Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS dërgon 10 studentë në Turqi për specializim

Edhe këtë vit, si tri vitet e mëparshme, 10 studentë të përzgjedhur të KEDS Academy IV udhëtuan për disa ditë vizitë në Stamboll të Turqisë.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte njohja nga afër e kompanive prestigjioze Çalik Holding dhe Limak Energy dhe në Universitetin Boğaziçi.

Prezenca dhe marrja e njohurive gjatë kësaj vizite, do t’iu ndihmojë atyre që të kenë një ndërlidhje të suksesshme me tregun e punës.

Ekipit nga Kosova në Çalik Holding, mirëseardhje i uroi z. Ridvan Aktürk, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë YEDAŞ. Aty studentët u njohën me historinë, të arriturat dhe sfidat e kompanisë, si dhe shtrirjen e rrjetit të bizneseve të ndryshme nëpër botë. Një bisedë interaktive pati mes studentëve dhe përfaqësuesit të kompanisë Çalik Holding.

Gjatë vizitës së tyre në Turqi, si pjesë e kurikulës së zakonshme, studentët e KEDS Academy kanë vizituar mjediset e korporatës Limak. Studentët në selinë e kësaj korporate janë mirëpritur nga zoti Serhat Dinc, zëvendësdrejtor i Limak Energy, si dhe njëri nga themeluesit e KEDS Academy.

Është viti i katërt që z.Dinc mirëpret grupet e studentëve dhe prezanton kompaninë Limak, duke treguar një gatishmëri për t’u përgjigjur në pyetjet gjithnjë kureshtare të studentëve.

“Para katër vitesh kemi pasur objektiva të qarta dhe shumë ambicioze për këtë projekt. Sot ky projekt jo vetëm që ka arritur këto objektiva, por i ka tejkaluar ato. KEDS Academy është bërë një krenari jo vetëm për kompaninë KEDS, por edhe për korporatat Limak dhe Çalik”, ka thënë zoti Dinc.

“Edukimi profesional është shumë i rëndësishëm dhe ky program besoj po ju ndihmon në rrugën tuaj drejt edukimit. Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e projektit dhe njëkohësisht e edukimit tuaj profesional,” u shpreh gjatë ceremonisë mikpritëse zDinc.

Në takim u shtruan pyetje të ndryshme nga të dyja palët, duke pasur në fokus kapacitetet energjetike të kompanisë. Studentët ishin të interesuar edhe të dinin se kush ishte ideatori i programit të KEDS Aacademy. Aylin LÖle, prezente në takim, foli për rrugëtimin dhe sukseset e projektit të KEDS Academy. Ajo falënderoi studentët duke qenë shumë krenare për ta.

“Jam shumë krenare me ju. Ju jeni e  ardhmja e Kosovës”, ka thënë LÖle.

Në Universiteti Boğaziçi, njërin ndër më të mirët në botë, studentët u ndjenë si në shtëpinë e tyre. Vizita filloi me prezantimin për universitetin dhe vazhdoi me trajnimet në fushat profesionale si dhe me vizitën e universitetit dhe kampuseve. Trajnimi ishte shumë atraktiv dhe i rëndësishëm për studentët në fushën e komunikimit, i shoqëruar edhe me muzikë dhe me video të ndryshme.

Trajnerja z.Burcu Erturk Kilic, në mënyrë praktike dhe interaktive u tregoi studentëve se sa i rëndësishëm është komunikimi, si në jetën e përditshme ashtu edhe në atë profesionale dhe biznesore. Studentët të ndarë në grupe u sfiduan me disa detyra të parashtruara nga trajnerja.

Trajnimi u përmbyll me porosinë “Mos harroni të shpërndani buzëqeshje!”

Studentët patën rastin të marrin informata në një laborator të veçantë që shërben për testimin e pajisjeve elektrike të tensionit të lartë për distribucion dhe transmision. Ky laborator është i vetmi në Turqi, dhe gjithashtu ndër laboratoret e rralla në Evropë.

Një pjesë e kohës u nda edhe për vizita të vendeve historike dhe kulturore që janë me bollëk në Stamboll.

Për nxënësin Flakron Gashi, ishte hera e parë që vizitonte Stambollin dhe emocionet ishin të pafund.

“Gjatë qëndrimit tonë në Turqi të organizuar nga KEDS, patëm përvoja si dhe kënaqësi të paharruara. Gjatë vizitave jemi njoftuar me punën dhe sukseset e kompanive Çalik e Limak dhe veprimtaritë e tyre të shtrira në Europë dhe botë. Në Universiteti Boğaziçi ne u njoftuam me programet, laboratorët, si dhe me profesorët tepër të përgatitur profesionalisht. Vizita e monumenteve historike, sidomos emocionet që përjetova në përjetimin 3D të Stambollit, do të më mbesin në mendje. Përvojat që morëm këtu ishin tepër profesionale dhe mjaft të rëndësishme për ne”, ka thënë Gashi.

Për studenten e inxhinierisë elektrike, Sidorela Dodaj, vizita në Turqi ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

“Vizita në Turqi ka qenë mbresëlënëse. I ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë tona. Vizita në kompanitë Çalik dhe Limak na ka treguar se sa shumë ata janë të kënaqur me bashkëpunimin me KEDS-in dhe ju gëzohen të gjitha arritjeve tona si studentë të KEDS Academy.

Mua si inxhiniere e ardhshme me ka lënë përshtypje mjaft të mëdha laboratori i tensionit të lartë, që ishte për siguri në punë dhe testimin e pajisjeve. Ku ligjërim i profesorit ka qenë shumë i mirë dhe na ka aftësuar mjaft në këtë drejtim, duke mos e lënë anash vizitën në Universiteti Boğaziçi dhe trajnimin që kemi mbajtur aty.

Për sa i përket vizitave kulturore që bëmë, vetëm mund të them që jemi mahnitur me bukuritë që kemi parë”, ka thënë Doda.

KEDS Academy do të vazhdojë tutje dhe së shpejti do të fillojë aplikimi për gjeneratën e pestë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  05.10.2017