhmja, BE po planifikon një standard të ri ndotjeje, duke u kërkuar prodhuesve të automjeteve me karburant të reduktojnë me 30% emetimet e gazit deri në vitin 2030.

“Ne duhet të jemi gati për adoptimin në masë të automjeteve elektrike. Na duhet infrastrukturë dhe na duhet të pakësojmë ankthin për rrezen e udhëtimit. Ajo çfarë na mungon është një rrjet që të lidhë qytete dhe shtete”, thotë Casper Kirketerp, shefi ekzektuiv i Clever.

Plani i Clever dhe EON është i ngjashëm me përpjekjet e Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz që janë bashkuar për të ofruar një rrjet me 400 stacione karikimi deri në vitin 2020. Investimi reflekton vështirësinë e prodhuesve për të zbutur shqetësimet e individëve mbi përdorimin e automjeteve me bateri.

Shqetësimi parësor është distanca që mund të përshkojë makina pa patur nevojë të karikohet sërish, e cila me bateritë varion nga 100 kilometra për modelet më të lira dhe deri në 570 kilometra për ato më të kushtueshmet të ofruara nga Tesla.

Stacionet e karikimit që do të vendosen nga Clever, kompani e cila operon tashmë 1500 stacione në të gjithë Skandinavinë dhe Gjermaninë, do të mund të karikojnë baterinë e një makine për 20 minuta. Ato do të mund të akomodojnë 2 deri në 6 makina dhe do të vendosen kryesisht në vendpushimet nëpër autostrada.

Scan Tv,  10.11.2017