Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Programi qeverisës për infrastrukturën dhe energjinë

Fjala e Ministrit Gjiknuri gjatë prezantimit të programit qeverisës për Infrastrukturën dhe Energjinë në seancën e sotme parlamentare:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë dhe të pranishëm në këtë seancë,

Nëse ka një aksiomë të njohur për zhvillimin ekonomik dhe për rritjen e shpejtë ekonomike, investimet në infrastrukturë dhe në energji janë ingredient i pashkëputur i këtij motori.

Nuk ka mëdyshje se rrjetet infrastrukturore janë “enët e gjakut” përmes të cilave ushqehet e gjithë ekonomia e kombëtare. Secili prej nesh, socialist apo demokrat qoftë, përdor të njëjtat rrugë; kalon përmes të njëjtave ura e tunele; udhëton përmes të njëjtave porte e aeroporte; furnizohet përmes të njëjtave linja elektrike e ujësjellësi. Ndaj infrastruktura dhe zhvillimi i saj duhet të jetë një nga çështjet që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë.

Përmes rrjeteve infrastrukturore dhe ndërlidhjes së tyre, së pari brenda vendit e më pas në rang rajonal e më gjerë, krijohen premisat për rritjen e volumit, lehtësinë e aksesit dhe uljen e kostove në lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe ofrimin e shërbimeve që përmirësojnë jetën e përditshme të çdo qytetari.

Gjej rastin ta konsiderojmë infrastrukturën si një bosht të ri të bashkimit të politikës sonë ku të gjitha palët të japin mbështetjen e tyre. Ajo do të jetë e jona, e juaja e kujtdo. Nëse dikush foli me të drejtë këtu që Shqipëria kërcënohet nga braktisja, nga plakja, zhvillimi i infrastrukturës dhe i ekonomisë është shansi më i mirë që të rinjtë të mbeten këtu në vend. Jam i bindur që edhe opozita ka shumë për të dhënë në këtë drejtim.

Është humbur shumë kohë ndaj nuk ka asnjë minutë për të humbur. Shqipëria që duam duhet të ketë një fytyrë të re, krejt ndryshe nga ajo që shohim sot. Do të fillohet nga elementët më kryesorë, siç është siguria. Infrastruktura rrugore është kthyer në një kërcënim, në një burim rreziku. Brenda 100 ditëve të para të qeverisë do të ndërmarrim një aksion të gjerë në të gjithë territorin me synim disiplinimin e hyrje-daljeve të akseve kombëtare. Hapësirat rrugore do lirohen menjëherë nga çdo objekt i paligjshëm, që jo vetëm nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore, por pengon atë duke u shndërruar në burim aksidentesh.

Na duhet bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i të gjithë qytetarëve në këtë aksion të vështirë që synon mbi të gjitha sigurinë e jetës dhe pronës.

Që në tre muajt e parë do të ndërhyjmë në mënyrë emergjente në disa prej pikave me problematike për aksidentet rrugore, të njohura si “black spots”.

Do të fillojë kryeja me intensitet e procesit të ndriçimit, vendosjes së sistemit të emergjencës SOS dhe kompletimit të sinjalistikës së plotë për çdo aks kombëtar brenda vitit të parë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar do të ristrukturohet me synim rritjen e performancës, menaxhimit të kontratave dhe rolit supervizues. Do të gjejmë mekanizmin e duhur për ti dhënë zgjidhje problemit të transportit ndërqytetës dhe rrethqytetës. E ashtuquajtura “policia gri” do të hiqet nga rrugët ndërsa do riorganizohen edhe drejtoritë rajonale të mirëmbajtjes.

Qëllimi ynë primar është integrimi i sistemit rrugor shqiptar në rrjetet ballkanike dhe në sistemin paneuropian të transportit. Objektivi afatshkurtër do të jetë sigurimi i zbatimit të marrëveshjes ndërkufitare me Malin e Zi, si pjesë e projektit të autostradës Adriatiko-Joniane, ndërsa ai afatmesëm lidhet me rritjen e efikasitetit të marrëveshjeve të tjera ndërkufitare.

Ndër projektet më prioritare të qeverisë do të jetë korridori Adriatiko – Jonian për të cilin do të fillojë menjëherë puna për studimin e fizibilitetit. Do të investohet në zgjerimin e aksit Fushë Krujë-Shkodër dhe në aksin Thumanë-Kashar/Rrogozhinë; by-pass -et Tepelenë, Lezhë dhe Tiranë. Do të investohet për dublimin e aksit Milot-Rrëshen ashtu sikurse të përfundohet by-pass-i i Fierit dhe ai i Vlorës. Do të vazhdojë faza intensive e ndërtimit për Rrugën e Lumit të Vlorës, do të ndërtohet aksi Kardhiq-Delvinë si dhe do të përfundojë Unaza e plotë e Tiranës.

Brenda 100 ditëshit të parë besoj se do të shpallim fituesit e garës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Edhe deputetja e Dibrës të mos shqetësohet për aksin që përmendi, pasi do të bëjmë realitet atë që deri tashti vetëm fjalë kanë qenë. Shtrohet pyetja nga do të burojnë paratë?! Një  pjesë  e madhe e këtyre projekteve do të financohet me skemën e njohur të partneritetit publik-privat dhe programit 1 Miliard dollar tashmë  të  shpallur nga qeveria shqiptare. Të gjithë veprat infrastrukturore paguhen nga përdoruesit. Nuk ka asnjë skemë tjetër. Ku keni parë partneritet publik-privat ku përfituesi final të mos paguajë veprën publike. E rëndësishme është që ne të mbajmë stabilitetin financiar brenda hapësirave buxhetore të bëjmë të mundur thithjen e kapitalit privat dhe tashmë një punë e mirë ka filluar. Ka disa projekte të ardhura në ministri, ka projekte të tjera që presim dhe me ngritjen e strukturave të posaçme që dot ë trajtojnë të gjitha projektet koncesionare, pra PPP këto projekte do të vihen në zbatim me kohë. Njëkohësisht edhe shteti do të marrë riskun e tij.

Qeveria do të ndjekë një sërë praktikash efektive si stimuj financiarë për automjete më të pastra dhe më të efektshme; nxitjen e transportit ekologjik ndaj mjedisit; sistem inteligjent për transportin; rreth-rrotullime dhe krijimi i by-pass –ve në rrugë kombëtare si dhe në zona rurale.

Brenda muajve të parë do të vëmë në funksion stacionin e përbashkët hekurudhor të Tuzit që përbën edhe kusht me rëndësi për lëvrimin e granteve e kreditë të buta nga ë BIF në kuadër të Procesit të Berlinit.

Do të përgatisim një masterplan mbi investimet e mundshme për një sistem transporti të shpejtë hekurudhor për udhëtarë, për zonat turistike dhe me përqendrim të lartë urban (modeli i linjës së shpejtësisë së lartë Tiranë-Rinas-Durrës).

Do të punohet për një projekt mbi lidhjen e linjës mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë duke e futur rrjetin hekurudhor në kontekstin e një rrjeti rajonal. Kjo do të do të ndikonte në shndërrimin e Porteve të Durrësit, Shëngjinit dhe Vlorës si porte pikë referuese rajonale. Në kuadër të projektit INTERREG do të punohet për pre-fizibilitetin e lidhjes hekurudhore me Greqinë. Patjetër këto janë të vështira për tu realizuar në 4 vite, por e rëndësishme është të fillohet nga projektet. Projektet hekurudhore janë të vështira për të investuar, por jam i bindur që përsa i përket cargove dhe mallrave interesi do të jetë i lartë dhe ka një axhendë europiane të interkonektivitetit që bënë të mundur që dhe vendi jonë të mos jetë më i shkëputur nga hekurudhat europiane.

Qeveria do të ketë përparësi zhvillimin e trekëndëshit tranzit Hani i Hotit– Durrës – Maqedoni e anasjelltas, gjë e cila do të rrisë ndjeshëm volumet e transportit me vendet fqinj. Do të nxisim shfrytëzimin e transportit hekurudhor edhe për rastet e transportit të lëndëve me rrezikshmëri apo që ndikojnë në ndotjen e mjedisit duke lehtësuar rrugët e vendit nga ky lloj transporti.

Shqipëria do të veprojë si një qendër transiti për vendet fqinje pa dalje në det si Maqedonia dhe Kosova. Zhvillimi i porteve detare do të konsistojë në specializimin dhe zhvillimin e harmonizuar të tyre, duke rehabilituar dhe ristrukturuar infrastrukturën portuale ekzistuese. Do të garantohet ofrimi i shërbimeve komerciale në bashkëpunim me sektorin privat. Niveli i menaxhimit të porteve detare por edhe grupe të tjera të interesit do të orientohen më shumë në përmirësimin dhe në zgjerimin e numrit të shërbimeve që ofrohen në këto porte.

Do të shmangim çdo procedurë burokratike për të krijuar lehtësitë maksimale me synim tërheqjen e turizmit elitar të krocerave të huaja apo jahteve të cilat përbëjnë një potencial ekonomik për gjithë vijën bregdetare.

Forcimi i kapaciteteve administrative dhe performancës së Autoritetit të Aviacionit Civil do garantojë rritjen e mbikëqyrjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë katër viteve të ardhshme, qeveria angazhohet për avancimin e projekteve për ndërtimet infrastrukturore aeroportuale në jug të vendit; aeroportin e Vlorës dhe aeroportin potencial turistik të Sarandës.

Do të nxisim rritjen e konkurrencës dhe tërheqjen e sa më shumë kompanive loë-cost të cilat do të mund të reduktojnë koston e udhëtimit të qytetarëve shqiptarë përmes linjave ajrore.

Në fushën e ujësjellës kanalizimeve do të synohet krijimi i një sistemi të integruar qeverisjeje dhe menaxhimi si harmonizim mes qeverisë qendrore dhe atyre lokale. Duhet të pranojmë që ka qenë një dështim i madh sistemi i ujësjellës kanalizimeve në këtë vend. Kjo edhe për shkak të mungesës së investimeve në vite, por mbi të gjitha për shkak të keqmenaxhimit nga autoritetet lokale. Kjo është një sfidë e vërtetë që i përket të gjithë shqiptarëve, nuk është vetëm çështja e qeverisë. Kjo është një pikë tjetër që jam i bindur që duhet të gjejmë konsensus. Nuk mund të kemi më financimeve politike apo financime pa treguar performancë nga ana e ujësjellësave lokalë. Nuk mund të ketë ujësjellësa që vetëm kërkojnë lekë nga Buxheti i Shtetit, ndërkohë nuk kapin asnjë parametër përsa i përket perfomancës. Për çfarë bëhet fjalë?! Përdorimi i paligjshëm i ujit. Vjedhja masive e ujit ku pushtetarë lokalë apo edhe autoritetet që e menaxhojnë ujin atje mbyllin sytë dhe nuk bëjnë asgjë. Por kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Ndaj jemi të bindur që jo vetëm do të fillojmë një operacion kundër lidhjeve të paligjshme që kërkon dhe bashkëpunimin e pushtetit vendor, por nga ana tjetër sistemi i perfomancës. Nëse do para për investime për përmirësimin e ujësjellësit duhet te përformosh, ndryshe qeveria nuk ka pse të të financojë pa limit. Do të zgjedhim një skemë të re sesi do të bëjmë të mundur financimin e ujësjellësve dhe mirëmenaxhimin e tyre. Rastet kur ato dështojnë le të konsolidohen me ujësjellësa të tjerë më të suksesshëm. Sepse nuk mund të ketë ishuj ujësjellësash të cilët nuk bëjnë asgjë, përveçse krijojnë borxhe, nuk paguajnë energjinë dhe në fund lënë edhe njerëzit pa ujë.

Brenda këtij mandati parashikohet shtrirja e shërbimit të furnizimit me ujë në nivel kombëtar në 75%; shtrirja e rrjeteve të kanalizimeve për largimin e ujërave të ndotur urbane, në masën 48 % dhe mbulimi i sipërfaqeve të tokave bujqësore me infrastrukturë shtesë 40 000 ha për ujitje dhe 70 000 ha për drenazhim.

Do të vendoset një sistem rigoroz performance për shoqëritë lokale të ujësjellësave. Mbështetja buxhetore për to do të ofrohet vetëm në këmbim të rezultateve konkrete në drejtim të: reduktimit të lidhjeve të paligjshme, humbjeve në rrjet dhe rritjes së të ardhurave. Qeveria do te fillojë  një  aksion të  gjerë  për të  luftuar abuzimin në  sektorin e ujit të  ngjashëm me atë  që  u aplikua për energjinë  elektrike.

Një nga objektivat kryesor që synohet të arrihen gjatë këtij mandati është dhe implementimi i një strategjie për garantimin e qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjeve që ofrojnë këto shërbime. Në këtë kontekst, ndër të tjera, si elemente të zgjidhjes do të jenë vijimi i punës për:

–  agregimin e ndërmarrjeve në funksion të ekonomizimit të shkallës sikurse dhe të një manaxhimi më të mirë (nëpërmjet incentivimit);

– mbështetje e menjëhershme për të ndërprerë njëherë e përgjithmonë abuzivizmin me ujin e pijshëm. Për këtë do të filloje një aksion i menjëhershëm për të gjithë vjedhësit/abuzuesit me ujit e pijshëm të cilët e shpërdorojnë këtë burim kaq të vyer për mirëqenien e qytetarëve. (humbjet në rrjet janë në vlera tërësisht të papranueshme rreth 60% e ujit që prodhohet humbet në rrjet).

Qeveria do të synojë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit elektroenergjetik, nisur edhe nga konsolidimi i një reforme e cila ka dhënë rezultate, duke konsoliduar qëndrueshmërinë financiare, operacionale dhe teknike me synim plotësimin e kërkesës në rritje për energji brenda vendit, duke pasur si prioritet integrimin e tregut vendas të energjisë në tregjet rajonale dhe ato europiane, dhe duke ulur varësinë nga importi.

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti, me keqja e 10 viteve te fundit,  ishte një “stres test” i kaluar me sukses. Ndryshe nga më parë kur gjithçka shkarkohej tek Buxheti i Shtetit, këtë herë kompanitë e sektorit arritën të menaxhonin vet situatën e paparashikueshme, duke reduktuar në mënyrë drastike nevojën për injektim parash nga qeveria ne vlera minimale. Mos harrojmë që vite më parë Buxheti i Shtetit hiqte paratë nga investimet etj, vetëm e vetëm që të sigurohej furnizimi me energji elektrike. Kriza tregoi që reforma energjetike ka dhënë rezultat. Nuk themi se jemi aty ku duhet po dha rezultat sepse përballoi financiarisht krizën më të vështirë të 10 viteve të fundit pa krijuar stres të rëndë financiar dhe të vinte në dyshim stabilitetin financiar të vendit.

Qeveria do të synojë thellimin e reformës dhe vazhdimin e programit të investimeve, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e furnizimit përmes: (a) rritjes së kapaciteteve gjeneruese; (b) diversifikimit të burimeve(ujore dhe me erë); (c) rritjes së kapaciteteve transmetuese ndërkufitare e brenda vendit; (d) vazhdimin e procesit të ndarjes së OSHEE sipas ligjit të sektorit të energjisë elektrike; (e) ulje të vazhdueshme të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, garantimin e aksesit për burimet e reja dhe zhvillimin e tyre; (f) krijimin e bursës dhe tregut të organizuar të energjisë; (g) forcimin e pavarësisë së rregullatorit; (h) integrimin e tregut me Kosovës dhe atë rajonal; (i) përafrimin e plotë të të gjithë legjislacionit të sektorit me atë europian; (j) stimulim të investimeve; (k) vazhdim të betejës pa kompromis me korrupsionin dhe vjedhjen e energjisë elektrike.

Në katër vitet e ardhshme do të investohen 170 milion euro për forcimin e kapaciteteve gjeneruese dhe sigurinë e digave të administruara nga  shoqëria  KESH sha.

Në transmetim do të realizohen 160 milion euro investime ku ndër më kryesori është ai i ndërtimit të linjës së 400 kV mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e cila mbyll ciklin e lidhjeve interkonektive me vendet fqinje. Rrëzon të gjitha ato hamendje që thonë që Shqipëria s’ka përfituar, përkundrazi këto para janë të përfituara nga Shqipëria dhe Maqedonia për këtë projekt. Mbyllet cikli i interkonektivitetit, pra Shqipëria do të ketë një rrjet të lidhur me Malin e Zi, Greqinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Gjë që do të krijojë premisat e nevojshme që të eksportohet teprica e mundshme që mund të vijë nga rritja e prodhimit të energjisë në Shqipëri.

Qeveria do të vijojë me procesin e ndarjes së  funksioneve të  shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë në OSHEE duke krijuar dy shoqëri më vete me synim  përmirësimin e  shërbimet e furnizimit për qytetaret dhe kanalizimin e investimeve ne shpërndarje.

Në këtë sektor pritet të realizohet një total investimesh prej rreth 520 milion eurosh, pjesa dërrmuese të cilave me fondet e vet kompanisë.  Pjesë e kësaj pakete  investimesh do të jenë edhe projektet me Bankën Botërore, Bankën gjermane KfË për sistemin Skada dhe leximin e matësave Smart. Jam i bindur që sistemi i shpërndarjes shqiptare rinovohet në nivelin 60-70% të tij. Brenda tarifave aktuale, me planet aktuale të performancës dhe me reduktimin e mëtejshëm të humbjeve ne kemi mundësi që në pjesën më të madhe të gjithë ultësirës perëndimore dhe në qendrat kryesore ne të kemi energji si çdo vend tjetër europian dhe njerëzit këto gjëra po i shohin përditë.

Do të nxitet rritja e prodhimit të energjisë prej burimeve të rinovueshme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm me qëllim rritjen e diversifikimit të burimeve nga energjitë alternative dhe miqësore me mjedisin si dhe implementimin e skemave të reja të matjes neto të energjisë nga impiantet e prodhimit të energjisë diellore dhe me erë për të gjithë vetëprodhuesit, konsumatorë familjarë apo biznese.

Do të vazhdojnë investimet private në energji. Do të krijojmë kushtet që këto investime të vazhdojnë të progresojnë, sepse këto investime kanë progresuar edhe në këto vite për shkak të rritjes së likuiditetit në sektorin e energjisë elektrike. Jam i bindur që në vitin 2021, Shqipëria do të ketë edhe 300 mega të tjerë të instaluar dhe këto nga investime të huaja dhe të vendit. Shumë shpejt do të përfundojë edhe procedura për Kalivaçin, ashtu siç edhe shumë koncesionarë të tjerë të cilët me investimet e tyre dhe me riskun e tyre pa kërkuar garanci për blerjet e energjisë do të shtojnë investimet e huaja, por mbi të gjitha do të rrisin prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.

Kjo do të bëjë që Shqipëria përveç prodhimit të saj hidro do të ketë edhe prodhimin e energjisë nga energjia diellore dhe era. Tashmë kemi një plan të miratuar, kemi një tarifë të miratuar, kanë filluar aplikimet e para dhe shumë shpejt do të organizojmë edhe ankandin më të madh sëbashku me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim për të ngritur impiantin më të madh fotovoltaik që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe synojmë të paktën 30 megavat, i cili do të integrohet me rrjetin energjetik shqiptar. Në planin kombëtar dhe që është i financueshëm sepse ka një tarifë të rregulluar parashikohen edhe 30 megavat me erë. Do të thotë që Shqipëria fillon edhe me këto energji alternative për të diversifikuar portofolin e saj.

Në sektorin e energjive të rinovueshme, investimet e pritshme në ngritjen e impianteve të gjenerimit të energjisë nga burimet diellore janë rreth 150 milion Euro, ku deri në 2020 do të instalohen rreth 50 MV  me tarifë të rregulluar. Nga burimet me energjinë e erës, investimet e pritshme do të jenë afërsisht rreth 60 milion Euro, ku deri në 2020 do të instalohen 30 MË  me tarifë të rregulluar.

Përsa i takon burimeve të reja ujore, Qeveria do të ruajë ritmin e rritjes së këtyre burimeve duke krijuar një klimë të favorshme investimi për ta, me një pritshmëri për investime të ardhshme private me rreth 400 milion Euro, me një kapacitet rreth 300 Më  të instaluar.

Një synim tjetër i joni do të jetë vënia në funksion i Termocentralit të Vlorës, por tashmë të lidhur me rrjetin e gazit. Ajo vepër e dështuar energjetike  dhe pa asnjë logjikë ekonomike sepse është llogaritur të punojë me naftë, të mund të ketë shpresë të ringjallet është lidhja me rrjetin e gazit. Jemi duke përfunduar studimin e plotë për të filluar koncesionin, pra daljen me një proces të hapur tenderimi për të zgjedhur një partneritet publik-privat me një investitor në mënyrë që të bëjë konvertimin me gaz, lidhjen me rrjetin e gazit dhe futjen e saj në portofolin e prodhimit të energjisë në vend.

Do të ndjekim politikën e rritjes së garancisë dhe sigurisë afatgjatë për investimet e realizuara në burimet hidro, duke transformuar kontratat në përputhje edhe me praktikat më të mira evropiane për të drejtat e administrimit dhe pronësisë nga forma BOT në  BOO. Sepse shkon në harmoni me zhvillimin e tregut, me liberalizmin, me krijimin e bursës, me direktivat europiane. Por mbi të gjitha do të krijojë një aset në duart e të gjithë investitorëve shqiptarë, do të krijojë mundësi koleratizimi, por mbi të gjitha sekjuritizimi të gjithë investimit të tyre. Do të thotë të gjithë këto investime, të gjitha këta biznesmenë që kanë investuar në hidrocentrale do të kenë më shumë mundësi të gjenerojnë investime nga institucionet financiare. Këto investime do ta bëjnë biznesin më të sigurtë.

Të gjitha këto janë masa që patjetër do ta forcojnë prodhimin e energjisë elektrike dhe vetë situatën në sektorin elektroenergjetik.

Deri në vitin 2021 me krijimin e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë dhe Fondit për Efiçencën, investimet e pritshme në sektorin publik dhe privat në drejtim të efiçencës së energjisë do të jenë rreth 80 milionë Euro. Objektivi ynë është reduktimi me 6.8% i konsumit të energjisë dhe të ardhurat e pritshme për ekonominë kombëtare nga kursimi i energjisë do të jenë rreth 110 milionë Euro.

Në fushën e industrisë hidrokarbure, në operimin e kërkim-prodhimit të naftës do të synohet që të gjithë vendburimet naftëmbajtëse në tokë dhe det të jenë objekt i kontraktimit nga investitorë seriozë. Pritshmëria e investimeve për 4 vitet e ardhshme arrin në 1 miliard dollar.

Do të promovohet tek operatorët potencialë modeli i ri ekonomik i kontratave hidrokarbure që i japin të drejtët shtetit të marrë më shpejt fitimin. Rritja e kapaciteteve transportuese të naftës do të synojë përdorimin e rrugëve alternative, miqësore me mjedisin, përmes hekurudhave dhe tubacioneve.

Kompania publike Albpetrol do të ristrukturohet duke ruajtur një njësi teknike e cila do të veprojë në koordinim me Institutin e rikrijuar të Hidrokarbureve ndërsa asetet e tjera prodhuese do tu ofrohen investitorëve strategjik apo do ti nënshtrohen privatizimit.

Një element me rëndësi do të jetë forcimi i rolit rregullator të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe rritja e forcës ndëshkuese gjithashtu përsa i takon zbatimit të normave të sigurisë dhe cilësisë së tregtimit të hidrokarbureve.

Në përpunimin e naftës do të synohet të përpunohet e gjithë sasia që prodhohet dhe destinohet në tregun shqiptar. Në operimin e gazit natyror të prodhuar në vend, qeveria do të forcojë kapacitetet tregtuese e teknike; do fuqizojë operatorin publik AlbGaz; do promovojë diversifikimin përmes gazit natyror. Me rëndësi strategjike mbetet mbështetja për përfundimin e gazsjellësit TAP dhe më tej zhvillimi i projekteve të gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP) dhe degëzimit me Kosovën (ALKOGAP).

Qeveria do të mbështesë edhe më tej zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në industrinë minerare duke synuar rritjen e eksporteve të produkteve të përpunuara metalore e jometalore. Përveç rritjes së punësimit dhe mirëqenies për banorët e zonave mineralmbajtëse, ky zhvillim do t’i japë një hov ekonomisë kombëtare në tërësi dhe përmirësojë bilancin tregtar të vendit.

Qeveria do të angazhohet për shtimin e investimeve private në kërkim/prodhimin e mineralit të kromit dhe atë të bakrit. Do të nxitet ringjallja e industrisë së hekur/nikelit, duke kaluar nga fazat e zbulimit drejt asaj të shfrytëzimit. Përmes stimulimeve fiskale do të mund të zgjerohet industria përpunuese e mineraleve të prodhuara në vend.

Krijimi i fabrikave dhe impianteve të reja të pasurimit dhe përpunimit do të synojnë ciklin e mbyllur në mineralet e kromit, ferrokromit dhe bakrit. Do të vazhdojë monitorimi i rreptë i zbatimit të rregullave teknike në miniera dhe zhvillim të industrisë në harmoni me mjedisin.

Më pak se 3 muaj më parë, qytetarët shqiptarë zgjodhën Partinë Socialiste duke ja besuar me një votë të plotë e të qartë timonin e drejtimit të qeverisë për katër vitet e ardhshme.

Duke nisur nga dita e sotme, ata duhet të jenë të sigurtë se kanë në krye të detyrës qeverinë që ka vullnetin e plotë dhe vendosmërinë për të ecur në rrugën e vështirë të zgjidhjes së problemeve të tyre të përditshme.

Do ishte shumë naivë të besohej se gjithçka zgjidhet lehtë dhe brenda pak muajsh. Përkundrazi! Është një rrugë e mundimshme deri tek Shqipëria që Duam.

Çdo burrë apo grua, vajzë apo djalë, i ri apo i moshuar duhet ta dijë se ka shumë pengesa në këtë rrugëtim! Ato nuk do mund të kapërcehen dot kurrë nëse ata zgjedhin të rrinë vetëm në rolin e spektatorit përballë qeverisë. Nuk mund të presin shëndoshjen e plagëve të trashëguara pa i pastruar e kuruar më parë ato.

Mandati ynë është për një bashkëqeverisje me qytetarët sepse pa mbështetjen, mirëkuptimin dhe inkurajimin e tyre të përditshëm nuk do mund të ecim përpara.

Mbërritja tek Shqipëria që Duam nuk ka të bëjë thjesht me fatin e një mandati qeverisës, fatin e një partie politike, një Kryeministri apo aq më pak disa ministrave. Është sfida e çdo qytetari që dëshiron një Shqipëri më të mirë, me më shumë shtet, punësim dhe mirëqenie.

Jam besimplotë se kjo është rruga, programi, mazhoranca dhe qeveria e duhur.

Faleminderit!

energjia.al  13.09.2017