Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Importet e energjisë shtrydhin financat e kompanive

Nga janari në nëntor  Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kanë shpenzuar mbi 178 milionë euro në importe energjie. Pjesën më të madhe të këtyre parave e ka shpenzuar OSHEE e cila është detyruar që të sigurojë sasinë që kërkohet për konsum ndërkohe që KESH ka importuar një sasi dukshëm më të vogël duke qenë se pjesa e saj primare është prodhimi nga hidrocentralet dhe menaxhimi i kaskadës.

Burime nga OSHEE bënë me dije se janë shpenzuar vetëm për janar-tetor 135 milionë euro ndërkohë që kësaj pjese nuk i është shtuar shuma prej 21.7 milionë euro që është shifra e kontratës së nëntorit.

KESH nga ana tjetër ka shpenzuar në total 21.5 milionë euro në tre procedura të ndara për shtator-tetor dhe nëntor. Kompania e gjenerimit ka shfrytëzuar për këto importe paratë e kredisë së Bankës Botërore, e cila në Planin e Rimëkëmbjes së sektorit kishte parashikuar edhe 22.4 milionë euro të dedikuara për blerje energjie në situata të vështira.

Importet e energjisë, të të dyja kompanive janë sa 1.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, një vlerë relativisht e lartë dhe që pritet të japë efektin e saj edhe tek deficiti tregtar.

Në raport me vitin 2016 duket sikur situata është kthyer në kahun e kundërt. Për herë të parë vitin e kaluar Shqipëria ishte një vend eksportues dhe jo importues, me një bilanc energjetik tejet pozitiv. Kjo i siguroi KESH të ardhura që kalonin 100 milionë euro.

Në vitin 2017 situata hidrike ishte tërësisht e kundërt me 2016 dhe nivelet në kaskadën e Drinit kanë bërë që kompania të fokusohej tek menaxhimi i kujdesshëm duke prodhuar në minimum dhe në tre muajt e fundit të mbështesë përmes importeve.

Ky bilanc në avantazh të importeve pritet që të thellohet edhe më tej me dhjetorin pasi OSHEE parashikon vijimin e importeve për të garantuar konsumin në vend që me ftohjen e motit pritet të jetë edhe më i lartë.

Revista Monitor,  01.11.2017