Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sekretariati: Të rishikohet modeli i tregut

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar rishikimin e radhës për Ballkanin Perëndimor duke marrë në analizë ecurinë e modelit të ri të tregut të energjisë, ngritjen e bursës si dhe aspekte të tjera teknike.

Aktualisht Sekretariati është i vendosur që të marrë masa ndaj Shqipërisë për pjesën që ajo nuk ka plotësuar ndërkohë që këtë e bën me dije edhe në raport.

Të rishikohet urgjent vendimi i qeverisë

Reforma në energji është konsideruar nga ana e mazhorancës si një nga arritjet më të mëdha të mandatit të parë qeverisës. Por edhe pse sot kemi një model të ri në letër për tregun sipas Sekretariatit ka disa çështje që duhet të rishikohen me urgjencë.

“Modeli i tregut përfshin strategjinë për promovimin e likuiditetit bazuar në të ashtuquajturat zonat e import/eksportit dhe masa të tjera të përkohshme deri në zbatimin e plotë të modelit. Ky i fundit parashikon edhe pjesëmarrjen e detyrueshme të lojtarëve kryesorë në mënyrë graduale.  Në të njëjtën kohë vendimi i Këshillit të Ministrave që vendos Shërbimin e Detyrueshëm Publik pengon hapjen e tregut dhe likuiditetin e tregut shqiptar të energjisë. Duhet të rishikohet në mënyrë urgjente” thuhet në raport.

Përveç kësaj Sekretariati sjell në vëmendje se , marrëveshjet dypalëshe mes KESH dhe OSHEE si dhe procedura për prokurimin e energjisë për mbulimin e humbjeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes shkelin ligjin e Komunitetit të Energjisë (si dhe ligjin kombëtar). Sekretariati aktualisht po përgatit masën e tij për këtë shkelje.

 Bursa e energjisë

Edhe pse pati një këmbëngulje të madhe se Bursa e Energjisë do të ishte shpëtimi në disa aspekte për sektorin e energjisë duket se edhe vetë sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka rezervat e tij që ajo do të fillojë të funksionojë brenda afatit të parashikuar që është 1 janari 2018.  Gjasat janë që ky afat të shtyhet sepse ende ka shumë për t’u bërë ndërkohë që ka një ngërç ligjor.

“Këshilli i Ministrave adoptoi një model tregu që definon një plan veprimi mbi krijimin e një tregu energjie. Sipas këtij plani, Ministri duhet të kishte vendosur mbi këtë person juridik dhe strukturën e tij para 31 marsit 2017. Bursa e energjisë duhet të jetë plotësisht operacionale brenda 1 janarit 2018. Kjo ende nuk ka ndodhur dhe me shumë mundësi nuk do të ndodhë në kohën e paracaktuar” vlerëson Sekretariati.

Revista Monitor,  31.08.2017