Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sektori i energjisë refuzon presidentin Trump

Në përpjekje për të nxitur zhvillimin e sektorit të energjisë, administrata e presidentit Donald Trump po konsideron tkurrjen apo eliminimin e plotë të 11 zonave të mbrojtura detare, qëllimi i të cilave është mbrojtja e 425 milionë akrave (172 mln hektarë) barriera korale, habitateve të gjitarëve detarë dhe plazheve të virgjëra.

Rishikimi është pjesë e një strategjie më të gjerë për të hapur zona të reja shpimesh për naftë dhe gaz, duke vendosur në vend të parë nevojat për energji të familjeve dhe bizneseve amerikane.

Që në fushatë, Trump premtoi nxitjen e prodhimit të karburanteve fosile, duke eliminuar rregulla për mbrojtjen e ambientit, por çudia ka ndodhur, pasi industria e energjisë në SHBA duket se nuk është e interesuar për planin më të fundit.

“Reuters” raporton se ka zhvilluar intervista me përfaqësues të industrisë, që kanë sinjalizuar hapur se kjo përpjekje nuk do të ketë sukses. Jo vetëm industria e naftës, por edhe ajo e prodhimit të energjisë nga era nuk është e interesuar për shfrytëzimin e këtyre zonave të mbrojtura detare, e një nga shkaqet kryesore është sfida kolosale që paraqesin marrëdhëniet me publikun.

Për më tepër, përparimet teknologjike e kanë bërë më fitimprurës shpimin për naftë në tokë, madje edhe në vendet e shfrytëzuara më herët, ndërsa në det ky proces vazhdon të jetë i kushtueshëm.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë situatën, pasi duket se po lodhet për një plan që s’do ta përdorë askush, ndërsa sektori i energjisë u tregua mjaft diplomatik duke thënë “Faleminderit, por jo!”. Departamenti amerikan i Tregtisë pritet të japë rekomandime për zonat e mbrojtura detare muajin e ardhshëm, ndërsa mësohet se shumica e komenteve publike për çështjen janë për ruajtjen e tyre.

Top Channel,  29.09.2017