Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurum, hapet procedura e falimentit

Prodhuesi i çelikut Kurum, një prej kompanive më të mëdha në vend, e cila shpalli falimentin më shumë se një vit më parë, do të nisë me dyert të hapura në Gjykatë, hapjen e procedurës së falimentit.

Sipas njoftimit të bërë publik nga faqja e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Kurum ka kërkuar caktimin e një administratori të përkohshëm të falimentimit, si dhe marrjen e vendimit për vetadministrim.  Në njoftim listohen edhe kreditorët, të cilët, zyrtarisht, u bënë me dije që në prill të këtij viti.

Janë rreth 230 milionë euro borxhe që kompania Kurum, u ka të tretëve, kryesisht banka vendase dhe të huaja. Rreth 18% e kësaj shume, apo 42 milionë euro, është kredi e marrë në bankat shqiptare dhe rreth 600 mijë euro ndaj furnitorëve në Shqipëri. Pjesa tjetër është hua e marrë në bankat ndërkombëtare (IFC dhe Banka e Detit të Zi dhe bankat turke). Janë rreth 27 subjekte që u është njohur pretendimi, ndërsa është përjashtuar nga kjo e drejtë për shumën e rreth 149 milionë lekëve, IFC-ja. Kreditori më i madh është Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) me 55 milionë euro, por kjo kredi është e siguruar.
Më pas vjen Banka e Detit të Zi, me 30.5 milionë euro, edhe këto të siguruara. Nga bankat vendase, kreditori më i madh është Raiffeisen, me 21 milionë euro, nga të cilat vetëm 5.2 mln euro janë të siguruara.
I dyti është Banka Kombëtare Tregtare, ndaj të cilit Kurum ka një hua të pashlyer prej rreth 10.2 milionë eurosh, gjysma e së cilës është e siguruar.
Më pas janë Societe Generale me 5 milionë euro, NBG me 3.6 milionë euro dhe Pro Credit me 500 mijë euro.

Kurum shpalli falimentin për qëllim ristrukturimi në shkurt të vitit 2016. Vlerësohet që kompania ka mbi 300 milionë dollarë detyrime, gjysma e të cilit është ndaj bankave dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Arsyet që e çuan Kurum drejt falimentit janë të shumta. Më herët Monitor ka zbardhur të gjithë skemën e detyrimeve që ka kjo kompania.
Kompania rezulton me një levë të lartë financiare, me raportin detyrime/kapital i vet që ishte 3.8 në fund të vitit 2014 (çka nënkupton se detyrimet janë gati 4 herë më të larta se mjetet e veta), ndërkohë që një raport maksimal i levës ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm, është 1.5.
Blerja e hidrocentraleve tërësisht me kredinë prej 106 milionë eurosh ka shtuar dukshëm barrën e borxheve të Kurum.
Ajo u zhyt në një krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në kahun tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve.
Rënia e çmimeve të hekurit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrja e kërkesës së brendshme si rrjedhojë e krizës së ndërtimit duket se i ka dhënë goditjen përfundimtare kompanisë. Në bilancin e 2014-s, Kurum konstaton se sektori i ndërtimeve, me të cilin Kurum e ka të lidhur ngushtësisht aktivitetin, ka rënë për dy arsye, se pari shteti ka pezulluar lejet e ndërtimit dhe së dyti ka rënë shitja e apartamenteve.
Efektet e krizës globale financiare kanë vijuar të kenë ndikim të rëndësishëm në likuiditetet e kompanisë. “Kohëzgjatja e krizës dhe rritja e vonuar e industrive dhe sektori bankar mund të shkaktojë një reduktim në para të gatshme nga operacionet, disponueshmërinë e kredisë, një rritje të kostove dhe një vonesë në kohën apo zvogëlimin e shpenzimeve kapitale të planifikuara”, thuhet në bilanc.
Kompania ka qenë ndërkohë në fokusin e autoriteteve për mosrespektim të standardeve mjedisore, që e detyruan Ministrinë e Mjedisit të bllokonte aktivitetin e Kurum në maj të vitit 2015.

Ndërsa në gusht të vitit të shkuar, vetë kompania bëri me dije arsyet e falimentit. Sipas njoftimit, nga ana e shoqërisë konstatohet se në muajt në vijim te 2016 të mos ketë aftësi paguese për shlyerjen në kohë të detyrimeve. Mungesa e aftësisë paguese është evidentuar në muajt e fundit të vitit 2015, kur shoqëria ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin e saj.

Revista Monitor,  17.10.2017