Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Drejt unifikimit të tregut energjitik me Kosovën

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri në një takim me homolgun në Kosovë Valdrin Lluka ka biseduar rreth tregut të përbashkët energjetik dhe krijimit të bursës energjitike në Shqipëri.

“Një bashkëbisedim i frytshëm mes dy delegacioneve dhe që i paraprin mbledhjes së përbashkët të qeverive. Kemi një punë të mirë të nisur tashmë me Kosovën për krijimin e tregut të përbashkët energjitik. Vendosëm të riaktivizojmë grupet e punës për ecjen përpara drejt unifikimit të tregjeve. U diskutua vazhdimi i procesit të krijimit të Bursës energjitike në Shqipëri dhe gadishmëria e Kosovës për të marrë pjesë në të”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Ministri Lluka vuri theksin tek perspektiva e bursës shqiptare të energjisë dhe përfshirja e Kosovës në të.

“Diskutuam tregun e përbashkët, bursën shqiptare të energjisë, pjesë e të cilës ne shpresojmë të jemi. U angazhuam që grupet të jenë më aktive për intensifikimin e punës mes dy shteteve. Transmisioni i Kosovës do të jetë pjesë e bursës shqiptare në formë aksionari dhe grupi i punës do ti definojë më tej detajet. U dakordësuam të kemi edhe një grup kordinues në nivel politik që të ndihmojë për ecjen më shpejt të axhendës së përbashkët”, u shpreh Lluka.

Dy ministrat u angazhuan për rakordimin e mëtejshëm të veprimeve për vendosjen në funksionim të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes dy vendeve.

“Diskutuam edhe për një çështje shumë të rëndësishme që është kthyer në një problem, jo mes vendeve tona por me vende të tjera të rajonit. Po flas për vënien në funksionim të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, një investim i rëndësishëm nga vende të Bashkimit Evropian, projekt në kuadër të interkonektivitetit dhe në thelb të integrimit të vendeve tona. Shqipëria do të luajë rolin e mbështetësit për këtë projekt, do të lobojmë fort të dy vendet që në çdo forum ku të jemi tua vëmë në dukje partnerëve evropianë se vënia në punë e kësaj linje është alfa dhe omega e çdo gjëje për integrimin energjitik të dy vendeve. Do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të ngrihet në nivelet më të larta”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Në vlerësimin e ministrit Llukaj, linja e transmetimit mbetet jo aktive për shkaqe politike.

“Vjen për shkak të problemeve që ne kemi me Serbinë. Shqipëria do vazhdojë të na përkrahë në këtë drejtim. Kjo është mjaft e rëndësishme pasi si Kosovë kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi pjesë e rrjetit të transmetimit të Evropës”, sqaroi Llukaj.

Revista Monitor,  04.10.2017