info@energjia.al

Çmimet e naftës janë stabilizuar në sesionin e sotëm, të mbështetur nga komentet se OPEC dhe prodhuesit e tjerë, do të ndërmarrin veprime të tjera për të balancuar tregun. Ndërkohë, platformat e prodhimit të naftës në Gjirin e Meksikës rifilluan aktivitetin, pasi uragani Nate, mbylli rreth 90% të aktivitetit në këtë zonë.

Për shkak të informacioneve kontradiktore, analistët shprehet se, nafta po përpiqet të gjejë drejtimin. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, do të takohet në Vjenë më 30 nëntor, për të përcaktuar politikat e prodhimit në të ardhmen.

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC, Mohammad Barkindo, deklaroi se, po zhvillohen diskutime për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm. Ai shtoi se, OPEC dhe vendet e tjera që janë pjesë e marrëveshjes, duhet të ndërmarrin disa masa të jashtëzakonshme, për tu siguruar që tregu do të balancohet në terma afatgjatë.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 55.2 dollarëve për fuçi, ndërsa javën e kaluar ra me 3.3%, humbjet më të mëdha javore që nga qershori i vitit 2016. Ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 49.2 dollarëve për fuçi. Analistët shprehen se, besimi në tregun e naftës vazhdon të jetë i fortë, dhe pritshmëritë janë për një tendencë në rritje të çmimeve.

Scan Tv,  09.10.2017

Dy punonjës të një firme në Maliq janë arrestuar duke transportuar një sasi nafte prej 280 litrash, të vjedhur nga vetë ata në firmën ku punonin.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë Julian Muçollaru 25 vjeç dhe Aleksandër Shkëmbi, 35 vjeç, ku ky i fundit është edhe autori i vjedhjes së karburantit të firmës. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Julian Muçollari ka pasur dijeni që karburanti ka qenë i vjedhur dhe e ka blerë atë nga 35- vjeçari.

Mbi dy të arrestuarit rëndon vepra penale e “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve :
• Aleksandër Shkëmbi, 35 vjeç, banues në fshatin Çiflig-Korçë dhe
• Julian Muçollari, 25 vjeç, banues në fshatin Poçestë, (të dy punonjës në një firmë private ndërtimi).
Më datë 07.10.2017, në Maliq, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Julian Muçollari, duke transportuar me mjetin e tij kamionçinë tip “Ford”, një sasi karburanti prej rreth 280 litra (naftë), e cila rezulton se është vjedhur tek firma private nga shtetasi Aleksandër Shkëmbi.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Julian Muçollari, duke patur dijeni për faktin e mësipërm, ia ka blerë sasinë e naftës shtetasit Aleksandër Shkëmbi.
Nga ana e Policisë, po kryhen hetime nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë ngjarje, si edhe po punohet për dokumentimin e plotë të saj.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 135 dhe 287/b të Kodit Penal.

Shqiptarja.com

Flet Zv.presidenti i Operacioneve dhe Prodhimit të Bankers Petroleum, Guangqing Zhang

Ritmet e investimit dhe nivelet e prodhimit të Bankers Petroleum, eksportuesit më të madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, janë ndikuar nga çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore.

Zv.presidenti i Operacioneve dhe Prodhimit të Bankers Petroleum, Guangqing Zhang pohon se çmimet në tregjet botërore janë një faktor kyç për të mundësuar rritjen për Bankers, por është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne që të kemi siguri për investimet në Shqipëri, rimbursim në kohë të TVSH-së dhe të taksave të tjera për të përmirësuar besimin e investimit të grupit të ri aksioner.

Teksa Bankers është ende në konflikt me tatimet për një vlerësim detyrimi tatimor për mosnjohje shpenzimesh prej 300 milionë dollarësh, ai shton se çështja është në Arbitrazh Ndërkombëtar dhe vendimi i arbitrazhit do të ndikojë në planin e investimeve të kompanisë.

Si ka qenë ecuria e kompanisë në 2016 dhe gjatë 2017?

Bankers ka kaluar në një proces të shitjes së pronësisë në vitin 2016, ku aksionet publike kanadeze në Bursën e Torontos u blenë nga një grup kinez, Geo Jade Petroleum, që është e regjistruar në Bursën e Shangait. Ecuria e përgjithshme e aseteve të Bankers në Shqipëri, më së shumti fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës, ka qenë e qëndrueshme, por ritmi i investimit tonë dhe nivelet e prodhimit janë ndikuar nga çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore. Ne i kemi reduktuar investimet tona kapitale për të ruajtur një program të balancuar brenda cash-flow (parave të lira) që kemi në dispozicion si rezultat i veprimtarisë në vendburim.

Viti 2016 ka qenë shumë i vështirë, sepse për një periudhë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë nën 30 dollarë/fuçi, ndërkohë që pjesën më të madhe të vitit kanë qenë nën 50 dollarë/fuçi, çka ka prekur të ardhurat tona. Viti 2017 ka qenë më i qëndrueshëm, rreth 50 dollarë/fuçi, por ende ky çmim është i ulët për të garantuar rritjen e prodhimit të naftës bruto shumë të rëndë siç është ajo e Patos-Marinzës.

Vitin e kaluar, ju keni qenë në një mosmarrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një vlerësim detyrimi tatimor prej 300 milionë dollarësh. Mund të na informoni mbi të rejat e fundit mbi këtë çështje?

Në lidhje me këtë mosmarrëveshje, palët iu drejtuan vlerësimit të ekspertëve të pavarur, ashtu siç e parashikojnë edhe Marrëveshja Hidrokarbure dhe Licencë-Marrëveshja që administron veprimtarinë e Bankers në vendburimin e Patos-Marinzës. Raporti i ekspertëve që u krye nga PWC (Pricewaterhouse Coopers) ishte në favorin tonë, por pala shqiptare (AKBN) e apeloi këtë raport pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC). Ne presim që ky proces të përfundojë para këtij fundviti.

Nëse vendimi i kësaj Gjykate do të jetë në favorin e Bankers, atëherë me fitimin e Arbitrazhit, rimbursimi i taksave të vendosura në mosmarrëveshje nga Zyra e Tatimeve do të jetë shumë i rëndësishëm për Bankers për të rritur nivelet e investimit në Shqipëri. Ne jemi të fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje me qeverinë për të bërë efektiv rimbursimin e vlerës së këtyre taksave në të mirë të të gjitha palëve të interesit, duke përfshirë punonjësit vendas, komunitetet rreth operacioneve tona, ofruesit e shërbimeve lokale dhe rafineritë vendase.

Çfarë ka ndryshuar në Bankers pasi u ble nga Geo Jade? Cilat janë planet e investimit të kompanisë kineze në Shqipëri?

Mënyra sesi ne operojmë në biznesin tonë në Shqipëri nuk ka ndryshuar shumë si pasojë e transferimit të pronësisë. Ne kemi një ekip shumë konkurrues dhe me eficencë të lartë që do të përmirësohet me mbështetjen e grupit tonë të ri të pronarëve dhe do të na mundësojë rritjen e mëtejshme në Shqipëri. Planet tona të investimit në Shqipëri po zbatohen aktualisht dhe në thelb është një program i balancuar, ku pjesa më e madhe e cash flow e gjeneruar nga operacionet tona në Shqipëri, do të investohet po këtu. Çmimet në tregjet botërore janë një faktor kyç për të mundësuar rritjen për Bankers, por është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne që të kemi siguri për investimet tona në Shqipëri, rimbursim në kohë të TVSH-së dhe të taksave të tjera për të përmirësuar besimin e investimit të grupit të ri aksioner dhe për të përmirësuar kthimin e investimit për asetin shqiptar krahasuar me asetet e tjera ndërkombëtare të Geo Jade.

Gjatë vitit të kaluar, çmimet e naftës kanë qenë të ulëta. Si ka ndikuar kjo tek kompania, planet e saj të investimit dhe të fitimit?

Çmimet e naftës kanë ndikim të madh në operacionet tona në një kohë kur ne kemi një plan të balancuar investimi që bazohet tek cash-flow ynë. Ne kishim një program të madh kapital në vitet 2013 dhe 2014 dhe kemi investuar mbi 2 miliardë dollarë përgjatë 2004-2017. Potenciali i Patos-Marinzës është i mirë, por nafta e rëndë e papërpunuar nuk ka kthim të madh të investimit kur çmimet janë të ulëta. Ne po testojmë teknologji të reja, të tilla si teknikat termale për të nxehur naftën e rëndë për të përmirësuar lëvizshmërinë e naftës.

Ky mund të jetë niveli i ri i rritjes së prodhimit nga Patos-Marinza, por mund të realizohet vetëm me investime të rëndësishme që mundësohen nga bashkëpunimi me qeverinë dhe rritja e çmimeve të tregjeve ndërkombëtare. Potenciali i së ardhmes është i mirë, por ne na nevojiten disa gjëra para se të jemi të aftë të realizojmë këtë rritje.

Revista Monitor,  09.10.2017

Në treg është rikthyer sërish shqetësimi për mbifurnizmin e tregut.

Investitorët janë të shqetësuar edhe për stuhinë tropikale, “Nate”, që mund të dëmtojë prodhimin e naftës në Gjirin e Meksikës. Gjithsesi, kjo stuhi pritet të godasë këtë zonë në ditën e hënë.

Nafta Brent e Londrës ka rënë sërish poshtë 57 dollarëve për fuçi, në sesionin e sotëm, ndërsa për të gjithë javën ka humbur rreth 1% të vlerës. Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 50.3 dollarëve për fuçi, ndërsa gjatë kësaj jave ka rënë me rreth 2%.

Në Gjirin e Meksikës, BP dhe Chevron kanë ndaluar prodhimin në të gjitha platformat, ndërsa Royal Dutch Shell dhe Anadarko Petroleum kanë pezulluar një pjesë të aktivitetit. Exxon Mobil, Statoil dhe prodhuesit e tjerë kanë tërhequr personelin nga kjo zonë.

Mundësitë që OPEC dhe vendet e tjera, me në krye Rusinë, të shtynin marrëveshjen e uljes së prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm, mbështetën çmimet në sesionin e fundit.

Por, ministri i energjisë i Arabisë Saudite tha se, ishte fleksibël mbi sugjerimin e Rusisë për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit.

Scan Tv,  09.10.2017

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës Damian Gjiknuri ka paraqitur në Asmablenë Kombëtare të Partisë Socialiste 5 shtyllat në kuadër të planit të 100 ditëve të para të punës. Brenda Këtyre katër viteve , Gjiknuri paralajmëroi se do të bëhen investime në energjitikë dhe në shumë akse rrugore, raporton portali “SCAN”.

  1. Siguria rrugore

Gjiknuri tha se siguria rrugore do të jetë prioriteti kryesor dhe në mbështetje të saj ka nisur edhe operacioni për heqjen e çdo strukturën apo tabele e cila rrezikon jetën e njerëzve. Sipas tij, investimet e tjera do të përfshijnë gjithashtu ndriçimin dhe sinjalistikën rrugore.

  1. Shërmbimet e transportit

Ministri Gjiknuri paralajmëroi se do të nisë një reformë e thellë ku do të përqëndrohe kryesisht në elementë të licencimit, linjave ndër urbane dhe ndërqytetëse.

  1. Infrastruktura rrugore

Duke theksuar problematikat infrastrukturore me të cilat qytetarët po përballen, Gjiknuri dha lajmin  e mirë për tenderët që do të hapen për By pasin e Fierit dhe të Vlorës. Po ashtu, ai shtoi më tej se do të përfundojë lidhja e kontratës për fituesin e Rrugës së Arbrit, duke bërë të mundur realizimin e këtij projekti madhor. Përveç këtyre, Unaza e Teg-ut do të mund të lidhet me pjesën tjetër të unazës e cila ka përfunduar.

  1. Projektet prioritare për ndërtimin e rrugëve në 4 vitet e ardhshme

Për sa u përket akseve në të cilat do të investohet në këto 4 vite, Gjiknuri tha në fjalën e tij se prioritare do të jenë akset kryesore kombëtare : Thuman, Kashar, Rrogozhinë. Poashtu, do të bëhet një shkurtim i distancave që lidh Tiranën me Vlorën dhe jugun e Shqipërisë.

Lidhur me burimet financiare të cilat do të mund të përdoren për realizimin e këtyre projekteve, ai tha se do të fillimisht do të mbështetemi te buxheti që shteti ka në dispozicion dhe po ashtu te partneriteti publik dhe privat.

  1. Sektori elektroenergjitik

Prioritet në sektorin energjetik do të jetë siguria e furnizimit, e cila sipas Gjiknurit duhet parë në dy drejtime.

  1. Në drejtimin e diversifikimit ku do të bëhet i mundur modeli i Teci-t të Vlorës për të gjetur partnerë privatë.
  2. Diversiteti në fusha të tjera të energjitikës.

Gjithashtu, shtoi se do të bëhen investime në stacionin e Orikumit, Vlorës, në të gjtihë jugun. Për sa i përket unazës së Tiranës, do të lidhet kontrata në këto 100 ditë për të vazhduar me furnizim të energjisë, pavarësisht kushteve të vështira.

Scan Tv,  07.10.2017

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit.

Cilësia e dobët e derivateve të naftës, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës.

Janë udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ata që flasin për mungesën e kontrollit, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vërë rregull në këtë sektor.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se parregullsitë në këtë sektor, janë të pranishme. Por, sipas tij, me shtimin e kontrollit dhe garantimit të cilësisë do të mund të rregullohej edhe sasia e importit që hyn në Kosovë.

“Unë nuk mund të them se si dhe nga hyn nafta në Kosovë, por kontrabanda me këtë produkt në pjesën veriore, është më e vogël se vitet e kaluara”.

“Konsideroj se me një shtrëngim më të madh gjatë importit dhe verifikimit të sasisë dhe cilësisë, do të ndikohet në shmangien e evazionit fiskal. Evazioni fiskal mund të zbritet edhe më tepër nëse vendoset që në të gjitha kompanitë e derivateve të naftës të instalohen arkat speciale fiskale”, thotë Berjani.

Debatet rreth kontrollit të tregut të naftës janë hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke qenë si një prej sektorëve më fitimprurës, janë vetë partitë politike ato që akuzojnë njëra-tjetrën për kontrollin e këtij tregu dhe parregullsitë e vëna.

Një diskutim i ashpër rreth kësaj teme është zhvilluar ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pyetur ish- ministren e Tregtisë dhe Industrisë,Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kush e kontrollon hyrjen e naftës në Kosovë.

“Rreth naftës që hyn në Kosovë, asnjë ministër nuk ka mundur të tregojë sa evazion fiskal ka Kosova përmes kontrabandës në Kosovë”, është shprehur Haliti.

Ai ka thënë se ministrat e deritashëm, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, do të duhej të jepnin përgjegjësi për këto paqartësi.

Në vend të përgjigjes, Hykmete Bajrami kishte konstatuar se kontrollimin e naftësnë Kosovë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Haliti.

“Njerëzit tuaj i kanë udhëhequr doganat me vite dhe ju e dini se kush ka bërë kontrabandë dhe në xhepat e kujt kanë rrjedhë paratë nga kontrabanda”, ka deklaruar Bajrami.

Ndryshe, që nga viti i kaluar, me një vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompetencat për inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës janë bartur te Doganat e Kosovës.

Për të rregulluar sektorin e naftës, Fadil Berjani kërkon nga Qeveria e Kosovës që të miratojë Ligjin e ri për karburantin e naftës.

“Jemi shteti i vetëm në botë që paguajmë licencë për çdo dy vjet. Ka shumë kritere të rëndësishme që mund të rregullohen me ligj. Jemi shteti më i vogël për kokë banori, por shteti më i madh me pika karburanti”, thotë Berjani.

Aktualisht, Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në vend, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 650 milionë litra është sasia e karburanteve të naftës që brenda një viti hyjnë në Kosovë.

Tema,  08.10.2017