Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Detyrimet e ARMOs arrijnë në 240 mln euro

Që pas privatizimit, rafineria e përpunimit të thellë të naftës, ARMO, është shndërruar në një burim evazioni, për shkak se kompanitë, që e kanë administruar, nuk kanë paguar në mënyrë periodike detyrimet në shtet.

Për rrjedhojë, ARMO  dhe kompanitë që e kanë administruar atë kanë krijuar në vite rreth 33  miliardë lekë (rreth 240 milionë euro) detyrime tatimore, të cilat me procesin e fshirjes zbritën në 13.2 miliardë lekë në fund të shtatorit 2017, sipas tabelave të publikuara nga tatimet për kompanitë që kanë borxhin më të madh tatimor në vend. Vetëm në 2017-n, kompanitë e lidhura me ARMO-n krijuan 27 milionë euro detyrime të reja (11% e totalit).

Sipas një raporti të tatimeve në lidhje me borxhin tatimor shihet se, ARMO kishte 21 miliardë lekë detyrime të mbartura deri në fund të vitit 2016. Një pjesë e detyrimit është krijuar në momentin kur ajo administrohej nga Taçi Oil, e cila është në proces falimenti dhe me pak mundësi për të rikuperuar detyrimin. Por me falimentin e Taçi Oil dhe shitjen e ARMO-s tek azerët e Heaney Assets Corporation në gusht 2013, edhe kompanitë që e morën në përdorim vijuan me kulturën e mospagimit të taksave. Detyrime të larta krijuan edhe nënkontraktorët. Borxhin më të lartë e krijoi kompania Deveron që, sipas tatimeve, deri në fund të vitit 2016 kishte akumuluar mbi  7 miliardë lekë detyrime në tatime.

Deveron Oil është krijuar në fund të vitit 2013, sipas ekstraktit në QKR, por që u rrit me shpejtësi në 2014-n e 2015-n. Qarkullimi i saj vjetor ishte 10.7 miliardë lekë në 2014-n dhe 11 miliardë lekë në 2015-n, sipas tatimeve, duke u katapultuar me shpejtësi në 20 kompanitë më të mëdha në vend. Deveron Oil është 100% në pronësi të Deveron Advisor Corp dhe aksionet e saj janë aktualisht të bllokuara nga urdhra të shumë të përmbaruesve për llogari të doganës, tatimeve e të tretëve.

Detyrimet e ARMO u ulën në mënyrë drastike me procesin e fshirjes së detyrimeve që nisi në vjeshtë të vitit të kaluar, nga 21.2 mld lekë në 9.5 mld lekë, ndërsa Devenon nuk figuron më në listën e debitorëve në vitin 2017, sipas tabelave të publikuara nga tatimet.

Vetëm në vitin 2017 u shtuan 27 milionë euro detyrime të reja

Teksa nga “aministia”, detyrimet e ARMOs janë ulur me shumë se 55%  shihet se kompania që aktualisht administron ARMO-n, IRTC, vetëm në një vit ka akumuluar detyrime ndaj tatimeve në vlerën e 3.7 miliardë lekëve ose 27 milionë euro.

Në shtator të 2016, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar off-shore në ishujt britanikë Virgin. Transaksioni mbeti i paqartë, teksa zyrtarisht 80% të ARMO-s i kanë ende azerët e Heaney Assets Corp., që blenë 80% të aksioneve nga Taçi Oil (Anika Enterprises SA) në gusht 2013.

Ekspertë të tregut pohojnë se me ARMO-n është abuzuar sistematikisht. Kompanitë që e marrin atë në përdorim nëpërmjet qirasë apo marrëveshjeve me bankat e shfrytëzojnë dhe ndërkohë nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të shtatorit 2017 nafta e prodhuar nga ARMO zuri 30 për qind të tregut, teksa eksporton edhe nga Kosovë.

Nafta vendase, sipas të dhënave të publikuara për 5-mujorin nga Ministria e Financave rezulton të kishte paguar vetëm akcizën dhe jo TVSH-në. Sipas të dhënave të 5-mujorit, të përpunuara në gusht nga Monitor, bazuar në informacionin zyrtar të financave, rezultonte se nga prodhimi vendas i naftës prej 69 mijë tonë ishte paguar vetëm rreth 40 lekë për litër (pra vetëm akciza, që është fikse 37 lekë për litër, por pagesa varion në bazë të densitetit të deklaruar të naftës), ndërkohë që taksimi minimal për një litër naftë është minimumi 80 lekë për litër (përfshirë TVSH-në që është 20%, taksë qarkullimi fiske prej 27 lekë për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër). Për një prodhim prej rreth 66 mijë ton më shumë, me një çmim minimal prej 140-150 lekë për litër, TVSH e arkëtuar shtesë për 5 mujorin nga nafta vendase duhet të ishte të paktën 2-2.2 miliardë lekë.

Revista Monitor,  06.11.2017