Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

6-mujori i parë, fitimet e OSHEE: 29 mln euro

Edhe pse në një terren të vështirë të krijuar nga thatësira e tejzgjatur dhe shtrenjtimi i importeve të energjisë, Operatori i Shpërndarjes OSHEE mbajti të lartë nivelin e fitimeve dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Fitimet e OSHEE për janar-qershor 2017 arritën rreth 4 miliardë lekë ose 29.4 milionë euro me një rënie prej 7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë raportuese të vitit 2016.

Për shkak të rezultateve pozitive kompania ka paguar tatim fitim në arkën e shtetit 821 milionë lekë ose 6 milionë euro, por kjo shumë ishte 25 për qind më e ulët se vitit të kaluar.

Të ardhurat e OSHEE-se nga shitja e energjisë ishin 26,7 miliardë lekë në nivele të ngjashme me gjashtëmujorin e 2016-es.

Pjesën kryesorë në të ardhura e zunë ato nga shitja e energjisë me 25.6 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga kamatëvonesat ishin 523 milionë lekë ose 56 për qind më pak se nga viti i kaluar.

Të ardhurat nga lidhjet e reja kanë çuar një shumë të konsiderueshme në buxhetin e OSHEE-se prej 332 milionë lekësh. Kjo vlere është 8 për qind më e lartë se një viti më parë për shkak të ndryshimit të tarifave për këto shërbime.

OSHEE bleu për gjashtëmujorin e parë 3,277,543 MW/h orë energji po hodhi në rrjet 2,339,250 MW/h pasi niveli i humbjeve vijoi të jetë 28.63 për qind ndonëse në nivele më të ulta se një vit më parë.

Shpenzimet e kompanisë gjithsej ishin 22.6 miliardë lekë  me një rritje prej 2 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Shpenzimet për blerjen e energjisë ishin 14 miliardë lekë ndërsa ato për personelin 5 miliardë lekë.

Revista Monitor,  22.09.2017