Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Afera me naftën Virxhin, arrestohet në Zvicër Xhillari

Është arrestuar në Zvicër për llogari të prokurorisë së Fierit biznesmeni Adrian Xhillari, administrator i kompanisë “Tea Construction Petrol”. Arrestimi është kryer për llogari të Prokurorisë së Fierit, pasi kërkohej për skandalin e 4.4 mln litra naftë bruto e zhdukur nga depozitat e kompanisë “Tea Construction & Petrol”, me administrator Adrian Xhillari. Pas zbulimit të skandalit dhe vijimit të hetimeve, ndaj Xhillarit u nxor një urdhër arresti ndërkombëtar dy vite më parë me akuzën e veprës penale të “Kontrabandë me mallra që paguhen akcizë”. Sasia prej 4.4 milionë litra naftë në pikat e karburantit pa akcizës dhe për më tepër e papërpunuar. Burime për Report Tv thanë se ka nisur procedura për të kërkuar ekstradimin e Xhillarit nga Zvicra drejt Shqipërisë. Skandali me naftën virxhin Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania e shtetasit Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh. Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë. Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës. Biznesmeni dhe njëherazi administratori i “Tea Construction Petrol” ishte në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2015. Si u zbulua skandali Kompania angleze “Croën Agents” ka qenë ajo që ka zbuluar skandalin e kontrabandës së 4.4 milion litrave naftë virgin,pasi ka shkuar në rezervuarët e kompanisë “Tea Construction & Petrol” në Ballsh. Nga kontrolli i ushtruar nga agjentët e “Croën Agents” ka rezultuar se, depozita G-43, ishte bosh dhe nuk kishte gjendje stoku të artikullit “virxhin naftë”. Referuar sasisë së produktit, vlera e akcizës së papaguar është 242.755.600 lekë, i cili konsiderohet si dëm në interes të shtetit. Ndërkohë gjatë marrjes në pyetje ish-zv/drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, aktualisht drejtoreshë e doganës së Fierit, Lula Njebza ka pohuar se nuk e njihte fare biznesmenin Adrian Xhillari. Mirëpo, nga këqyrja e tabulateve telefonike,ka zeultuar se gjatë periudhës 13-21 gusht 2014, Njebza ka kryer rreth 32 telefonata me Xhillarin. Hetimi i prokurorisë Nga hetimi rezulton se shoqëria “Tea Construction & Petrol” është themeluar në datën 25.12.2006 dhe ka si objekt të veprimtarisë së saj “tregtimin me shumicë dhe pakicë të naftës, vajrave, mineraleve të papërpunuar dhe të hidrokarbureve, etj”. Më datën 18.03.2012, administrator i kësaj shoqërie është emëruar shtetasi Adrian Xhillari, i cili vazhdon ta ushtroj këtë detyrë. Shoqëria “Tea Construction & Petrol” sha,është miratuar si depozitues nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD). Gjithashtu, kjo shoqëri është pajisur me autorizim si magazinë fiskale për depozitën G-43, në Ballsh. Me kontratën e qirasë datë 26.02.2010 dhe shtesën e saj të datës 12.03.2010,shoqëria “Tea Construction & Petrol” sha, ka marrë me qira nga shoqëria “P…” sha, gjithsej nëntë depozita karburanti me kapacitete të ndryshme, të cilat ndodhen në kodër Mënëz,Tiranë dhe në adresën Shkëmbi i Kavajës, Golem, Durrës.Më datën 26.05.2010, shoqëria “Tea Construction & Petrol” sha,ka blerë nga shoqëria “KPTHN”, Ballsh, sasinë prej 5.653.020 kg, të artikullit “Virxhin naftë”, për vlerën 500.021.072 lekë,sasi kjo e depozituar në depozitën G-43, në KPTHN, Ballsh dhe në katër depozita që ndodhen në Kodër Mëzëz, Tiranë. Drejtoria Rajonale e Tatim Paguesve të Mëdhenj, referuar programit të kontrollit datë 7 nëntor 2013, ka planifikuar kontroll tatimor në subjektin “Tea Construction & Petrol” sha, për përcaktimin ndër të tjera dhe të sasisë dhe cilësisë së lëndës djegëse virgin naftë,të ndodhur në depozitat e shoqërisë, me vendndodhje në Kodër Mëzës,Tiranë. Referuar inventarit kontabël të organeve tatimore,lënda djegëse virxhin, në depozitat e shoqërisë, duhet të ishte në sasinë prej 3.672.292 kg. Duke qenë se sasia e lëndës djegëse ka qenë nën mbikëqyrjen e autoriteteve doganore shqiptare, inspektorët tatimorë nuk mund të procedonin me kryerjen e inventarit fizik.Për këtë arsye, Drejtoria e Kontrollit pranë DPT Tiranë,i kanë kërkuar DPD Tiranë,ngritjen e një grupi të përbashkët pune, për verifikimin e sasisë dhe llojit të lëndës djegëse që ndodhej e depozituar në depozitat e shoqërisë.

Shqiptarja.com  07.11.2017