Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ZRRE, dëgjesë publike për të ardhurat e KOSTT dhe KEDS

Në seancën dëgjimore të organizuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë prezantuar para publikut kërkesat për të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR), të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS).

Kjo Seancë nuk ka pasur karakter vendimmarrës, por hynë në kuadër të diskutimeve publike që ZRRE është duke zhvilluar në lidhje me  Shqyrtimin e dytë Periodik Rregullativ (SHPRR 2) për periudhën 1 prill 2018  – 31 mars 2023.

Ashtu siç ka sqaruar në fjalën e tij hyrëse, ushtruesi i detyrës së Kryesuesit të Bordit të ZRRE, Arsim Janova, qëllimi i shqyrtimeve shumëvjeçare është që t’ju ofrohen operatorëve mundësi për të përmirësuar efikasitetin e menaxhimit të aseteve të tyre.

Kjo praktikë, siç ka theksuar Janova  është dëshmuar të jetë nxitëse e rritjes së efikasitetit operativ e posaçërisht në reduktimin e humbjeve në rrjet dhe realizimin e planeve afatgjata të investimeve kapitale.

Ymer Fejzullahu, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE, ka njoftuar të pranishmit me mbarëvajtjen e procesit të shqyrtimit, metodologjinë mbi të cilën ZRRE mbështetë shqyrtimet për aprovimin e të MAR-ve të operatorëve të sistemit energjetik, përfitimet e deritanishme të konsumatorëve nga shqyrtimi i parë rregullativ si dhe pritjet nga shqyrtimi i ardhshëm.

Fejzullahu po ashtu ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve në diskutim , gjatë këtij procesi, përmes  komentimit dhe argumentimit.

Drejtorët menaxhues të dy operatorëve, KOSTT dhe KEDS, Kadri Kadriu dhe George Karagutoff përveç realizimeve të arritura deri më tani nga kompanitë e tyre, kanë paraqitur edhe çështjet thelbësore që përmbajnë kërkesat e tyre për MAR, siç janë parashikimet për kërkesën e energjisë, shitjet dhe humbjet e energjisë, investimet kapitale si dhe  shpenzimet operative dhe ato të mirëmbajtjes për periudhën e ardhshme rregullative SHPRR 2.

Procesi i SHPRR 2 është iniciuar nga ZRRE më 15 maj 2017, duke vazhduar me publikimin e Raporteve Konsultative për Mesataren e Ponderuar të Kostos së Kapitalit (WACC), për Vlerësimin e Jetëgjatësisë së Aseteve dhe Raporti për Reduktimin e Humbjeve.

Përderisa që Seanca e sotme kishte për qëllim që t’ju ofrojë të gjithë të interesuarve mundësinë që të dëgjojnë argumentet e kompanive energjetike lidhur me përmbajtjen e kërkesave për MAR, dhe të paraqesin komentet dhe pyetjet në lidhje me këto kërkesa.

Të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) të tanishme janë përcaktuar në Shqyrtimin e parë Periodik në vitin 2013 (PRR 1) dhe janë në fuqi deri në vendimin e ardhshëm të Bordit të ZRRE, i cili pritet të merret deri me 15 mars 2018.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  21.09.2017