Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kujdes investimet në energjinë diellore

Shqipëria ka një potencial të lartë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për vetë klimën që ka, por investimet në këtë sektor duhet të kryhen me kujdes. Ja ku është leverdishmëria më e madhe…

Intervistë me z. Ismail Beka, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) *

Shqipëria ka një potencial të lartë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për vetë klimën që ka, por investimet në këtë sektor duhet të kryhen me kujdes. Z. Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), si një ekspert që i ka ndjekur prej një kohe të gjatë çështjet e energjisë, pohon se ky sektor, në vendet e tjera është zhvilluar përmes subvencioneve që janë dhënë nga qeveritë. Ai shton se Shqipëria nuk ka një përvojë me parqe fotovoltaike, me siguri deri tani mund të gjykohet vetëm mbi përvojën e vendeve të tjera fqinje me ne, siç është Greqia apo Italia, të cilët në 10-vjeçarin e fundit kanë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike, që në të gjitha rastet janë me kontrata afatgjatë me çmime të subvencionuara për blerjen e energjisë.

Por, Beka shton se energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Energjia diellore është një alternativë shumë e leverdishme në kuadrin mikro, sidomos në sektorin e mikpritjes dhe turizmit, ku hotelet e vogla mund ta shfrytëzojnë atë në periudhën e verës. Investimi në panelet diellore ka eficiencë të lartë nga vetë ndërmarrjet ose familjarët, që e përdorin për nevojat e tyre. Beka është i mendimit se vetë bizneset e vogla dhe familjarët do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione. Më poshtë intervista:

Ka një rritje të interesit për të investuar në energjinë e diellit kohët e fundit. Si e vlerësoni ju këtë interes?

Miratimi i ligjit për energjitë e rinovueshme, përcaktimi nga ERE i një çmimi të garantuar për blerjen e energjisë nga parqet fotovoltaike dhe shprehja e një vullneti politik të Qeverisë për të mbështetur investimet në këtë sektor, ka bërë që të rritet interesi i mjaft kompanive të biznesit për të investuar me parqe fotovoltaike. Nga ana tjetër, ka edhe mjaft kompani biznesi që po e shikojnë energjinë diellore si fushë të tyre prioritare në biznes dhe po ofrojnë teknologji fotovoltaike, për zgjidhje të ndryshme. Pra në përgjithësi është rritur pritshmëria për shtimin e investimeve në energjinë diellore në Shqipëri, ndërkohë që shembuj të deritanishëm në Shqipëri me energjinë fotovoltaike janë shumë të kufizuara dhe të izoluara.

Ka një rendje të investimeve drejt parqeve të mëdha fotovoltaike. Sa me leverdi janë dhe a mund të ndodhë e njëjta gjë si me hidrocentralet, të cilët u nxitën të investonin dhe më pas qeveria u ndryshoi çmimin?

Pa diskutim që “rendja” tek aplikimet për të marrë leje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, ka shumë të përbashkëta me rendjen pas koncesioneve dhe projekteve të HC në vitet 2009-2012, kur më shumë se 500 persona ose biznese, shumica prej të cilëve as nuk kishin lidhje me energjinë dhe as nuk kishin burime financiare që të mund t’i realizonin investimet, filluan një garë të paparë për të marrë një licencë koncesioni për një ose disa HC-e dhe më tej kërkonin të gjenin partnerë financiarë apo të shisnin licencat.

Lidhur me leverdinë ekonomike, Shqipëria nuk ka një përvojë me parqe fotovoltaike, me siguri deri tani mund të gjykohet vetëm mbi përvojën e vendeve të tjera fqinje me ne, siç është Greqia apo Italia, të cilët në 10-vjeçarin e fundit kanë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike, që në të gjitha rastet janë me kontrata afatgjata me çmime të subvencionuara për blerjen e energjisë.

Shumë shtete europiane kanë qenë të detyruar të mbështesin dhe të subvencionojnë çmimin e energjisë diellore dhe të erës, si dhe të energjive të tjera të rinovueshme, në kuadrin e një angazhimi 20-20-20 që i detyron këto vende që deri në vitin 2020, të rrisin me 20% energjinë e rinovueshme, të ulin me 20% përdorimin e energjisë me masa për eficiencën dhe të ulin shkarkimin e CO2 me 20%.
Por rrethanat në Shqipëri janë krejt të tjera. Shqipëria është modeli i vetëm, që aktualisht 100% të energjisë elektrike e prodhon nga burimet e rinovueshme (HC vetëm ujë) dhe me fuqinë aktuale të instaluar ka arritur që prodhimi neto i energjisë të jetë më i lartë se sa konsumi vjetor (shembull janë vitet 2012 dhe 2016).

Prodhimi vjetor neto i energjisë elektrike për vitin 2016 ishte mbi 7,1 milionë MWh, shumë më i lartë se mesatarja shumëvjeçare 1985 – 2016 prej 4,7 milionë MWh. Në periudhën 2010 – 2016, për tre vjet është realizuar prodhim neto energjie nga HC prej rreth 7 milionë MWh, aq sa është edhe konsumi vjetor në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Kujdes!

Prodhimi i energjisë elektrike nga fotovoltaikë në Shqipëri, me siguri do të zhvillohet si një komponent i rëndësishëm në harmoni dhe në mënyrë racionale me të gjithë burimet e tjera të energjisë, por në mënyrë të kujdesshme, pa pretenduar që Shqipëria të kthehet në një model të energjisë fotovoltaike.

Sistemi i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri përballet me disbalancime të mëdha, nga njëra anë me faktin që prodhimi i energjisë në mbi 85% është i përqendruar në rajonet e veriut të vendit, ndërkohë që konsumatorët më të mëdhenj janë midis Tiranë-Durrës-Vlorë dhe nga ana tjetër, me diferenca të mëdha të prodhimit në periudha të ndryshme të vitit. Diferenca ndërmjet prodhimeve maksimale e minimale rezulton rreth 2.7 herë, (në muajin mars janë prodhuar 940.000 MWh ndërkohë që në shtator 332.000 MWh), duke shprehur në mënyrë të dukshme shkallën e lartë të riskut hidrologjik në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga sistemet elektroenergjetike të mbështetur vetëm në HEC-e. (të dhëna nga Raporti i ERE-s për vitin 2016)

Muajt me prodhimin më të vogël janë muajt e verës (korrik – shtator), atëherë kur edhe kërkesat për energji rriten për shkak edhe të rritjes së konsumit familjar për ftohje, si dhe rritjes së aktivitetit të strukturave akomoduese të turizmit.
Kjo periudhë përkon edhe me nivelin më të lartë të rrezatimit diellor, edhe për pasojë të potencialit më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli. (tabela e mëposhtme tregon të dhënat e vitit 2016, për prodhimin dhe konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri)

monitor 796.indd

Energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Në këto kushte, prodhimi dhe përdorimi i energjisë diellore duket se do të jetë një plotësues shumë i mirë në tregun e energjisë, për tre arsye:

Së pari: energjia diellore ka rendimentin më të lartë dhe për pasojë prodhimin më të madh në muajt e verës, kur konsumi i energjisë është më i lartë, si nga konsumatori familjar ashtu edhe bizneset (veçanërisht turizmi) dhe prodhimi i energjisë nga HC është shumë i vogël.

Së dyti: Sistemet fotovoltaike do të instalohen direkt tek konsumatori fundor, pra do të jenë shumë më të vogla humbjet e transmetimit të energjisë dhe parametrat e energjisë elektrike do të përmirësohen.

Së treti: Veçanërisht për bizneset dhe konsumatorët familjarë, do të rrisë komfortin dhe do të nxisë kursimin e përdorimit të energjisë.
Shqipëria ka relativisht çmime të larta të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset, gjë që favorizojnë energjinë diellore. Me përjashtim të furrave të bukës, të gjithë bizneset e tjera kanë një çmim të lartë të energjisë elektrike nga 11 –12,4 lekë/kah, ndërkohë që kategoria e konsumatorëve familjarë është 9,5 lekë/Kwh (pa përfshirë TVSH). Me siguri, edhe në të ardhmen, ky çmim shkon drejt rritjes, çka e bën edhe më të qëndrueshme eficiencën e investimit nga vetë ndërmarrjet ose familjarët për energjinë diellore.

Prodhimi i energjisë elektrike nga fotovoltaikë në Shqipëri, me siguri do të zhvillohet si një komponent i rëndësishëm në harmoni dhe në mënyrë racionale me të gjithë burimet tjera të energjisë, por në mënyrë të kujdesshme, pa pretenduar që Shqipëria të kthehet në një model të energjisë fotovoltaike.

Objektivat strategjikë që ka Shqipëria në fushën e energjisë janë të lidhura ngushtë me tregun rajonal të energjisë, nxitjen e investimeve private për të diversifikuar prodhimin e energjisë dhe për ta prodhuar atë sa më pranë edhe konsumit në rajone të ndryshme të vendit, shfrytëzimin e burimeve të gazit (që ofron projekti TAP) për prodhim energjie dhe për industri, si dhe kryerjen e investimeve për eficiencën e energjisë dhe uljen e CO2 në bazë të angazhimeve që ka marrë Qeveria Shqiptare në kuadrin e konventave ndërkombëtare për ndryshimet klimatike.

Shqipëria ka një perspektivë afatmesme të shfrytëzojë dhe Gaz nga TAP për të prodhuar energji elektrike në termocentrale (duke filluar nga ai i Vlorës, prej 98 MW me çmime më të lira konkurruese në treg. Termocentralet me gaz përbëjnë edhe kompensatorin më të mirë në rrjet për energjitë e diellit dhe erës, të cilat kanë cikël të lartë ndryshimi midis kohës me diell dhe pa diell (dhe ditë-natë). Koha e nevojshme për të ndaluar nga puna ose për të rivënë në punë turbinat e TEC me gaz është shumë herë më e lehtë se sa çdo model tjetër i prodhimit të energjisë.
Me investimet aktuale në fushën e energjisë së rinovueshme dhe me futjen e tyre në shfrytëzim, Shqipëria do t’i mbulojë mirë nevojat e saj në rritje për energji elektrike dhe në një periudhë afatmesme do të jetë një eksportues i energjisë elektrike.

Por fakti që tregu rajonal i energjisë vazhdon të dominohet nga energjia e prodhuar nga TEC me lëndë djegëse do ta bëjë shumë të vështirë shitjen e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, veçanërisht atë diellore. Pra do të duhet të ndiqet një strategji e qartë që në hapat e parë, për të menduar për politika të qëndrueshme afatgjatë, kur vjen fjala për masën e subvencionit dhe garantimit të çmimit të blerjes të energjisë. (Shqipëria ka marrë angazhim për çmim të garantuar të energjisë nga HC private apo koncesionarë – që arrijnë në më shumë se 600 MW fuqi të instaluar dhe po rriten më tej, si dhe premton çmim të garantuar për fotovoltaikë).

Modeli aktual

Shqipëria është modeli i vetëm, që aktualisht 100% të energjisë elektrike e prodhon nga burimet e rinovueshme (HC vetëm ujë) dhe me fuqinë aktuale të instaluar ka arritur që prodhimi neto i energjisë të jete më i lartë se sa konsumi vjetor (shembull janë vitet 2012 dhe 2016).

Panel diellorDeri tani, interesi më i madh është për parqet fotovoltaike. Po për bizneset e vogla dhe ekonominë e turizmit sa me leverdi është? Cilat mund të jenë zhvillimet më të shpejta në përdorimin e energjisë diellore në Shqipëri?

Kursimi, komforti dhe vlera e investimit janë tre kriteret më të rëndësishme për investime në fushën e energjisë diellore për konsumatorët familjarë dhe bizneseve. Pra janë vetë bizneset e vogla dhe familjarët, që do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione.
Hapat e nevojshëm nga Qeveria për të mbështetur nisjen e investimeve nga grupet e mësipërme mund të jenë: (i) Rregulla të qarta administrative, që duhet të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (ii)proces i thjeshtë i marrëveshjes me OSHEE për prodhim energjie për konsum vetjak, (iii) montimi i paneleve diellore në çatitë e banesave dhe objekteve industriale pa leje ndërtimi (me përjashtim të rasteve kur janë ndërtesa muzeore).

Me energji diellore nuk bëhet fjalë vetëm për panele fotovoltaike. Panelet diellore për ngrohjen e ujit për nevoja sanitare dhe ngrohje përbëjnë një nga prioritetet me leverdishmëri më të lartë ekonomike, veçanërisht për sektorë të tillë si ai i familjar dhe i turizmit. Kombinimi i të dy masave është shumë më efektiv.

Perspektiva

Shqipëria ka një perspektivë afatmesme të shfrytëzojë dhe Gaz nga TAP për të prodhuar energji elektrike në termocentrale (duke filluar nga ai i Vlorës, prej 98 MW me çmime më të lira konkurruese në treg

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se është shumë më efektive të investohet në të dy rrugët: me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe me kursimin e energjisë. Çdo investim me eficencën e energjisë për të kursyer 1 Kwh është deri dy herë më i vogël se sa për të prodhuar 1 Kwh energji. Investimet me energji diellore për ngrohje-ftohje, janë pikërisht ato që i shërbejnë edhe kursimit të energjisë.

Rruga më e sigurt është investimi nga vetë bizneset dhe familjarët për nevojat e veta, në modelin e vetëkonsumit, çka e ka parashikuar edhe ligji dhe pritet të miratohet edhe kuadri rregullator.

Janë të gjithë parakushtet që energjia diellore të zërë një vend të rëndësishëm në bilancin e energjisë që ne konsumojmë. Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për klientët tariforë për vitin 2016 përbën rreth 49%. Mbi 4 milionë turistë vijnë në Shqipëri në vit. Referuar shifrave të vitit 2016 mbi 40% e tyre vijnë në muajt korrik-gusht dhe rreth 75% në periudhën maj – tetor, periudhë në të cilën edhe rrezatimi diellor është i plotë. Sfida janë: ulja e konsumit të energjisë elektrike për ngrohjen e ujit për nevoja sanitare dhe ngrohje, si dhe për ftohjen e banesave, pasi zënë rreth 46% e kostove të energjisë që harxhohen në banesa dhe hotele.

Një fushë tjetër ku energjia diellore është e praktikueshme në Shqipëri ka të bëjë me zgjidhje individuale, “ishull” ose sisteme të pavarura:
“Elektrifikimi” i staneve dhe fshatrave ekstreme malore, ku sot nuk ka energji elektrike, ose ku linjat fundore nuk arrijnë të furnizojnë me energji elektrike. Veçanërisht në muajt e verës, në të gjithë zonat alpine, ku dalin barinj dhe janë bujtina të turizmit malor.
Pompat solare të ujit dhe sistemi i vaditjes së tokës (pa pasur nevojën e baterive, pasi procesi i vaditjes së tokës është i nevojshëm në verë dhe në kohën kur nuk bie shi. Ftohja e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe veçanërisht të qumështit pas mjelje.

Kursimi

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se është shumë më efektive të investohet në të dy rrugët: me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe me kursimin e energjisë. Çdo investim me eficiencën e energjisë për të kursyer 1 Kwh është deri dy herë më i vogël se sa për të prodhuar 1 Kwh energji. Investimet me energji diellore për ngrohje-ftohje, janë pikërisht ato që i shërbejnë edhe kursimit të energjisë.

Si mund të nxitet përdorimi tek ekonomitë e vogla dhe subjektet turistike? Çfarë politikash nxitëse mund të ndjekë qeveria?

Pa diskutim ka shumë përvoja ndërkombëtare që duhen studiuar me kujdes dhe për t’i kthyer edhe në praktika shqiptare. Është krejt e qartë që masat subvencionuese janë ato që e çojnë përpara zhvillimin e shpejtë të këtyre investimeve.

Ka edhe shtete që bëjnë një politikë tjetër, subvencionojnë investimin: p.sh., grant nga 30-50% e kostos së blerjes së paneleve diellore dhe të baterive akumuluese, për të nxitur vetëkonsumin në banesë, të energjisë së prodhuar.
Ajo që mund të bëjë Shqipëria, për shembull, rimbursimi i TVSH-së për investimet në energjinë diellore, kur ato kryhen nga konsumatorët familjarë ose biznese që nuk janë subjekte të TVSH.

Jo vetëm investim, por mbi të gjitha nxitja dhe mbështetja për një treg të kualifikuar pune për energjitë diellore dhe eficiencën e energjisë,
përfshirë specialitetet që formohen në universitetet teknike dhe punëtorët e kualifikuar në shkollat profesionale dhe qendrat e trajnimit profesional.

A rrezikohet të kemi një flluskë në këtë sektor, ashtu siç ndodhi me rendjen e bizneseve të ndërtimit drejt bujqësisë p.sh., ku hynë në një sektor që nuk e njihnin mirë?

Kujdes me prognozimet shumë optimiste dhe të pamatshme: nuk ka shans që investimet e fotovoltaikëve të rezultojnë të vetëshlyera në më pak se 7-10 vjet, apo nuk mund të ketë rendimente të tilla që do t’i tundonin fshatarët të “mbillnin” tokat me fotovoltaikë, pasi prej 1 ha do të merrnin 300 mijë euro në vit.
Zgjidhjet teknike janë një problem i vështirë për operatorin energjetik: stabilizues në sistemin energjetik kur të rritet pjesa e energjisë nga dielli dhe era në sistem.

Revista Monitor,  16.09.2017