Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazifikimi i vendit, shanset që nuk duhen humbur

Flet Këshilltari i Presidentit të SOCAR, Murad Heydarov: Shqipëria është një treg i pazhvilluar dhe gazi nuk është shumë përfaqësues në kombinimin e burimeve të energjisë. Shanset që nuk duhen humbur…

Shqipëria duhet të jetë aktive në lobimin e saj pranë institucioneve financiare ndërkombëtare për t’i afruar ato rreth projektit të gazifikimit. Kjo do t’i siguronte asaj mundësinë që masterplani në letër të konkretizohej. Për Këshilltarin e Presidentit të SOCAR (kompania shtetërore e naftës dhe gazit në Azerbajxhan), njëkohësisht CEO i SOCAR Balkans dhe anëtar bordi në projektin e gazsjellësit TAP, Murad Haydarov, zgjidhja është te mbështetja e jashtme. Sipas tij, afrimi i palëve të tjera të interesuara si Banka Botërore, qeveritë europiane përfshi edhe atë të Azerbajxhanit, mund të ishin zgjidhja për financimin e një projekti si gazifikimi.

“Asnjë vend nuk mund të mbështetej vetëm te burimet e veta për të zbatuar një projekt si ky. Edhe vendet e zhvilluara s’mund ta bëjnë këtë. Ajo që do të na pëlqente dhe që po shohim si mundësi është ngritja e një grupi investitorësh që përfaqësojnë grupe interesi të ndryshme, që të ndihmojnë qeverinë shqiptare të zbatojë projektin. Këto mund të jenë Komuniteti i Energjisë, Bashkimi Europian, mund të jetë Banka Botërore, qeveri të ndryshme europiane përfshirë edhe qeverinë e Azerbajxhanit, por ideja është të kesh një grup të plotë investitorësh që do të koordinonin asistencën ndaj Shqipërisë për të zbatuar projektin”, tha Haydarov në një intervistë për Monitor. Ai shprehet se SOCAR do të dëshironte të zgjeronte më shumë projektet e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, por legjislacioni i Bashkimit Europian ka disa limitime që duhet të respektohen.

Shqipëria ka shprehur ambicien e gazifikimit dhe ka avancuar deri në hartimin e një masterplani. Ju si e shihni këtë objektiv? Sa gjasa ka të realizohet apo rrezikon të mbetet thjesht një ëndërr në sirtar?

Ne kemi qenë në negociata me qeverinë shqiptare për projektin që lidhet me gazifikimin e vendit tuaj dhe janë disa marrëveshje të bazuara në një memorandum të vitit 2014, kur Shqipëria kërkoi asistencën tonë teknike për të ndihmuar në ngritjen e një tregu gazi. Mendojmë që ky është një projekt realist dhe Shqipëria e meriton që të jetë pjesë e korridoreve të gazit për dy arsye: Shqipëria është një pjesëmarrëse direkte në Korridorin e Jugut duke ofruar territorin e saj për Gazsjellësin Trans Adriatik dhe sigurisht nëse vendi bashkëpunon me investitorët dhe klientët në garantimin që gazi të transmetohet në treg, duke përdorur territorin e vendit sigurisht, që është logjike që të kuptohet dhe ambicia e qeverisë për të marrë nga ky gaz.

Së dyti, Shqipëria lokalizohet në një rajon që ne e quajmë Ballkani Perëndimor, një rajon që vuan më shumë nga mungesa e burimeve të gazit dhe nga varësia tek një burim energjie. Në rastin e Shqipërisë, kemi një vend me një treg të pazhvilluar dhe gazi nuk është shumë përfaqësues në kombinimin e burimeve të energjisë. Në të kaluarën, ky vend ishte prodhues gazi por burimet janë mbaruar. Ndaj ky është një prioritet për Bashkimin Europian dhe Komunitetin e Energjisë, si dhe për Azerbajxhanin që të ndihmojë këto vende të Ballkanit Perëndimor për të siguruar gaz në mënyrë të përballueshme, të mjaftueshme dhe në mënyrë të rregullt për të rritur sigurinë energjetike të tyre dhe të ofrojnë një opsion më konkurrues energjetik për industrinë dhe popullsinë.

Cilat janë disa nga përfitimet që mund të ketë ekonomia nga plani i gazifikimit?

Së pari është një produkt që ofron energji të pastër, në të njëjtën kohë gazi është shumë më konkurrues sesa burimet e tjera të energjisë, ndoshta me një përjashtim të hidrikut, por duhet të kuptojmë se pjesa e energjisë nga burimet hidrike ka një pasiguri të madhe që e shoqëron. Për shembull, di që kjo verë ishte shumë e thatë dhe kjo preku sigurinë energjetike të vendit.

Është e vërtetë se Shqipëria ka burime të pasura ujore por kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar siguri të mjaftueshme energjetike. Ndaj përveçse të qenët një mall shumë konkurrues, gazi është edhe një garantues i sigurisë energjetike. Edhe nëse ky vend nuk varet tërësisht tek gazi dhe ka disa burime të tjera, sërish duhet një kombinim i burimeve të qëndrueshme, duke siguruar që vendi dhe popullsia të marrë energji në çdo kohë, në çdo stinë dhe me sasinë që kërkohet për të mbajtur një situatë normale ekonomike.

Alternativa

Është e vërtetë se Shqipëria ka burime të pasura ujore, por kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar siguri të mjaftueshme energjetike. Ndaj përveçse të qenët një mall shumë konkurrues, gazi është edhe një garantues i sigurisë energjetike.

Cilët janë disa nga sektorët që mund të përfitojnë të parët nga gazi?

Mendoj se e para nga të gjitha, industria. Dhe përmes zhvillimit të energjisë termale shtesë (termocentralet) nga gazi, kjo do të sjellë shumë përfitim edhe për popullsinë. Si hap i dytë, fokusi duhet të jetë te qytetet e mëdha apo komunitetet e mëdha që mund të gëzojnë furnizimin alternativ me energji, por idealja sikurse e thashë është të nisni me industrinë.

Për të zbatuar një projekt si ky i gazifikimit, padyshim që do një mbështetje shumë të madhe financiare. Shqipëria nuk ka në dispozicion një shumë të tillë që mund të kalojë miliarda euro. Cila është rruga më e mirë për të siguruar këtë mbështetje financiare në këndvështrimin tuaj?

Me siguri, Shqipëria nuk i ka këto para që duhen për një projekt si ky dhe ajo s’mund ta bëjë e vetme këtë pjesë. Por duke marrë parasysh zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe krahasuar me atë çfarë ishte vendi katër apo pesë vite më parë, ajo që vë re është një rritje e shpejtë. Së dyti, asnjë vend nuk mund të mbështetet vetëm te burimet e veta për të zbatuar një projekt si ky.

Edhe vendet e zhvilluara s’mund ta bëjnë këtë. Ajo që do të na pëlqente dhe që po shohim si mundësi është ngritja e një grupi investitorësh që përfaqësojnë grupe interesi të ndryshme, që të ndihmojnë qeverinë shqiptare të zbatojë projektin. Këto mund të jenë Komuniteti i Energjisë, Bashkimi Europian, mund të jetë Banka Botërore, qeveri të ndryshme europiane, përfshirë edhe qeverinë e Azerbajxhanit, por ideja është të kesh një grup të plotë investitorësh që do të koordinonin asistencën ndaj Shqipërisë për të zbatuar projektin.

Gazifikimi

Ajo që do të na pëlqente dhe që po shohim si mundësi është ngritja e një grupi investitorësh që përfaqësojnë grupe interesi të ndryshme, që të ndihmojnë qeverinë shqiptare të zbatojë projektin. Këto mund të jenë Komuniteti i Energjisë, Bashkimi Europian, mund të jetë Banka Botërore, qeveri të ndryshme europiane.

SOCAR është një nga kompanitë më të mëdha që operon në sektorin e gazit në nivel ndërkombëtar, por edhe një aksionere me 20% të aksioneve në projektin TAP. A po shihni mundësi të tjera për investime në Shqipëri, ose angazhimin me projekte të reja qoftë dhe gazifikimi?

gas gazPo marrim në vlerësim disa mundësi për projekte biznesi në rajon në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri, por duhet të kemi parasysh që ka kufizime nga Bashkimi Europian për pjesëmarrjen tonë sipas legjislacionit. Ne kishim plane të mëdha, si fillim për blerjen e DESFA-s (kompania shtetërore greke e transmetimit të gazit) por për fat të keq nuk mund të mbyllnim një marrëveshje për shkak të limitimeve që imponon legjislacioni europian për gazin. Ndaj, ndërsa do të shohim mundësi të reja biznesi për këtë rajon, do të na duhet të marrim parasysh edhe limitimet që ekzistojnë dhe sfida të tjera ligjore. Por ne po vazhdojmë ta shohim këtë rajon si një treg potencial për gazin tonë në një fazë të dytë të Korridorit Jugor të gazit, që është kontraktuar për të transmetuar fillimisht 10 miliardë metër/kub gaz në Europë duke nisur nga 2020. Projekti po avancon sipas planit dhe gazi do të jetë gati për tregun europian.

Tani po shohim për fazën e dytë dhe çfarë mund të bëjmë dhe këtu përfshihen edhe rajonet potenciale. Strategjia e marketingut është e orientuar tek Europa Juglindore, Ballkani Perëndimor, ndoshta ato vende që janë me një rrjet gazi si Bullgaria apo Greqia. Ndaj nga kjo perspektivë ne kemi plane të mëdha, por po i shohim me kujdes këto plane, po informohemi sesi prezenca jonë mund të garantohet në këtë rajon si dhe po zgjerojmë konsulencën tonë teknike duke e parë veten si një burim gazi dhe jo si investitor dhe e gjitha kjo për shkak të limitimeve të legjislacionit për energjinë në BE.

A ka SOCAR një interes direkt te projekti tjetër i gazsjellësit IAP (Jonian-Adriatik)?

E shohim IAP-in si një zgjatim logjik të Korridorit të Jugut, ndaj mendojmë që IAP mund të bëhet një pjesë integrale e këtij korridori. Sigurisht që para është një rrugë e gjatë dhe duhet që të kalojmë disa faza, por jemi të lumtur të bashkëpunojmë me promovuesit e projektit, do të japim asistencën tonë teknike, do të koordinojmë edhe pjesën e lobimit të jashtëm për IAP dhe komunitetin e tij. Ndaj në këtë fazë, plani është që të ngrihet kompania e projektit për t’i çelur rrugë hapave të tjerë. Sapo të ngrihet kjo kompani, ne do të vendosim se cilët do të jenë fazat e tjera.

Çfarë mund të bëjë qeveria për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investitorë të rinj në këtë fushë, pra tek gazi?

Mendoj se qeveria e re do të ketë vullnetin për ta përmirësuar dhe sigurisht, e para është përmes amendimeve të legjislacionit sipas kërkesave që imponon Komuniteti i Energjisë apo Bashkimi Europian. Sërish ne kuptojmë që Shqipëria ka shanse shumë të mira për të përmbyllur procesin e integrimit në BE, ndoshta në këtë drejtim, disa nga masat që do të merren, do t’i shërbejnë dy çështjeve, së pari liberalizimit të mëtejshëm të ekonomisë dhe kjo të jetë më pas në shërbim të integrimit. Deri më tani, qeveria ka punuar mirë, të paktën në raport me atë që ne shohim mbi projektet tona, nuk kemi pasur asnjë problem me asnjë prej qeverive sa i përket Projektit Trans Adriatik në territorin shqiptar.

Kjo qeveri ka përdorur në shumë raste pjesën e partneriteteve publike-private për shërbime apo projekte. Nuk përjashtohet që edhe pjesa e gazifikimit të ketë një përvojë të tillë? Ju si e shihni këtë opsion?

Nëse kjo do të garantonte një zbatim të planit të gazifikimit, pse jo. Për masterplanin e gazit duhet të ketë shumë palë të interesuara dhe përfshirja publike dhe private njëkohësisht mund të jetë një hap i mirë.

Vitin e kaluar pati një rishikim të marrëveshjes mes TAP dhe Shqipërisë, ku u fol për një rritje të përfitimeve. Çfarë e ndryshoi mendjen e aksionerëve që të bëheshin këto lëshime?

Dua të saktësoj diçka. Nuk ka ndryshuar asnjë në marrëveshjen mes TAP dhe Shqipërisë. Por kjo marrëveshje kalon në disa faza. Është ajo fillestare ku bihet dakord mbi disa pika dhe kur çështja ka avancuar dhe palët kanë arritur objektivat, ka një fazë të re negocimi më të detajuar.

Koncepti origjinal nuk ka ndryshuar ndërkohë që ishte parashikuar një fazë negociatash sepse vetë TAP është angazhuar që në fillim për të ndihmuar qeverinë me masterplanin e gazit, në termat e përfitimeve sociale për popullsinë, për të marrë përsipër ndërtimin e kapaciteteve për institucionet e gazit. Kjo ishte marrëveshja fillestare. Ajo që ndodhi që negociatat u finalizuan, marrëveshja e etapës së re, u finalizua dhe tani është faza e re ajo e zbatimit që ka filluar.

TAP është parë si një zgjidhje për situatën në Europë lidhur me sigurinë energjetike. A besoni që kjo është vërtet një fazë e re për kontinentin dhe Ballkanin?

Po vërtet mendoj se po hyjmë në një fazë shumë interesante të industrisë së gazit që është integrimi i gjithë Europës në një treg energjie. Ne si prodhues kemi një interes të madh dhe mendojmë që mund të kontribuojmë pozitivisht në këtë fazë.

Sapo të kemi një treg të madh europian të integruar me përfshirjen e disa vendeve që nuk kanë pasur industri gazi apo janë varur shumë në një burim, është një mjedis legal dhe i përshtatshëm tregtar për ne që të kontribuojmë dhe të jemi prezentë. Nga kjo perspektivë, ne besojmë se Korridori Jugor i Gazit mund të shërbejë në interesin e gjithë vendeve të Europës për të rritur sigurinë energjetike të tyre.

Në anën tjetër, zgjerimi i mundësive të tregut për prodhuesit e gazit është gjithashtu një kontribut për sigurinë tonë si industri. Pra është një përfitim i përbashkët dhe ndoshta është hera e parë në dekadën e fundit që në treg kemi konkurrencë reale. Konsumatori i fundit mund të përfitojë nga kjo dhe gjithashtu edhe investitorët apo prodhuesit e tjerë të gazit. Mendoj se për të gjithë prodhuesit e gazit krijohen mundësi të barabarta. Kjo është një konkurrencë reale, që nuk synon që të jemi në luftë ndaj njëri-tjetrit, por që të plotësojmë njëri-tjetrin për të sjellë energji në ato tregje që varen nga vetëm një burim. Në këtë cikël parashikimi është që të përfitojnë të gjithë. Me shumë mundësi, në dekadën tjetër që fillon në vitin 2020, do të hyjmë me një zgjidhje inovative për të siguruar energjinë në vendet e Europës.

Revista Monitor,  16.09.2017