Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Venitet magjia e TAP, bien IHD e 6-mujorit

Investimet e huaja direkte (IHD) në Shqipëri kanë shënuar rënie në gjysmën e parë të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, duke qenë larg niveleve të regjisturara në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, kur ato u nxitën nga gazsjellësi TAP.

Sipas të dhënave të bilancit të pagesave të publikuara sot, për 6 muajt e parë të vitit, investimet e huaja direkte arritën në 380 milionë euro, me një rënie prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (180 milionë euro në të parin dhe 200 milionë euro në të dytin).

Ndërsa në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, tkurrja është më e thellë. Në periudhën korrik-dhjetor 2016, investimet e huaja “shpërthyen” në vlerë, për shkak se projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP ishte në kulmin e punimeve, duke arritur në 534 milionë euro.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi hyrës neto i investimeve të huaja direkte në tremujorin e dytë shënon 200 milionë euro nga të cilat 214 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit  dhe një fluks negativ prej 14 milionë euro i derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura.

Prurjet valutore në formën e investimeve të huaja direkte janë të përqendruara në sektorin e  energjetikës (me rreth 35%), hidrokarbureve (me rreth 17%), e ndërmjetësimit financiar (me  rreth 13%). Në terma vjetorë, injektimi me kapital ka rënë me 13%.

 Nevoja për diversifikim të investimeve

Rënia e investimeve të huaja ishte e pritshme, për shkak se në pjesën m ëtë madhe ajo ishte e nxitur nga punimet për ndërtimin e projektit TAP, dhe HEC-in e Devollit.

Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Nga ana tjetër edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-n dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa.

Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.

Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.

Monitor,  11.09.2017