Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ekspertja amerikane flet për HEC-et në Shqipëri

Potenciali i zhvillimit të këtij turizmi në Shqipëri. Flet ekspertja amerikane për turizmin e aventurës, Paige Viren

Turizmi i aventurës po tërheq gjithnjë e më shumë turistë drejt Shqipërisë, duke ndjekur trendet e kësaj industrie në botë. Ekspertja amerikane për turizmin e aventurës, Paige Viren, tregoi për “Monitor” se si mund të përfitojnë komunitetet lokale duke ruajtur balancën ekonomike, mjedisore dhe kulturore. Ajo ngre shqetësimin e largimit të të rinjve nga zonat me potencial zhvillimi…

Paige Viren, eksperte në sipërmarrje dhe turizëm, është njohur me ofertën e Shqipërisë për sa i përket turizmit të aventurës dhe ka kryer takime dhe diskutime me grupe sipërmarrësish lokalë, biznese dhe aktivistë të organizatave joqeveritare.
Paige vjen në Shqipëri pas një vizite dhe në Kosovë, në kuadër të përdorimit të teknologjisë dhe inovacionit për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, veçanërisht të turizmit mbështetur mbi aventurën, kulturën e pasur dhe natyrën, për të cilët ajo shikon potencial zhvillimi.

Shqipëria ofron të gjitha llojet e turizmit, me një natyrë të shfrytëzueshme në të gjitha stinët, dhe një distancë të afërt të bregut të detit dhe zonës malore. Si dobësi të këtyre zonave, Paige Viren evidentoi hendekun e përdorimit të teknologjisë, që të sillte më afër turistëve bukurinë e këtyre zonave, por edhe dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga këto zona.

Për ta ndaluar këtë, Paige Viren, e vuri theksin te fuqizimi i vendasve. Njerëzit duhet ta duan vendin e tyre, të kenë dëshirë të jetojnë dhe të mendojnë si ta kthejnë në përfitimin e tyre ekonomik dhe kjo, duke u mbështetur mbi politika që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Ky do të jetë çelësi i suksesit, njerëzit të duan të jetojnë në vendin e tyre.

Me grupin e saj, udhëtuan nga Kukësi në Llogora, në më pak se pesë orë, me shpejtësi normale. Nëse mund të organizohet në një mënyrë më të mirë, mund të krijosh produkte turistike që të përfshijnë të dyja zonat, malore dhe bregdetare.

 

Cila është përshtypja juaj e parë nga Shqipëria?

Përshtypja e parë nga Shqipëria ishte e shkëlqyer. Bukuritë natyrore dhe kultura janë mbresëlënëse, keni plot gjëra të mira për të ndarë. Përfundimisht është një rajon i paprekur, edhe pse ka disa përpjekje për zhvillimin e turizmit, unë shikoj potencial për turizmin. Duhet të krijohet ekonomi bazuar mbi turizmin e qëndrueshëm, me fokus në turizmin e aventurës, apo turizmin kulturor dhe mjedisin natyror. Kjo do të ishte mënyra më e zgjuar.

 

Mbresa

Bukuritë natyrore dhe kultura janë mbresëlënëse, keni plot gjëra të mira për të ndarë. Përfundimisht është një rajon i paprekur, edhe pse ka disa përpjekje për zhvillimin e turizmit, unë shikoj potencial për turizmin. Duhet të krijohet ekonomi bazuar mbi turizmin e qëndrueshëm, me fokus në turizmin e aventurës, apo turizmin kulturor dhe mjedisin natyror. Kjo do të ishte mënyra më e zgjuar.

 

Shqipëria ka burime të pafundme natyrore, të cilat kanë filluar të tërheqin ndjeshëm vëmendjen e të huajve së fundmi. Cili është rekomandimi juaj,çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të shfrytëzuar këtë moment dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm?

Ju keni kaluar shumë sfida dhe besoj se është koha që njerëzit të fillojnë të ndihen mirë me vendin ku jetojnë, të kenë ndjenjën e krenarisë. Kjo do të inkurajojë njerëzit që të mbrojnë mjedisin. Nëse do të ndihen të lidhur me vendin e tyre dhe do të ndiejnë se i përkasin atij vendi, do të kujdesen më shumë për të. Kur njerëzit hedhin plehrat në rrugë, është e qartë se nuk e mendojnë si vendin e tyre. Një vend i mirë për të jetuar, është një vend i mirë për t’u vizituar.
Nuk ka thjesht të bëjë me promovimin për të tërhequr turistë, por që njerëzit të kenë një punë që mund t’ju mundësojë të jetojnë jetën që duan, t’ju sigurojë disa para më shumë.

Jo të gjithë duan që të jetojnë në qytet. Nëse doni një zhvillim të qëndrueshëm duhet të bëni këtë. Ka shumë të rinj në këto vende, të cilët nuk duan të jetojnë në zonat rurale, si mund ta bëni një vend që njerëzit të duan që të jetojnë. Biznesi i turizmit është në atë nivel, nivel të ulët, por që njëkohësisht mund të inkurajojë njerëzit të qëndrojnë nëpërmjet vendeve të punës.
Bar-kafetë, tur-operatorët, apo individët që mundësojnë vozitjet me kajakë, dikush që gatuan, apo një tjetër që organizon piknik në natyrë, apo dikush që ndan një përvojë unike si përgatitja e rakisë, unë do të paguaja për këtë. Nuk ka nevojë për mjedise luksi, mjafton që të hapin shtëpitë e tyre dhe të ndajnë mënyrën e tyre të jetesës me turistët.

Nuk e di sa jeni në dijeni, por së fundmi ka pasur një debat në Shqipëri, pasi në zonat malore (më të bukurat në Shqipëri), si dhe në Jug (lumi i Vjosës) janë dhënë leje për zhvillimin e hidrocentraleve, që rrezikojnë të dëmtojnë natyrën e virgjër. Cili do të ishte rekomandimi juaj në këtë drejtim?

Kur fokusohesh tek turizmi i bazuar mbi burimet natyrore, mendoj se do të ndikohej zhvillimi nga projekte, siç janë hidrocentralet apo industria e rëndë. Duhet të ndryshohet qasja se si njerëzit e perceptojnë turizmin, pasi hidrocentralet vërtet mund të gjenerojnë të ardhura, apo të hapin vende të reja pune për komunitetin, por dëmtojnë dhe mjedisin. Nëse në vizionin tuaj duhet të mbroni asetet natyrore, kulturën lokale duhet të përforconi zhvillimin që nuk i dëmton ato. Nuk duhen parë paratë që sjell në afatshkurtër një Projekt, por edhe ndikimi negativ.

Në mendimin tim duhet të zhvilloni një linjë të bazuar mbi tre shtylla kryesore, kur bëhet fjalë për ekonominë. Kjo linjë treshe, çfarëdo zhvilli që të ndërmerrni, duhet të ketë ndikim pozitiv në ekonomi, kulturë dhe mjedis. Nëse planifikoni të ndërtoni një digë për ndërtimin e hidrocentralit, kjo mund të jetë ekonomike, por çfarë është vlera mjedisore dhe kulturore?

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha industritë që u ngritën përgjatë lumenjve, tashmë janë shpërngulur. Tani po përpiqemi që të rregullojmë çka është dëmtuar. Keni mundësinë në Shqipëri që të forconi dhe të mbroni atë që keni në një mënyrë të qëndrueshme dhe të menduar mirë, që iu mundëson punë vendasve dhe gjithashtu forcon kulturën.

 

Kujdes!

Kur fokusohesh tek turizmi i bazuar mbi burimet natyrore, mendoj se do të ndikohej zhvillimi nga projekte, siç janë hidrocentralet apo industria e rëndë. Duhet të ndryshohet qasja se si njerëzit e perceptojnë turizmin, pasi hidrocentralet vërtet mund të gjenerojnë të ardhura, apo të hapin vende të reja pune për komunitetin, por dëmtojnë dhe mjedisin

 

Rritja e fluksit të turizmit në zonat rurale së fundmi mund të ushtrojë presion për rritjen e kapaciteteve akomoduese, që mund të dëmtojnë natyrën. Cili do të ishte rekomandimi juaj për të zgjidhur këtë problem?

Në mendimin tim duhet të ketë përdorim optimal të burimeve mjedisore, të cilat ndihmojnë që të ruhet trashëgimia natyrore dhe biodiversiteti. Duhet të respektohet origjinaliteti socio-kulturor i komuniteteve mikpritëse dhe të mundësohen përfitime socio-ekonomike për të gjitha grupet e interesit.

Si mund të nxitet turizmi i aventurës në Shqipëri, në funksion të zhvillimit të komunitetit lokal, por edhe nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm?

Diçka që kam vënë re është se këtu njerëzit janë mikpritës dhe të ngrohtë, ushqimi është i mirë dhe keni burime natyrore të pafundme. Pra, ju i keni, por duhet të organizoni përpjekjet. Gjatë vizitës sime këtu kam takuar njerëz që përpiqeshin që të bënin të njëjtën gjë, por vetëm. Jam e mendimit se duket të krijohet rrjeti dhe të koordinohet puna midis njerëzve që bëjnë të njëjtën gjë, por që me vështirësi bëhen bashkë.

Në patëm një takim në Vlorë, ku u njohëm me një grup që organizonin zhytje, apo hedhje me parashutë, të cilët po bëjnë gjëra të mira. Ka shumë pjesë që duhet të bëhen bashkë, mbase krijimi i një shoqate, që të tregojë se çfarë politike mund të na ndihmojë për të zhvilluar më tej atë që tashmë e keni. Në këtë mënyrë, do të tërhiqni njerëz në Shqipëri, por edhe vetë shqiptarët. Ne shkuam në Shishtavec dhe shumë nga shqiptarët nuk e kishin vizituar ende atë vend.

Nëse keni njohuri, cilat janë zonat më interesante në Shqipëri për zhvillimin e turizmit të aventurës?

Varet se nga vijnë turistët, p.sh., unë vij nga Karolina e Veriut, një vend bregdetar dhe do të isha e interesuar që të shkoja në male, por në të njëjtën kohë e pëlqej dhe detin. Mendoj se ju i keni të gjitha dhe mund të plotësoni nevojat dhe interesin e secilit turist. Besoj se nuk është problem që të akomodoni turistët në zonat bregdetare gjatë sezonit të verës apo udhëtimet e fundjavës nuk kanë pse të jenë vetëm buzë detit. Por nëse përfshini aktivitetet si hiking, vozitje me kajak dhe mund të zgjeroni sezonin turistik jo vetëm gjatë sezonit veror dhe mund ta shtrini në të gjitha zonat.

Përpos kësaj, ju mund ta përfshini edhe në kurrikulat e shkollës, në mënyrë që të edukoni brezin e ri me dashuri ndaj mjedisit dhe natyrës. Pse të mos e mësojnë mësimin e biologjisë në vendin e tyre?

Në këtë mënyrë, edhe vendasit duhet të dinë se çfarë të sugjerojnë për zonën e tyre, pra të nxisin turizmin.
Gjithashtu, edhe në Tiranë keni burime të mrekullueshme natyrore që mund të shfrytëzohen edhe më shumë. Një shembull është edhe zona e Pëllumbasit.

Çfarë ndërhyrjesh mund të bëjë qeveria shqiptare për të nxitur turizmin e aventurës në vend?

Sikurse e thashë, ka grupe apo individë që po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë, të paorganizuar. Roli i qeverisë është që t’i bëjë këto grupe, të cilët operojnë në industrinë e turizmit vetëm, bashkë. Qeveria duhet të formësojë disa politika që njerëzit të dinë t’i ndjekin ato dhe të rrisin përfitimet e tyre ekonomike. Organizimi i industrisë së turizmit do të ishte një mënyrë e mirë për të vendosur ura komunikimi midis bizneseve të përfshira në këtë industri dhe qeverisë.

Si është sot në botë kërkesa për turizmin e aventurës dhe si mund të përfitojë Shqipëria prej saj?

Kërkesa për turizmin e aventurës është e lartë, ashtu si dhe për lloje të tjera të turizmit. Duhet kuptuar se cili është targeti dhe nëse targeti juaj janë turistët që kërkojnë aventurën duhen kanalizuar përpjekjet për të përfituar nga kjo kërkesë. Fokusi duhet të vendoset tek ekonomitë lokale dhe te vendasit, duke i fuqizuar ata. Ndoshta, një mënyrë mund të jetë ofrimi i trajnimeve të ndryshme, si për shembull si të përmirësojnë shërbimin ndaj klientëve. Duhet të ndihmojnë njerëzit që të kuptojnë industrinë e turizmit.

Në periferi të Tiranës ndodhet fshati i Pëllumbasit, ku çdo të diel organizohet pazari, ku shiten ushqimet tradicionale të zonës. Vendasit bëhen bashkë çdo të diel dhe në përgjithësi shkojnë shqiptarët, por kjo mund të zgjerohet edhe te të huajt. Kështu njerëzit fillojnë të pëlqejnë vendin e tyre, bëhen krijues dhe gjejnë mënyra se si të përfitojnë.
Pashë që njerëzit atje po shisnin mjaltë në rrugë. Me një paketim interesant mund të tërheqin turistët dhe të nxjerrin përfitimet e tyre ekonomike.

 

Paige Viren, eksperte e turizmit

Kreu studimet bachelor për Rekreacion dhe studimet master për Edukim dhe Studime në Turizëm në Universitetin Shtetëror të Bowling Green, si dhe doktoraturën në Universitetin Shtetëror të Miçiganit në Departamentin e Burimeve Turistike, Rekreacionit dhe Parqeve.

Kërkimet e Paige Viren bazohen mbi marketingun, komunikimin dhe sjelljen konsumatore lidhur me turizmin, me interes të veçantë te turizmi i aventurës dhe eko-turizmi, si dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit. Me një përvojë të gjatë në industrinë e turizmit, shpalos një qasje me vlerë për këtë industri. Znj. Viren ka punuar për organizatat Adventure Travel Trade Association (ATTA) dhe Konservimi Ndërkombëtar dhe ka kryer studime për kërkesën dhe ofertën në industrinë e turizmit.

Paige Viren ka punuar gjithashtu me komunitetet rurale me interes në zhvillimin e qëndrueshëm bazuar mbi turizmin, si një alternativë për të diversifikuar ekonominë rurale. Turizmi i qëndrueshëm, sikurse nënvizohet edhe nga Organizata Botërore e Turizmit, duhet të ketë një përdorim optimal të burimeve mjedisore, të cilat ndihmojnë që të ruhet trashëgimia natyrore dhe biodiversiteti, të respektohet origjinaliteti socio-kulturor i komuniteteve mikpritëse dhe të mundësonte përfitime socio-ekonomike për të gjitha grupet e interesit.
Turizmi i qëndrueshëm ka potencialin që të krijojë lidhje midis ruajtjes së natyrës dhe mirëqenies së komuniteteve lokale përmes përfitimeve si gjenerimi i të ardhurave, ruajtja e kulturës dhe kapaciteteve ndërtuese.

Eksperte në:
Sjellje konsumatore
Turizmin e aventurës
Zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit
Marketingun e turizmit
Anketat studimore

Revista Monitor,  04.11.2017