Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

IAP, Shqiëria kërkon mbështetjen e SHBA dhe BE

Në Tiranë u zhvillua sot mbledhja e 4-t paraprake e Njësisë së Menaxhimit të Projektit për gazsjellësin Jonian-Adriatik (IAP). Në këtë strukturë përfshihen përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Kroacia, vende nga të cilat parashikohet të kalojë ky projekt i rëndësishëm.

Të ftuar dhe pjesëmarrës në tryezë ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë z.Donald Lu; ambasadorja e Delegacionit të Komisionit Evropian znj.Romana Vllahutin, përfaqësues të ambasadave të vendeve ku kalon IAP, përfaqësues të TAP dhe drejtues të kompanive Socar, Plinacro, Enegaz dhe asaj shqiptare Albgaz.

Në fjalën e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se Shqipëria ka përfunduar hartimin e Masterplanit të Gazit dhe ka ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm edhe me Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Kroacinë dhe Komunitetin e Energjisë për realizimin e projektit IAP, krahas atij TAP i cili është në fazën e ndërtimit. Ai shprehu besimin se ky projekt do të mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

“Në vitet e fundit, arkitektura e sigurisë Rajonale dhe Europiane është vënë nën presion si rezultat i një sërë faktorësh si: kriza ekonomike, demografia dhe trysnia e migracioni, identiteti dhe ekstremizmi fetar, ndryshimi i klimës, shtimi i presionit mbi burimet natyrore, pasiguria dhe konfliktet. Në këtë kontekst, siguria energjitike në rajon dhe në Europë ka marrë një rëndësi jetike për arkitekturën e sigurisë rajonale dhe europiane”, u shpreh Gjiknuri.

Duke e parë dhe vlerësuar futjen e gazit natyror në tregun shqiptar të energjisë, Qeveria shqiptare vlerëson jo vetëm rëndësinë që ka diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, si dhe rritja e sigurisë së furnizimit, por njëkohësisht konsideron si shumë të rëndësishëm kontributin që gazi natyror do të japë si një produkt energjetik miqësor me mjedisin.

“Natyrisht, projekti TAP është realisht shtylla kryesore për mbështetjen e zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri, por gjithsesi, në gazifikimin e vendit një rol parësor do të ketë edhe projekti i gazsjellësit IAP, i cili nuk është vetëm një zgjatim i natyrshëm i TAP, por gjithashtu siguron një zgjidhje realiste të sigurisë së energjisë në rajonin tonë, i cili sjell progres ekonomik për vendet ku kalon por edhe rrit stabilitetin politik”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Më tej, ai sqaroi se projekti IAP do të ketë rol dhe kontribut thelbësor për gazifikimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Malit të Zi dhe të Kosovës, nëpërmjet projektit të gazsjellësit ALKOGAP, që sikurse dihet janë tre vendet e vetme në Europë që nuk janë lidhur me rrjetet e gazit dhe nuk kanë zhvilluar sektorin dhe infrastrukturën e gazit.

“Theksojmë se tre nga vendet e IAP janë vende anëtare të NATO-s dhe kjo e bën Projektin IAP akoma më të nevojshëm për sa i përket interesave strategjike në Rajon.

Vendet më të fuqishme në NATO kontribuojnë më shumë financiarisht, ndërkohe që vendet më pak të zhvilluara kontribuojnë me korridoret e infrastrukturave strategjike ndërlidhëse dhe në këtë Aleancë ky është një argument i qëndrueshëm për përkrahjen për të cilën kemi nevojë”, insistoi z.Gjiknuri.

Ministri përmendi edhe barrisën teknike me të cilën projekti ndeshet aktualisht e që ka të bëjë me kërkesën që të përkrahet nga jo më pak se dy vende anëtare të BE-së që të përfshihet në listën e Projekteve të Interesit të Përbashkët (PECI).

 

Të dhëna teknike:

Projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik(Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë nëpërmjet Bosnje Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).

Sipas Studimit të Fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 mil. EUR. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 km, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë Euro.

Ndërtimi i këtij gazsjellësi transmetimi do të bëjë të mundur gazifikimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zgjerimin e sektorit të gazit në Kroacinë jugore dhe Bosnjë e Hercegovina, duke siguruar një furnizim të larmishëm dhe të besueshëm të gazit natyror.

Ky projekt transmetimi per furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë një kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m3 gaz (ose 5 bcm). Llogaritet për 1bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.

Nga Fieri, Shqipëri, tubacioni shkon në drejtim të veriut duke arritur Tiranën, duke vazhduar me tej në drejtim të kufirit me Malin e Zi afër Shkodrës. Në kufi, tubacioni kalon lumin Buna dhe shkon në drejtim të Tivarit (Bar). Së fundi, nga Plloce në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim të veri-perëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit(Kroaci).

 

Fjala e Ministrit Gjiknuri gjatë mbledhjes së 4-t paraprake të Njësisë së Menaxhimit të Projektit për gazsjellësin Jonian-Adriatik (IAP):

E nderuar zj. Ministre,

Të nderuar Ambasadorë,

Të dashur miq të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Para së gjithash do të doja të shprehja vlerësimin maksimal për mbështetjen që është dhënë nga të gjitha vendet tona për zhvillimin dhe progresin e deritanishëm për projektin e gazsjellësit Ionian Adriatik, si dhe për të gjitha aktivitetet që lidhen me të.

Nga ana e Shqipërisë,  e cila sapo ka përfunduar hartimin e Master Planit të Gazit  për vendin, është ndërtuar një bashkëpunim i frytshëm me strukturat homologe të vendeve të përfshira në realizimin e Projektit IAP, me Malin e Zi, Bosnjën & Hercegovinën dhe Kroacinë,  si dhe me Komunitetin e  Energjisë, bashkëpunim për të cilin kemi besimin e plotë se do të gjendet edhe mbështetja adekuate edhe nga vendet  kryesore partnere,  si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Aktualisht në funksion të arritjes së një niveli dhe standardi më të lartë të punës që po bëhet për zhvillimin e projektit IAP, të katër vendet pjesëmarrëse në projekt në gusht 2016 kanë rënë dakord për ngritjen e Njësisë së Menaxhimit të Projektit (NJMP) dhe ndërkohë krahas punës për përgatitjen e projektit paraprak teknik për pjesën e projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi (me një financim prej 2,5 milionë Euro nga WBIF), po vazhdon edhe puna e përbashkët për të siguruar përfshirjen e këtij projekti në listën e Projekteve Prioritare të Komunitetit të Energjisë.

Ne shprehim bindjen se Takimi i sotëm, që paraprin edhe Takimin e 4 të Njësisë së Manaxhimit të Projektit për projektin IAP,  do të bëjë të mundur që të arrijmë në një qëndrimi të unifikuar për vazhdimin e mbështetjes së mëtejshme për zhvillimin e projektit IAP, duke e demonstruar konkretisht këtë mbështetje si në punimet e Forumit të Gazit të Komunitetit të Energjisë në Lubjanë, po ashtu edhe në takimin e radhës të vendeve pjesëmarrëse në iniciativën CESEC, që do të mbahet  në Bukuresht, po gjatë këtij muaji.

Theksojmë se Qeveria Shqiptare ka mbështetur fuqimisht dhe konkretisht zhvillimin e projektit TAP, duke kontribuar direkt në ecurinë shumë të mirë të këtij projekti deri në fazën aktuale, kur pothuaj është kompletuar rreth 50% e projektit. Ky angazhim i Qeverisë Shqiptare është shumë sinjifikativ dhe domethënës përsa i përket vizionit dhe objektivave që janë caktuar për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri.

Sot në botë ka shumë pasiguri dhe është detyra jonë të gjejmë opsionet të cilat  shërbejnë si zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme.

Bota e naftёs dhe gazit nuk lёviz me shpejtёsi tё njёjtё me fushat e tjera. Janё investime qё kёrkojnё shumё studim, janё investime qё kёrkojnё vendime tё forta dhe duan kohёn e tyre tё materializohen.

Këto skenarë diktojnë nevojën e vendeve që të bashkëpunojnë sa më ngushtë. Dihet tashmë se ekonomitë kombëtare rajonale dhe botërore po bëhen më të fuqishme dhe më kërkuese dhe ky fakt natyrshëm kërkon më shume Energji dhe më shumë Burime Energjitike.

Kërkon Energji nga ana e Qeverive dhe Burime energjie në trajtë me diverse dhe më të interkonektuar.

Në vitet e fundit arkitektura e sigurisë Rajonale dhe Europiane është vënë nën presion si rezultat i një sërë faktorësh si: kriza ekonomike, demografia dhe trysnia e migracioni, identiteti dhe ekstremizmi fetar, ndryshimi i klimës, shtimi i presionit mbi burimet natyrore, pasiguria dhe konfliktet.

Në këtë kontekst, siguria energjitike në Rajon dhe në Europë ka marrë një rëndësi jetike për Arkitekturën e Sigurisë Rajonale dhe Europiane.

Në situatën kur aktualisht prodhimi i energjisë elektrike në vendin tonë bazohet kryesisht në burimet hidrike, si dhe duke patur në konsideratë vlerësimet që bëjnë institucione dhe agjenci prestigjioze ndërkombëtare,  lidhur me efektin e ndryshimeve klimaterike në zvogëlimin e sasisë së reshjeve edhe për vendin tonë, në vizionin politik të Qeverisë Shqiptare, si dhe në dokumentet strategjike që po përgatisim për sektorin e Energjisë, përfshirja e Gazit në gjenerimin e energjisë elektrike,  do të përbëjë një drejtim deçiziv përsa i përket rritjes së prodhimit në vend të energjisë elektrike, po ashtu edhe rritjes së sigurisë së furnizimit.

Duke e parë dhe vlerësuar futjen e Gazit natyror në tregun shqiptar të energjisë, Qeveria Shqiptare vlerëson jo vetëm rëndësinë që ka Diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, si dhe rritja e Sigurisë së furnizimit, por njëkohësisht konsideron si shumë të rëndësishëm kontributin që gazi natyror do të japë si një produkt energjetik Miqësor me Mjedisin.

Natyrisht Projekti TAP është realisht shtylla kryesore për mbështetjen e zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri, por gjithsesi, në gazifikimin e vendit një rol parësor do të ketë edhe projekti i gazsjellësit IAP, i cili nuk është vetëm një zgjatim i natyrshëm i TAP, por gjithashtu siguron një zgjidhje realiste e sigurisë së energjisë në rajonin tonë, i cili sjell progres ekonomik për vendet ku kalon, por edhe rrit stabilitetin politik në Rajon.

Projekti IAP do të ketë rol dhe kontribut thelbësor për gazifikimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Malit të Zi dhe të Kosovës,  nëpërmjet projektit të gazsjellësit ALKOGAP, që sikurse dihet janë tre vendet e vetme në Europë që nuk janë lidhur me rrjetet e gazit dhe nuk kanë zhvilluar sektorin dhe infrastrukturën e  gazit.

Theksojmë se tre nga vendet e IAP janë vende anëtare të NATO-s dhe kjo e bën Projektin IAP një projekt akoma më të nevojshëm përsa i përket interesave strategjike në Rajon.

Vendet më të fuqishme në NATO kontribuojnë më shumë financiarisht, ndërkohë që vendet më pak të zhvilluara  kontribuojnë me korridoret  e infrastrukturave strategjike ndërlidhëse  dhe  në këtë aleancë ky është një argument i qëndrueshëm për përkrahjen për të cilën kemi nevojë.

Duhet theksuar se aktualisht Projekti IAP ka hasur në barriera serioze teknike.

Një nga “ barrierat” është kriteri i cili kërkon përkrahjen e Projektit nga jo më pak se dy vende anëtare të BE dhe ky kriter është ai që pengon IAP për futjen në listën e Projekteve të Interesit të Përbashkët (PECI)

Për këtë arsye ne kemi nevojë të kapërcejmë këtë ngërç “teknik”,  i cili do ketë pasoja regresive edhe për projekte të tjerë të së ardhmes në Europë.

Këndvështrimi ynë është që për sa kohë ne jemi anëtarë të Komunitetit të Energjisë,  mund të gjenden hapësirat teknike dhe ligjore që të tejkalohen këto ngërçe teknike, në funksion të interesave strategjike madhore për Rajonin.

Për këtë arsye jam plotësisht i  përkushtuar politikisht që të eksploroj të gjitha mënyrat që të shndërrojmë mundësitë tona në zgjidhje funksionale për projektin IAP.

Ju ftoj edhe ju të bashkohemi në kontribut dhe sinergji të përbashkët, për të prezantuar dhe potencuar interesat reale strategjike dhe ekonomike në funksion të   ndërtimit të projektit IAP në rajonin tonë.

Të nderuar miq,

Energjia është ushqimi i ekonomive tona, i vendeve tona. Por Siguria energjitike nuk është produkt i vullnetit dhe një angazhimi të një vendi të vetëm.

Gjithçka fillon me ata që kemi më afër nesh. Natyrshëm është fqinji. Ose miku që ke ftuar. Ose një Aleancë.

Mendoj që të vazhdojmë me çka na bashkon dhe jam i sigurtë që nuk do të gjejmë asgjë që na ndan, sepse tashmë e kemi zgjedhur në cilën anë jemi.

Ju falenderoj për vëmendjen.

energjia.al  09.09.2017