Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta zgjeron fitimet

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm, për shkak të rikthimit të primit të riskut në treg, ndërsa përshkallëzimi i luftimeve në Irak kërcënon furnizimin e tregut.

Në anën tjetër, edhe tensioni mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ka mbështetur gjithashtu çmimet. Përgjatë këtij muaji, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, pasi edhe kërkesa është përmirësuar, sidomos nga Kina, që është importuesi më i madh i naftës në botë.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 57.8 dollarë për fuçi, në rritje me 2.5%, krahasuar me ditën e premte. Ndërsa, nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 51.8 dollarëve për fuçi.

Forcat irakene të sigurisë kanë rimarrë pjesën më të madhe të qytetit, Kirkuk, në përgjigje të referendumit për pavarësi të Kurdistanit. Gjithashtu, ka pasur raportime se, kurdët kanë mbyllur tubacionet për rreth 350 mijë fuçi në ditë.

Analistët shprehen se, rreth 500 mijë fuçi në ditë, që prodhohen në rajonin e Kirkukut, janë në rrezik. Përshkallëzimit të këtij konflikti, i shtohet edhe tensioni politik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Të premten e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, refuzoi të certifikojë angazhimin e Iranit në marrëveshjen bërthamore të arritur në vitin 2015, duke i lënë 60 ditë kohë Kongresit, që të vendosë mbi hapat e tjerë që do të ndërmerren ndaj Teheranit zyrtar.

Gjatë periudhës së sanksioneve ndaj Iranit, tregut, sidomos atij europian, i munguan rreth 1 milionë fuçi në ditë.

Scan Tv,  18.10.2017