Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skemat lehtësuese të OSHEE, 20 mijë biznese kanë përfituar

Rreth 20 mijë biznese kanë përfituar nga skemat lehtësuese të pagesës me këste të detyrimeve të prapambetura, që aplikohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Përfaqësues të OSHEE thanë për TV SCAN se këto shifra përllogariten që prej kohës kur nisi aplikimi i skemave lehtësuese, deri në muajin gusht të këtij viti.

Sipas kompanisë, kjo ka sjellë edhe reduktimin e borxhit të vjetër, duke rritur të ardhurat.

Ndërkaq, të gjithë bizneset që kanë detyrime të pashlyera, të krijuara nga 1 Janari 2007 deri në 31 Dhjetor 2016, mund të përfitojnë ende nga këto skema, duke qenë se pak kohë më parë Këshilli Mbikëqyrës miratoi shtyrjen e afatit deri në fund të këtij viti.

Kështu, ata abonentë që shprehin vullnetin të kryejnë pagesën e menjëhershme të detyrimit, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%.

Gjithashtu, konsumatorët jofamiljarë kanë mundësi që të shlyejnë me këste fikse mujore detyrimin  e krijuar.

Një tjetër skemë që aplikohet në këtë kuadër është edhe ajo e reduktimit të kamatë vonesës kundrejt pagesës totale të saj në vlerën 100 lekë për konsumatorët e kategorisë biznes i vogël, të cilët janë debitor kundrejt OSHEE, vetëm për vlerën e kamatëvonesës.

Procedurat për të gjithë bizneset e interesuar kryhen pranë çdo pike të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Scan Tv,  30.09.2017