Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Guri i Bardhë, vjen kërkesa për HEC-in e dytë

Fshati Guri i Bardhë në qarkun e Dibrës, i njohur si vendlindja e Pjetër Budit, vitet në vijim pritet të marrë një hov zhvillimi, prej investimeve publike e private që do të shtrihen pranë kësaj zone.

Së pari, investimi kryesor, ai i Rrugës së Arbrit, i cili duket më në fund në rrugën drejt realizimit, kalon fare pranë këtij fshati, madje bën edhe një devijim të vogël për të qenë sa më afër.

Por pasuria më e madhe duket se janë burimet ujore, të cilat e kanë përfshirë emrin e fshatit në një sërë projektesh të mëdha.

Fillimisht, në fund të muajit Mars të këtij viti, Ministria e asokohe e Energjisë dhe Industrisë shpalli kompaninë fituese, e cila do të ndërtojë hidrocentralin e “Gurit të Bardhë”, një investim prej 5.9 milionë eurosh, i cili brenda dy vitesh do të instalojë 8.8 MW fuqi për prodhimin e energjisë elektrike.

Më pas gjatë verës, Bashkia e Tiranës mori dritën jeshile për rritjen e çmimit të ujit për konsumatorët e bizneset. Kjo u justifikua me faktin se do të bëhen 220 milionë euro investime në UKT, një pjesë e të cilës do të shkojnë për shfrytëzimin e burimeve të reja të ujit.

Guri i Bardhë hyn këtu në planet e Bashkisë, si burimi më i përshtatshëm për shkak të afërsisë me Tiranën. Ai është përmendur si nga kryetari Veliaj, ashtu edhe nga krerët e UKT, ndërsa identifikohet si investim prioritar edhe në shënimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. BERZH shprehet se objektivi për të furnizuar Tiranën 24 orë me ujë mund të arrihet brenda vitit 2021, kohë kur do të jetë i përfunduar edhe projekti i “Gurit të Bardhë”.

Ndërkohë, ditën e premte, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë publike një aplikim të mbërritur pranë këtij institucioni për ndërtimin e hidrocentralit të “Gunja”. HEC-i propozohet të ndërtohet në pellgun ujëmbledhës të përroit të Gunjës pranë fshatit Guri i Bardhë, degë e përroit të Shehut ku do të ngrihet HEC-i miratuar në Mars.

Janë shoqëritë “Zall Herr Energji” sh.p.k. dhe “Super Beton Mati” sh.p.k., të cilat kërkojnë të bëjnë një investim në këtë zonë, duke instaluar kapacitetin prodhues deri në 2 MW. Vlera e investimit nuk bëhet e ditur, ndërsa kompanitë janë me eksperiencë në ndërtimin dhe operimin e HEC-eve për prodhimin e energjisë, konkretisht në veprat “Cekreze 1”, “Cekreze 2” dhe “Bershi-Klos”.

Me përfundimin e këtyre veprave të infrastrukturës, fshati do të jetë vetëm 1 orë e gjysmë larg nga Tirana, ndërsa rritja e punësimit pritet të sjellë edhe lulëzimin ekonomik dhe shoqëror të zonës.

Scan Tv,  20.10.2017