info@energjia.al

Dje Kryeministri i Republikës së Kosovës, Haradinaj, i bëri vizitë Ndërmarrjes “Trepça” dhe në bisedë me menaxhmentin dhe punëtorët u shtruan për diskutim disa nga çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë.

Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se duke qenë se Ndërmarrja “Trepça” është nga çështjet që nuk e kanë pasur trajtimin e duhur institucional, është inkurajuese vizita e kryeministrit dhe temat që ai i hapi për zgjidhje.

“Kryeministrit ia rikujtojmë edhe një herë se me Ligjin për Trepçën u hoqën pengesat juridike që ndikuan në moszhvillimin e kësaj ndërmarrjeje. Por kjo nuk mjafton”, thekson LB.

Fatkeqësisht, përkundër ngulmimit të vazhdueshëm të Lëvizjes për Bashkim, Qeveria e kaluar nuk e bëri asnjë hap konkret në jetësimin e Ligjit për Trepçën.

“Neglizhenca, mungesa e guximit dhe pazaret e partive politike rreth emërimeve në bord janë shkaktarët kryesorë që Ligji për Trepçën tash e një vit të mos jetësohet”, vlereson LB.

Që të nxirret “Trepça” nga agonia, në të cilën ndodhet qe pothuajse tri dekada, që “Trepça” të bëhet vërtet njëra prej shtyllave të zhvillimit ekonomik të Kosovës, Qeveria Haradinaj sipas LB-se duhet që menjëherë t’i ndërmarrë masat për jetësim të Ligjit për Trepçën.

Hapat e parë të domosdoshëm për rigjallërim të Trepçës janë emërimi i Bordit Mbikëqyrës, si dhe regjistrimi i ndërmarrjes së re, si Shoqëri Aksionare, në regjistrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht të Agjencisë për Regjistrim të Biznesit në Kosovë.

Lëvizja për Bashkim vazhdon të ngulmojë që të mos përsëriten gabimet e bëra deri më tani në mënyrën e përzgjedhjes së bordeve të shumë institucioneve të tjera, dhe, nëse duam zhvillim të Trepçës dhe të Kosovës, duhet që në krye të Bordit Mbikëqyrës të caktohen ekspertë të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar për zhvillim të vendit. Vetëm me një Bord të tillë Mbikëqyrës mund të vihen themele të forta për zhvillim të Trepçës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  23.09.2017

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se ka vazhduar me aksionin e saj tek bizneset që merren me shitjen e derivateve të naftës, të cilat nuk janë fiskalizuar.

Destinacioni i radhës sipas ATK-së ishte rajoni i Mitrovicës, ku gjatë aksionit të zhvilluar në teren, zyrtaret tatimor ka vërtetuar se një numër i vogël i tatimpaguesve nga kjo fushë, po rezistojnë  të pajisjen me arka fiskale.

Gjatë këtij aksioni janë mbyllur 5 biznese të cilat merren me shitjen e derivateve, aksioni në fjalë do të vazhdoj edhe gjatë ditëve në vijmë, në mënyrë që instalimi i pajisjeve speciale fiskale dhe shfrytëzimin i tyre  të bëhet në pajtim me udhëzimin administrativ dhe ligjin.

Departamenti i Operacioneve – drejtorit rajonale të Administratës Tatimore të Kosovës, me aktivitetet e shtuar në teren kanë arrit që afër 90% e bizneseve që merren me shitjen e derivateve të naftës të fiskalizohen, ndërsa te bizneset e pa fiskalizuar të ndërmarr masa ligjore, siç është mbyllja e aktivitetit të tyre deri në fiskalizimin final.

ATK është e vendosur për vazhdimin e aktiviteteve shtesë, me qëllim të verifikimit të instalimit, përdorimit të pajisjeve fiskale te të gjitha këto biznese dhe fiskalizimit te tyre.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  23.09.2017

Çmimet e naftës janë karakterizuar nga luhatje të vogla në sesionin e sotëm, pasi investitorët po presin përfundimin e takimit të prodhuesve të naftës, që janë mbledhur në Vjenë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet mbi 56.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet mbi 50.3 dollarë për fuçi.

Ministrat e naftës të vendeve anëtare të OPEC dhe të disa vendeve të tjera që nuk janë pjesë e organizatës janë mbledhur për të diskutuar një shtyrje të mundshme të afatit për ujen e prodhimit, përtej marsit të vitit të ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC, Mohammad Barkindo, deklaroi në hapje të sesionit se, të gjithë faktorët e tregut do të diskutohen, duke përfshirë edhe disbalancat që krijohet nga nafta argjilore në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa, ministri rus i energjisë, Alexander Novak, tha se, të gjitha vendet duhet të koordinojnë veprimet dhe të punojnë së bashku për strategjinë e ardhshme.

Fokusi i investitorëve ka qenë i përqendruar edhe tek Nigeria dhe Libia, vende që janë përjashtuar nga marrëveshja për uljen e prodhimit, pasi deklaruan se do ti bashkohen uljes së prodhimit.

Scan Tv,  23.09.2017

Albpetrol ka mbyllur me sukses shitjen e 200 mijë tonëve naftë. Burime pranë kompanisë deklaruan se fituesja është kompania “Izvor 99 sh.p.k”, kompani që operon në transport dhe tregtim të bitumit, karburanteve, lubrifikantëve të ndryshëm e fraksioneve të tjera të naftës dhe që operon në zonën e Fierit.

Të ardhurat që Albpetrol do të sigurojë nga shitja e kësaj sasie nafte bruto llogariten në mbi 50 milionë dollarë.

Ankandi

Në mes të muajit gusht kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend Albpetrol hapi ankandin për shtijen e 200 mijë tonëve naftë brut duke përcaktuar edhe çmimin minimal që do të ishte sa 71% e çmimit të naftës brent të publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, duke shtuar mbi të edhe koston e stokim, magazinim dhe transport për çdo ton.

Duket se oferta e “Izvor 99 sh.pk” ishte edhe më e larta në ankand ku në total në datën 22 gusht u paraqitën vetëm dy subjekte të interesuara. Kompania tjetër sipas burimeve brenda Albpetrol shfaqi mangësi në dokumentacion, por kishte edhe një ofertë më të ulët sesa konkurrentja tjetër në garë.

Si do procedohet

Tërheqja e sasisë prej 200 mijë tonë naftë do të bëhet nga tetë stacione të Albpetrol dhe konkretisht nga stacioni Marinëz (Bankers/HUB Fier), stacioni Usojë, 16/1 (ARMO) Ballsh, stacioni Zharrëz, stacioni Sheqishtë, stacioni Gorisht, stacioni Visoke dhe në fund stacioni Kuçovë.
Tërheqja e gjithë sasisë do të bëhet në harkun e një viti nga ana e kompanisë që u shpall fituese e këtij ankandi.

Ky është ankandi i parë që Albpetrol zhvilloi gjatë këtij viti lidhur me sasinë stok të naftës brut të nxjerrë nga puset aktivë nën administrim të saj.

Revista Monitor,  23.09.2017