Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP drejt fundit, mbyllet mbi 75% e punimeve

Konsorciumi i gazsjellësit Trans-Adriatik njoftoi se, në Shqipëri dhe Greqi ka përfunduar më shumë se 75% e volumit të punës. Mesa duket, në dy vendet punimet po ecin me ritme te përshpejtuara, duke sinjalizuar se, projekti do të përfundojë brenda afateve të parashikuara, pra, brenda vitit 2020.

Ndër të tjera, në Shqipëri dhe Greqi shtrihet edhe pjesa dërrmuese e projektit, mbi 80%, ndërkohë që pa filluar mbetet vetëm pjesa nënujore në shtratin e Adriatikut, ku do të bëhet edhe lidhja me tubacione mes Shqipërisë dhe Italisë.

Por, fakti që “TAP” po përfundon, nuk është domosdoshmërisht një lajm i mirë, sidomos për kuadrin makroekonomik. Të dhënat e fundit sugjerojnë se, deri më tani gazsjellësi ka investuar rreth 1.2 miliardë euro në vendin tonë, çka do të thotë se, nga totali i investimit mbeten vetëm 300 milionë euro në tre vite.

Investimet e Tap prekën kulmin gjatë këtij viti me një total prej rreth 500 milionë euro, ose një e treta e totalit. Së fundmi, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi për rënien e investimeve të huaja në vendin tonë gjatë viteve në vijim, kryesisht si pasojë e tkurrjes së investimeve në sektorin energjetik, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zbehjes së investimeve nga TAP.

Ky nuk ishte as paralajmërimi i parë e as i fundit. Gjatë vitit, edhe Banka Botërore si dhe Komisioni Europian, por edhe Fondi Monetar në raportet e kaluara kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare se, stoku i investimeve të huaja do të bjerë.

Diçka e tillë do të reflektohet edhe në termat e rritjes ekonomike. Gjatë vitit të ardhshëm, rritja projektohet më e ulët se viti aktual.

Scan Tv,  05.10.2017