Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nxitja e energjisë diellore, Gjiknuri: Qasje e kujdesshme

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizuan sot një tryezë dialogu me grupet e interesit rreth garave konkurruese për kapacitetet e reja në energjinë diellore.

Në fjalën e tij, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se energjia diellore është një burim jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe për Shqipërinë, për shkak të pozicionit gjeografik të vendit dhe ekspozimeve që ka ndaj rrezatimit diellor.

“Nxitja e këtyre investimeve bëhet domosdoshmëri edhe nisur nga fakti se jemi aktualisht 100% të varur nga energjia ujore. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme dhe plani kombëtar i qeverisë për promovimin e këtyre burimeve po hedh hapat e para duke shtruar platformën operacionale dhe ligjore për të konkretizuar investimet e para”, u shpreh Gjiknuri.

Në bashkëpunim me BERZH-in tha ai, po punohet që 30 deri 50 mega të jepen mbi bazën e ankandeve, duke afruar investitorë seriozë por edhe të marrim tarifa të përballueshme.

Sipas ministrit Gjiknuri, sfida me të cilën ndeshemi është se si ta kthejmë këtë në një proces të qëndrueshëm.

“Që kapacitetet që jepen të jenë në një treg të konkurueshëm, por mbi të gjitha të kenë një treg likuid që bën të mundur kthimin e investimit. Kjo do të thotë që jo çdo burim diellor mund të kthehet në burim energjie për aq kohë sa në një  treg të rregulluar siç jemi ne, ato paguhen nga konsumatori final. Në hapin tonë të parë zgjodhëm të promovojmë 50 mega në energji diellore e cila mund të jetë pak në fillim por është e mjaftueshme dhe qëndrueshme në tarifat që kemi sot në fuqi”, nënvizoi Gjiknuri.

Duke u ndalur më tej tek plani i mëtejshëm i rimëkëmbjes së sektorit elektroenergjitik, Gjiknuri tha se shumë shpejt falë rimëkëmbjes do krijohet mundësia për potenciale të reja në energjinë diellore.

“Duhet një qasje e balancuar sepse gjërat që nuk kanë qasje të balancuar shpesh herë përfundojnë në inflacion që i bën të paqëndrueshme nga ana financiare. Nëse nuk ka treg likuid që do ta tërheqë këtë energji, këto mund të kthehen në një problem të madh siç ka ndodhur në vendet e tjera”, u shpreh Gjiknuri.

Ora News,  24.10.2017