info@energjia.al

Të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e stafit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të bëjnë një aplikim pranë portalit të punësimit online pranë këtij institucionit.

Duke klikuar këtu, ju mund të verifikoni në kohë reale pozicionet e lira të punës dhe afatet e aplikimit. Vendet e lira të punës i takojnë zakonisht profesionit të elektricistit/teknikut të mesëm, inxhinierit elektrik në transportin dhe shpërndarjen e energjisë, si edhe profesione të tjera si specialist prokurimi ose jurist.

OSHEE shprehet se informacioni, i dhënë nga qytetarët duke u regjistruar dhe aplikuar online për t‘u punësuar, do të përdoret nga OSHEE Sh.A. për të vlerësuar aplikimin për punësim dhe për të mbështetur çdo marrëdhënie të mëtejshme mes individit dhe OSHEE.

Pavarësisht se aktualisht nuk listohen pozicione të lira, ju mund të plotësoniduke klikuar këtu gjeneralitetet e kërkuara së bashku me CV, në mënyrë që të shprehni interesin tuaj për punësim. OSHEE do të ruajë informacionin tuaj deri në një vit pas përditësimit të fundit dhe mund ta përdorë atë edhe për vlerësimin e kandidaturës tuaj për pozicione të tjera punësimi brenda kompanisë.

Scan Tv,  10.10.2017

Shfuqizimi i Planit të Energjisë së Pastër të hartuar nga administrata e ish-presidentit Barak Obama për të frenuar emetimet e gazeve serrë do të ndodhë zyrtarisht të martën, njoftoi Scott Pruitt, kreu i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit.

Një kopje e planit që ka rrjedhur në media tregon se Pruitt do ta shfuqizojë planin duke cituar arsye të “tejkalimit të autoritetit ligjor të agjencisë”.

Plani i administratës Obama i publikuar në tetor 2015, u kërkonte centraleve me qymyr që të reduktonin emetimet e dyoksidit të karbonit me 32 për qind deri në vitin 2030.

Në mars të këtij viti, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që i kërkonte agjencisë “pezullimin, rishikimin ose anulimin” e planit të administratës Obama.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2017

Në listën e prioriteteve për investime nga KEDS përfshihet edhe zona e Skenderajt. Në fshatin Makermal të këtij qyteti sapo ka përfunduar projekti për përmirësimin e rrjetit energjetik nga KEDS-i.

Janë 130 familje që po gëzojnë këto përfitime nga ky investim.

Për realizimin e këtij projekti, KEDS këtu ka vendosur 154 shtylla të tensionit të ulët, 27 shtylla të tensionit të mesëm dhe gjithashtu janë shpërndarë 11.9 km rrejt të tensionit të ulët dhe 11,5 km rrjet të tensionit të mesëm.

Nuredin Xhinovci 76 –vjeçar nga ky fshat, shprehet i entuziazmuar për ndryshimet në përmirësimet energjetike në fshat dhe largimin e rrezikut që e kanë pasur brenda oborrit të shtëpisë.

“Rrezikun e kena pasur tepër të madh, trafon e kena pas në oborr që nga vitin 1971, është dashur me deviju murin për me ia bë vendin trafos.  Veç 20 cm afër shpisë i kena pas telat e tensionit të naltë. Gjithë jena tut mos po na ndodhë naj e keqe. Me ardhjen e KEDS-it na u ka largu edhe frika, na kanë largu  trafon prej oborrit. Na kanë vnu një trafo tjetër të re në rrugën jashtë. Na kanë shpëtu se jena kon në rrezik. Tash jemi shumë të kënaqur me KEDS-in dhe rrymën e kemi shumë stabile. Pa dritë s’ka jetë”,  shprehet i kënaqur, Xhinovci.

Në Makermal projekti ka përfshirë dy lagje. Në lagjen Guxhuli janë ndërruar të gjitha shtyllat e vjetra dhe janë vendosur krejtësisht të reja dhe me kabllo të izoluar, ku është evituar rreziku përgjithmonë. Kurse në lagjen Xhinovci është vendosur një trafo e re si dhe janë ndërruar të gjitha shtyllat që kanë qenë me përçues të zhveshur dhe të rrezikshëm për banorët e asaj lagje, dhe tani janë vendosur shtylla te reja me kabllo te izoluar (bistekë), ku është përmirësuar dukshëm tensioni.

KEDS po vazhdon projektin e investimeve nëpër të gjithë territorin e Kosovës në kuadër të Planit Zhvillimor, duke pasur prioritet  lokacionet me rënie të tensionit.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2017

Sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit me Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).

Qëllimi i këtij Memorandumi është përcaktimi i kushteve dhe mënyrës së bashkëpunimit lidhur me furnizim me energji elektrike për nevoja të KQZ-së, gjatë procesit të Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit 2017.

Nënshkrimi i Memorandumit do të bëhet nga Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe Drejtori i Përgjithshëm i KEDS SH. A, George Karagutoff.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2017

Çdo javë me dhjetëra kontenierë të kompanive të karburanteve bëjnë xhiron e qindra restorantëve në të gjithë Romën, për të marrë se çfarë ka mbetur në tiganin e skuqjes.

Vaji i mbetur nga këto restorante dërgohet në një pikë grumbullimi jashtë kryeqytetit dhe më pas shkon në një rafineri të operuar nga Eni SpA, gjigandi italian i gazit dhe naftës, për t’u shndërruar në karburant.

Edhe pse biokarburantet përbëjnë më pak se 1% të outputit të energjisë, është një treg në rritje. Nxitur edhe nga synimet e Bashkimit Europian për energji të rinovueshme, qeveria italiane po nxit prodhuesit falë incentivave financiare.

Kështu, si rezultat i kësaj janë rreth 100 mijë restorante në të gjithë vendin që riciklojnë yndyrnat. Por nëse Italia kërkon të arrijë planin e prodhimit, duhet të bindë edhe shtëpitë të bëjnë të njëjtën gjë.

Italia është një shtet ku përdoren shumë vajra bimorë për të gatuar, të cilët nëse do të ricikloheshin do të reduktonin të korrurat e nevojshme për të bërë biokarburante dhe do të shkurtonte volumin e mbetjeve që bllokojnë kanalizimet.

Vetëm biorafineria e Eni në Venecia mund të procesojë 360 mijë ton në vit vaj vegjetal dhe yndyrna të tjera. Në vitin 2020 planifikohet një përmirësim i këtij impianti, duke e çuar kapacitetin e përpunimit në 600 mijë ton, çka përkthehet në 420 mijë ton biokarburant.

Kjo do të ishte një rritje mjaft e madhe, nëse e krahasojmë me prodhimin e vitit 2015, i cili në të gjithë Italinë ishte 575 mijë ton.

Struktura e cila mbledh nën vete kompanitë që grumbullojnë vajin, thotë se 70 mijë ton vaj i përdorur arrin çdo vit në pikat e përpunimit, por përsëri shumica vjen nga restorantet. Nëse do të bindeshin edhe shtëpitë, kjo do të arrinte në 200 mijë ton.

Ndër vendet e eurozonës, Italia është vendi i dytë pas Greqisë që konsumon më tepër vajra dhe yndyrna në dietën ushqimore. Duke qenë se edhe vendi i tretë e i katërt në këtë renditje janë po nga Mesdheu: Qipro dhe Malta, bazuar në të dhënat botërore për konsumin, edhe Shqipëria ka një potencial të madh për prodhimin e biokarburanteve, nëse do të përfshinte shtëpitë në program.

Scan Tv,  10.10.2017