info@energjia.al

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të iniciativës për Konektivitet me Gaz të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC)  që po mbahet në kryeqytetin e Rumanisë – Bukuresht, me ç’rast palët kanë nënshkruar edhe Memorandumin  e Mirëkuptimit që plotëson iniciativën e Konektivitetit me Gaz të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) me një Qasje të përbashkët për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme.

Ky takim i nivelit të lartë ka bërë bashkë zyrtarë të lartë BE-së, ministrat e linjës së 9 vendeve anëtare të BE-së dhe anëtarët e Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë edhe Republika e Kosovës.

Kreu i MZHE-së i ka dhënë mbështetje iniciativës për zgjerimin e rrjetit të Gazit për Evropën Qëndrore dhe Juglindore, ku përveç gazit përfshihet edhe energjia elektrike fushë kjo që e bënë Kosovën palë të rëndësishme në këtë proces.

Ministri Lluka ka rikujtuar edhe iniciativën që  Kosova të jetë pjesë e rrjetit të gazit TAP.

“Marr në konsideratë që Kosova aktualisht nuk e ka të zhvilluar sektorin e gazit për shkak se nuk jemi ende të lidhur me ndonjë rrjet të gazit, së fundi  së bashku me Shqipërinë kemi filluar një studim për të parë mundësitë e konektimit me rrjetin Tap”, tha ministri.

Kreu i MZHE-së theksoi se Kosova do t’a ndihmojë këtë proces, si pjesë e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE).

Memorandumi i Mirëkuptimit synon që t’i arrijnë objektivat e mëposhtme:

-Zhvillimi i një tregu të madh dhe më konkurrues rajonal  në Evropën Juglindore, për të shtuar sigurinë e furnizimit me energji me kosto sa më të ulët për konsumatorë;

- Zhvillimi i infrastrukturës elektroenergjetike me qëllim të integrimit të tregut rajonal;

- Siguria e furnizimit me energji elektrike, përfshi sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave;
-Arritja e caqeve obligative për Energjinë e Ripërtëritshme;

- Rritja e efiçiencë së energjisë si vegël për të rritur sigurinë e furnizimit  dhe zvogëlimin e emetimit të gazrave serrë.

Ndryshe, ky Memorandum Mirëkuptimi plotëson dokumentin mbi Qasjen e Përbashkët  në Trajtimin e sfidave të diversifikimit të gazit  natyror dhe sigurisë së furnizimit, si pjesë e nismës së Konektiviteteit të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC) të datës 10 korrik 2015.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  03.10.2017

Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e kësaj të marte në një banesë në Kurbin të Lezhës, ku për pasojë ka mbetur e plagosur një prej banorëve të shtëpisë.

Sipas të dhënave të fundit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:40. Nga shpërthimi i bombolës, e vendosur në ballkonin e shtëpisë, ka mbetur e plagosur shtetasja me inicialet M.G.

Pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Lezhës, 24-vjeçarja është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Top Channel,  03.10.2017

Ekonomia e Arabisë Saudite ka treguar tkurrje në 2 tremujorë radhazi për të parën herë që prej krizës financiare globale, ndërkohë që mbretëria përballet me çmime të ulëta të naftës dhe përpjekjet e bizneseve për të përballuar reformat ekonomike.

Produkti i Brendshëm Bruto i  Mbretërisë u tkurr me 1% në tremujorin e dytë me bazë vjetore. Në fillim të 2017-ës, ekonomia regjistroi rënie me 0.5%.

Princi trashëgimtar, Mohammed Bin Salman, po përpiqet të transformojë ekonominë më të madhe arabe në një kohë kur çmimet e naftës janë në gjysmën e nivelit të vitit 2014.  Megjithatë, ndërsa autoritetet përpiqen të reduktojnë varësinë e Arabisë Saudite nga nafta, ata po udhëheqin vendet anëtare të OPEC për të ulur prodhimin dhe rritur çmimet.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se si industritë e tjera përveç naftës, po hasin vështirësi. Produkti i Brendshëm Bruto duke përjashtuar naftën, që është motori kryesor i krijimit të vendeve të punës, u rrit poshtë 1%-shit, nxitur kryesisht nga sektori qeveritar.

Ekonomia e Arabisë Saudite nuk ka treguar tkurrje për 2 tremujorë radhazi që prej vitit 2010.

Scan TV,  03.10.2017

Gjatë ditës të sotme, çmimet e naftës janë regjistruar në rënie, për të dytin sesion me radhë, si pasojë e frikës që buron nga mbingarkesa e tregut. Në këtë rubrikë ju njohim me ndryshimin e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe ju tregojmë çmimin real me shumicë, me të cilin nafta del sot nga dy portet kryesore të vendit, në varësi të tendencës së çmimeve gjatë ditës së djeshme.

Rënia e theksuar e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë sesionit të kaluar është reflektuar edhe në tregun vendas gjatë sesionit të sotëm.

Gjatë ditës së sotme, nafta me shumicë në dy portet e vendit shitet me 143.94 lekë për litër, nërënie me 1.17% në krahasim me sesionin e kaluar. Çmimi i pasqyruar është aktual dhe i referohet vetëm ditës së sotme.

Luhatjet në çmimin e shumicës, përveç çmimit me të cilin kuotohet në bursë, vijnë edhe në bazë të kostove të transportit, cilësisë së produktit të zhdoganuar, kursit të këmbimit ndërmjet dollarit dhe lekut, si dhe barrës  shtetërore, që sot fiksohet në rreth 91 lekë për litër, ose 67% e çmimit total.

Këto të dhëna i referohen çmimit përfundimtar me të cilin nafta futet në tregun me pakicë, dhe jo çmimit me të cilin shitet në pikat e karburantit.

Scan Tv,  03.10.2017

Konsorciumi për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) planifikon të investojë gjithsej 800 milionë euro në Shqipëri përgjatë viteve 2017-2018, bëri të ditur menaxheri i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo.

Në tërësi, projekti TAP pritet të sjellë një investim prej 1.5 miliardë dollarësh në Shqipëri, shprehet më tej ai, raportojnë mediat azere.
TAP është pjesë e Korridorit të Gazit Jugor, i cili është një nga projektet prioritare të energjisë për BE.

Projekti TAP parashikon transportin e gazit nga Faza e 2 e zhvillimit të gazit Shah Deniz të Azerbajxhanit , përmes Greqisë, Shqipërisë dhe daljes në Itali.

Aksionarët e TAP-it janë: BP (20 përqind), Shtetit Kompania e Azerbajxhanit (20 përqind), Snam (20 përqind), Fluxys (19 përqind), Enagas (16 përqind) dhe Axpo (5 përqind).

TAP do të jetë 878 kilometra në gjatësi (Greqia 550 km, Shqipëria 215 km, Deti Adriatik 105 km dhe Italia 8 km). Pika e saj më e lartë do të jetë 1,800 metra në malet e Shqipërisë, ndërsa pika e saj më e ulët do të jetë 820 metra nën det.

Revista Monitor,  03.10.2017

Çmimet e Energjisë Elektrike ndaj konsumatorëve të pakicës do të përcaktohen sipas një metodologjie të re që është në proces miratimi nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike.

Metodologjia e re do të marrë në konsideratë një konfigurim me të mirë te të ardhurave që OSHEE deklaron për vitin bazë të axhustimit. Kjo nënkupton që ERE do të kryejë rregullimet e tarifave duke marrë në konsideratë edhe të ardhurat e tjera, si të ardhurat nga lidhjet e reja; energjia reaktive si dhe çdo e ardhur tjetër kur kjo nuk është e pasqyruar në aplikim.

Gjithashtu ERE kur të miratojë ndryshime në tarifat e OSHEE do të shikojë me hollësi planet e investimeve se sa reale  dhe të realizueshme janë.  Nëpërmjet mekanizmit të axhustimit të ardhurave të kërkuara parashikohet që ERE të rishikojë dhe të korrigjojë tarifat, në rast se OSSH dështon në zbatimin e planit të investimeve.

Në një vendim të posaçëm të ditëve të fundit Enti sqaroi se në përmbushje të këtij detyrimi drejtoritë teknike në bashkëpunim me konsulencën e USAID kanë përgatitur draft metodologjinë e llogaritjes së tarifave të operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

ERE sqaron se, ndryshimet e propozuara mbështeten në praktikën dhe eksperiencat e deritanishme të miratimit dhe rishikimit të tarifave pa ndryshuar thelbin e metodologjisë ekzistuese, por përmban ndryshime teknike në lidhje me kërkesat për komponentët përbërës të tarifës nisur nga praktika dhe eksperienca e deritanishme.

Kjo metodologji, vendos domosdoshmërinë e alokimit të kostove të energjisë dhe kapacitetit sipas niveleve të tensionit, për të mundësuar përcaktimin e një tarife sa më të drejtë për të mundësuar aksesin e klientëve fundore në rrjetin e shpërndarjes

Kompanitë e publike të Energjisë janë në fazën e aplikimit për tarifat e reja për periudhën rregullatorë 2018. Me shumë gjasë kompania e shpërndarjes do të kërkojë rritje të çmimit për konsumatorët për shkak të vështirësisë financiare në të cilin ndodhet për shkak thatësirës së tejzgjatur.

Revista Monitor,  03.10.2017

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre për çmimin e lartë të energjisë elektrike.

Sipas tyre, me uljen e temperaturave do të rritet niveli i konsumit, rrjedhimisht edhe do të “fryhen” faturat për pagesën e energjisë elektrike.

Shumë nga qytetarët nuk kanë njohuri se gjatë këtij viti, nuk do të aplikohen tarifat sezonale të energjisë verë –dimër, siç kanë qenë në zbatim për më shumë se një dekadë.

Që nga muaji prill i këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë të Kosovës, ka marrë vendim që në Kosovë të aplikohen vetëm tarifat e ulëta dhe të larta, që nënkuptojnë tarifat e ditës dhe ato të natës.

Fetie Berisha, rreth 50 vjeç, nga Prishtina, thotë se tarifat aktuale të energjisë elektrike janë shumë të shtrenjta. Me të ardhurat familjare, thekson ajo, është vështirë të paguhen faturat.

“Çmimi është shumë i shtrenjtë. Vetëm nëse punojnë disa anëtarë të familjes mund ta përballojnë këtë çmim të energjisë, sepse katastrof është’, thekson Berisha.

Edhe Hajrë Rraci, pensionistë, vlerëson se krahasuar me pagat në Kosovë, tarifat e energjisë janë të larta.

Ndonëse me shumë rezerva, ai shpreson se me ndryshimin e strukturave dhe moslëvizjen e tarifave gjatë sezonit të dimrit, situata do jetë pak më e përballueshme.

“Për numrin më të madh të qytetarëve, çmimi është shumë i shtrenjtë e për disa ndoshta jo. Tash dimrit është edhe më shtrenjtë. Po kush u beson këtyre se nuk e rrisin çmimin. Por, nëse eventualisht nuk ndryshon tarifa verë –dimër, ndoshta do të jetë më lirë, por është vështirë tu besohet këtyre”, thotë Rraci.

Bazuar në çmimet e reja të aplikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, do të aplikohen vetëm tarifat ditore, përkatësisht tarifa e lartë dhe e ulët (ditë-natë). Për periudhën e natës, çdo kilovat i orës do të kushtojë për 0.3 cent, kurse gjatë ditës do të kushtojë 0.7 cent.

Por, disa qytetarë konsiderojnë se ndryshimi i tarifave të energjisë elektrike, është vetëm maskim i formës së veprimit, sepse nuk është në favor të tyre.

Adil Isufi, shprehet se ndryshimi i tarifave nënkupton rritje të çmimit të këtij produkti.

“Është një formë e kamuflimit për të zbutur situatën. Struktura e re e tarifave nuk është në të mirë të qytetarëve, sepse çmimi i energjisë elektrike është shumë i shtrenjtë”, thotë Isufi .

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile që merren më çështjet energjetike, theksojnë çmimi i energjisë elektrikenë përgjithësi nuk është liruar.

Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, tha për Radion Evropa e Lirë se aplikimi i strukturës së re, nënkupton që konsumatorët, paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike gjatë kohës së verës.

“Nuk mund të themi se jemi duke paguar energjinë më lirë. Jemi duke subvencionuar në një mënyrë vetën gjatë periudhës së verës, në mënyrë që të kemi shpenzime tjera gjatë dimrit kur konsumi është më i madh”.

“Por, nuk duhet të mendojmë se çmimi i energjisë elektrike është më i lirë, në fakt produkti si produkt është më i shtrenjtë se qëka qenë në strukturën e vjetër tarifore”, thotë Gojani.

Tarifa e re e energjisë, sipas autoriteteve kompetente, do të nxisë konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e ditës në kohën e natës.

Nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e lartë aplikohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 23:00. Ndërsa gjatë natës, prej orës 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, aplikohet tarifa e ulët.

Përderisa, nga 1 tetori deri më 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00 të mëngjesit deri në orën 22:00. Kurse gjatë natës, nga ora 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit, tarifa e ulët.

Revista Monitor,  03.10.2017