Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca mbyll hetimin për gazin e lëngshëm

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar në treg për produktin gaz i lëngshëm, për konsumin familjar dhe për bizneset. Bëhet fjalë për të gjitha segmentet e tregut të ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm.

Ky vendim me nr. 476, datë 05.10.2017 është marrë nga Komisioni i Konkurrencës, i cili është bërë publik sot me botimin në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës. Vendimi, përveç njoftimit për mbylljen e hetimit, ka në përmbajte edhe rekomandimet për operatorët që do të veprojnë në treg.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi që të monitorojë tregun e ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes për një periudhë 1 (një) vjeçare, duke filluar nga data 16 Tetor 2016.

“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 5 tetor 2017, me vendimin nr. 476, datë 05.10.2017 vendosi që të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar në këtë treg për produktin gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, si dhe të japë rekomandimet e mëposhtme:

  1. Operatorit Shtetëror të Autorizuar, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave për të hartuar dhe miratuar një metodologji për rregullimin e tregut, që të përcaktojë në mënyrë të qartë rolin, funksionet dhe mënyrën e funksionimit të çdo operatori që vepron në këtë treg.
  2. Risjelljen në vëmendje të zbatimit të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 390, datë 22.12.2015.
  3. Subjektet e mësipërme duhet të njoftojnë pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi zbatimin e rekomandimeve brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Scan Tv,  12.10.2017