Këtë muaj hapet konkursi për bordin e Trepçës
Qeveria e Kosovës duket se nuk do të rrijë më duarkryq kur bëhet fjalë për funksionimin e gjigantit ekonomik kosovar “Trepça”, kjo duke u bazuar në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës para gati një viti, shkruan Gazeta “Zëri”. Që kur është miratuar Ligji për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës Qeveria e Isa Mustafës nuk kishte arritur që të formojë dy bordet, atë Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues, pa të cilët nuk mundet që ligji të quhet i zbatueshëm.
Bordet nuk ka arritur t’i formojë as Qeveria e re e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
Haradinaj u ka rekomanduar tri ministrive që të veprojnë shpejt për ta zbatuar Ligjin për “Trepçën”, ndërkohë njëri prej ministrave, ai i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka premtuar në Mitrovicë, të martën, se Bordi Menaxhues i “Trepçës” do të formohet së shpejti.
Sipas tij, në nëntor do të shpallet konkursi për anëtarë të Bordit Menaxhues të “Trepçës”, gjë që do t’i hapë rrugë investimeve në “Trepçë”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i cili ka qëndruar në Mitrovicë të martën dhe ka takuar kryetarin Agim Bahtiri, ka siguruar se Mitrovica do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit.
Scan Tv, 04.11.2017