Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si Italia po shfrytëzon gatimin për ta kthyer në karburant

Çdo javë me dhjetëra kontenierë të kompanive të karburanteve bëjnë xhiron e qindra restorantëve në të gjithë Romën, për të marrë se çfarë ka mbetur në tiganin e skuqjes.

Vaji i mbetur nga këto restorante dërgohet në një pikë grumbullimi jashtë kryeqytetit dhe më pas shkon në një rafineri të operuar nga Eni SpA, gjigandi italian i gazit dhe naftës, për t’u shndërruar në karburant.

Edhe pse biokarburantet përbëjnë më pak se 1% të outputit të energjisë, është një treg në rritje. Nxitur edhe nga synimet e Bashkimit Europian për energji të rinovueshme, qeveria italiane po nxit prodhuesit falë incentivave financiare.

Kështu, si rezultat i kësaj janë rreth 100 mijë restorante në të gjithë vendin që riciklojnë yndyrnat. Por nëse Italia kërkon të arrijë planin e prodhimit, duhet të bindë edhe shtëpitë të bëjnë të njëjtën gjë.

Italia është një shtet ku përdoren shumë vajra bimorë për të gatuar, të cilët nëse do të ricikloheshin do të reduktonin të korrurat e nevojshme për të bërë biokarburante dhe do të shkurtonte volumin e mbetjeve që bllokojnë kanalizimet.

Vetëm biorafineria e Eni në Venecia mund të procesojë 360 mijë ton në vit vaj vegjetal dhe yndyrna të tjera. Në vitin 2020 planifikohet një përmirësim i këtij impianti, duke e çuar kapacitetin e përpunimit në 600 mijë ton, çka përkthehet në 420 mijë ton biokarburant.

Kjo do të ishte një rritje mjaft e madhe, nëse e krahasojmë me prodhimin e vitit 2015, i cili në të gjithë Italinë ishte 575 mijë ton.

Struktura e cila mbledh nën vete kompanitë që grumbullojnë vajin, thotë se 70 mijë ton vaj i përdorur arrin çdo vit në pikat e përpunimit, por përsëri shumica vjen nga restorantet. Nëse do të bindeshin edhe shtëpitë, kjo do të arrinte në 200 mijë ton.

Ndër vendet e eurozonës, Italia është vendi i dytë pas Greqisë që konsumon më tepër vajra dhe yndyrna në dietën ushqimore. Duke qenë se edhe vendi i tretë e i katërt në këtë renditje janë po nga Mesdheu: Qipro dhe Malta, bazuar në të dhënat botërore për konsumin, edhe Shqipëria ka një potencial të madh për prodhimin e biokarburanteve, nëse do të përfshinte shtëpitë në program.

Scan Tv,  10.10.2017