Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OPEC: Tregu po ribalancohet me shpejtësi

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pas deklaratës së OPEC, se tregu po ribalancohet.

Çmimet e naftës janë mbështetur edhe nga mos rifillimi i punës me kapacitet të plotë në rafineritë e Gjirit të Meksikës, për shkak të uraganit Nate.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 50 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës është ngjitur sërish përmbi 56 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, çmimet janë mbështetur nga komentet e Organizatës së Vendeve Prodhuese të Naftës, që deklaroi se, tregu po ribalancohet më shpejt se vlerësimet paraprake.

“Ka shenja të qarta se tregu po ribalancohet”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OPEC, Mohammad Barkindo për Reuters.

“Procesi i uljes së rezervave globale të naftës po vazhdon, ndërsa në anën tjetër, kërkesa po rritet”,shtoi ai. OPEC dhe vendet e tjera prodhuese të naftës janë angazhuar që të ulin prodhimin e naftës me 1.8 milionë fuçi në ditë, deri në mars të vitit të ardhshëm.

Por, në ditët e fundit janë shtuar spekulimet se, kjo marrëveshje mund të shtyhet përtej këtij afati. Ndërkohë, banka JP Morgan shprehet se, tensionet politike, sidomos mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dh Iranit, mund të mbështesin çmimet.

Në terma afatshkurtër, çmimet kanë gjetur një mbështetje edhe nga dëmtimi i prodhimit në Gjirin e Meksikës, për shkak të uraganit Nate. 85% e prodhimit në këtë zonë, ose 1.49 milionë fuçi në ditë, po i mungojë tregut, pasi rafineritë nuk kanë rifilluar punën me kapacitet të plotë.

Scan Tv,  11.10.2017