Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bie aktiviteti i shpim-kërkimit të naftës në SHBA

Çmimet e naftës po ndryshojnë shumë pak gjatë sesionit të sotëm, por megjithatë po gjejnë një mbështetje nga tensionet në Irak dhe nga rënia e aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas analistëve mund të jetë e përkohshme.

Numri i shpimeve në fusha të reja naftëmbajtëse ra me 7 njësi në 736, gjatë javës që u mbyll më 20 tetor, niveli më i ulët që nga qershori i këtij viti. Kështu, nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 57.6 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 52 dollarë për fuçi.

Gjithsesi, analistët mendojnë se, tendenca e çmimeve mund të jetë në rritje për shkak të luftimeve në veri të Irakut mes forcave irakiane të sigurisë dhe rebelëve kurdë.

Në ditën e diel, eksportet nga Kurdistani drejt portit turk të Ceyhanit, ranë në rreth 200 mijë fuçi në ditë, nga 600 mijë fuçi, që është kapaciteti. Ndërkohë, gjatë një vizite historike në Irak, ministri i naftës i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve brenda Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, për të shkurtuar prodhimin.

Indeksi i luhatshmërisë së naftës bruto, i cili mat pritshmëritë e tregut për 30-ditët e ardhshme, ra në nivele të ngjashme me ato të vitit 2014.

Scan Tv,  24.10.2017