Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Projekt për park fotovoltaik edhe në Roskovec

Fieri duket të jetë zona më e preferuar për ndërtimin e parqeve fotovoltaikë pasi një tjetër aplikim i është shtuar listës së projekteve që kërkojnë miratim paraprak nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. (MEI)

Bëhet fjalë për një park në zonën e Roskovecit me një vlerë të parashikuar investimi 1.7 milionë euro.

MEI bëri me dije se kompania 2FAF SH.P.K ka paraqitur aplikimin e saj i cili do të jetë i afishuar për më shumë se dy javë për të pritur kundërshtimet apo pretendimet në rast se ka.

Projekti i afishuar dhe kush është kompania

“Shoqëria “2FAF” Sh.P.K. ka aplikuar për pajisjen me autorizim paraprak në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Zonën në “Njësinë Administrative Roskovec, fshati Jagodinë – Bashkia Roskovec” me një sipërfaqe totale të projektit rreth 26,400 m2 ku kapaciteti i instaluar do të jetë 2 MW me një vlerë investimi rreth 1.7 milion Euro”

Kompania 2FAF nuk është e panjohur për sektorin e energjisë. Ajo sipas një kontrate të nënshkruar me qeverinë shqiptare ka marrë të drejtën për një koncesion hidrocentrali të formës ndërtim, operim mirëmbajtje. Bëhet fjalë për hidrocentralin “Nishani” sipas një kontrate të nënshkruar në korrik të vitit 2013.

Rriten kërkesat

Në prill pas disa rregullimeve ligjore ato që vërshuan ishin aplikimet për parqe fotovoltaikë deri në 2 MW. Nga 6 prilli deri më 31 korrik 2017 janë bërë të paktën 8 aplikime për parqe fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 2 megavat.

Kompanitë që kanë aplikuar janë biznese të ndryshme nga bujqësia tek elektronika apo agropërpunimi.

Në total vlera e investimeve të parashikuara për parqe dhe centrale fotovoltaike nga 2016 e e deri më tani është 85.4 milionë euro dhe fuqia e instaluar e parashikuar 113.72MW. Sipërfaqja e tokës që do të zenë këto parqe llogaritet në 174.08 hektarë.

Revista Monitor,  02.09.2017