Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova nënshkruan memorandumin për gaz e energji

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të iniciativës për Konektivitet me Gaz të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC)  që po mbahet në kryeqytetin e Rumanisë – Bukuresht, me ç’rast palët kanë nënshkruar edhe Memorandumin  e Mirëkuptimit që plotëson iniciativën e Konektivitetit me Gaz të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) me një Qasje të përbashkët për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme.

Ky takim i nivelit të lartë ka bërë bashkë zyrtarë të lartë BE-së, ministrat e linjës së 9 vendeve anëtare të BE-së dhe anëtarët e Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës.

Kreu i MZHE-së i ka dhënë mbështetje iniciativës për zgjerimin e rrjetit të Gazit për Evropën Qëndrore dhe Juglindore, ku përveç gazit përfshihet edhe energjia elektrike fushë kjo që e bënë Kosovën palë të rëndësishme në këtë proces.

Ministri Lluka ka rikujtuar edhe iniciativën që  Kosova të jetë pjesë e rrjetit të gazit TAP.

“Marr në konsideratë që Kosova aktualisht nuk e ka të zhvilluar sektorin e gazit për shkak se nuk jemi ende të lidhur me ndonjë rrjet të gazit, së fundi  së bashku me Shqipërinë kemi filluar një studim për të parë mundësitë e konektimit me rrjetin Tap”, tha ministri.

Kreu i MZHE-së theksoi se Kosova do t’a ndihmojë këtë proces, si pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE).

Memorandumi i Mirëkuptimit synon që t’i arrijnë objektivat e mëposhtme:

-Zhvillimi i një tregu të madh dhe më konkurrues rajonal  në Evropën Juglindore, për të shtuar sigurinë e furnizimit me energji me kosto sa më të ulët për konsumatorë;

– Zhvillimi i infrastrukturës elektroenergjetike me qëllim të integrimit të tregut rajonal;

– Siguria e furnizimit me energji elektrike, përfshi sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave;
-Arritja e caqeve obligative për Energjinë e Ripërtëritshme;

– Rritja e efiçiencë së energjisë si vegël për të rritur sigurinë e furnizimit  dhe zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë.

Ndryshe, ky Memorandum Mirëkuptimi plotëson dokumentin mbi Qasjen e Përbashkët  në Trajtimin e sfidave të diversifikimit të gazit  natyror dhe sigurisë së furnizimit, si pjesë e nismës së Konektiviteteit të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) të datës 10 korrik 2015.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  03.10.2017