Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gara për të shpëtuar pyjet

Shiu i rëndë bie furishëm mbi xhamin e makinës së Ion Holbanit teksa ai kalon nëpër një pjerrësi të thellë në Malet Karpate të Rumanisë, një shkretëtirë ku pyjet e pacenuara mbajnë në gjirin e tyre arinjtë, ujqërit dhe kafshët e tjera të egra. Holban dëshiron ta mbajë atë në këtë mënyrë, prandaj ai ka organizuar një grup prej 50 ekspertësh dhe aktivistësh për t’u bashkuar me të në një mision njëditor për të përcaktuar gjurmët e pyllit të lashtë para se të jetë tepër vonë.

“Ekziston një trysni shumë e madhe në të gjithë Rumaninë, shprehet z. Holban, koordinatori i fushatës, Agent Green, një OJQ kundër druvarëve. “Qeveria nuk po i trajton pyjet e virgjëra me respektin dhe vlerën që meritojnë. Ka fare pak mbrojtje në vend”.

Rumania ka më shumë se gjysmën e pyjeve më të rëndësishme të mbetura të Europës, rreth 200,000 hektarë drurë ahu, bredhi, bredhi, lisi dhe lloje të tjera, pjesa më e madhe e tyre në Malet Karpate. Por, sipas disa vlerësimeve të fundit ajo po humbet deri në tre hektarë pyje brenda një ore, duke përfshirë pyjet e virgjëra, si rezultat i degradimit dhe prerjeve të ligjshme dhe jo të ligjshme.

Ky ka qenë një prej problemeve më të rënda që nga rënia e komunizmit në vitin 1989. Me korrupsionin endemik në Rumani, qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë të paafta për të ndalur prerjet ilegale. Kompanitë e huaja janë akuzuar gjithashtu se kanë përfituar nga mungesa e zbatimit të ligjit.
Kompania austriake, Holzindustrie Schweighofer, është një nga eksportuesit më të mëdhenj të drurit në Rumani, me të ardhura vjetore prej rreth gjysmë miliard paund. Pjesa më e madhe e drurit përfundon në shtetet e tjera anëtare të BE-së, me të cilat Rumania u bashkua në 2007-n.

Në vitin 2015, Agjencia për Hetimin e Mjedisit, një OJQ me bazë në SHBA, botoi një raport mbi një hetim dyvjeçar që akuzoi kompaninë Schweighofer për blerjen e drurit të paligjshëm. Kompania i mohoi këto pretendime.
Pak fusha janë jashtë përdorimit të druvarëve të paligjshëm. Sipas Greenpeace, nga 280,000 hektarë të totalit të përgjithshëm të pyjeve të Rumanisë që u prenë nga viti 2000 në 2011, pothuajse gjysma ishte e vendosur në parqe kombëtare dhe zona të tjera të ashtuquajtura të mbrojtura.

“Edhe brenda parqeve kombëtare, asgjë nuk është e sigurt. Ka disa mënyra për t’ia dalë mbanë edhe ndaj legjislacionit”, thotë Holban, pasi ka përfunduar një birrë pas një dite të gjatë e të lodhshme pas vëzhgimit të pyjeve. “Ata mund të deklarojnë se ka rënë një sëmundje insektesh dhe pastaj do ta ekzagjerojnë çështjen dhe do të presin më shumë hektarë sesa mund të ishte e nevojshme”.
Gara për të shpëtuar pemët është vendosur këtë vit. Aktivistët mjedisorë pohojnë se qeveria e socialdemokratëve, e cila fitoi pushtetin në dhjetor, po ndryshon masat e vendosura me shumë vështirësi për të parandaluar prerjet e paligjshme.

Sipas Agent Green dhe OJQ-ve të tjera, qeveria po përpiqet të tërheqë statusin zyrtar të një regjistri të pyjeve të virgjëra që u financua nga Shoqata Mbretërore Holandeze për Ruajtjen e Natyrës në vitin 2005. Partia Socialdemokrate, gjithashtu po nxit braktisjen e një sistemi gjurmimi në kohë reale për drurin, të monitoruar nga satelitët, që ishte nisur nga qeveria e mëparshme dhe pritej të hynte në fuqi në prill.

Qeveria ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e kontratës me kompaninë software. Ndikimi i drurit të prerë në mënyrë të paligjshme në biodiversitetin e pasur të Rumanisë është i qartë. Në qershor, Greenpeace Romania publikoi fotot e bëra nga ajri mbi Luginën e Sadut në Transilvani, në qendër të vendit, ku janë zhdukur 100 hektarë pyje shtetërore.
Shpatet piktoreske dikur të mbuluara me bredh tani nuk janë asgjë më shumë se sa pasqyrim i shtresave të tokës, të cilat janë me pyje të rëna dhe të zvarritura mbi të. Greenpeace e quajti vendin një katastrofë ekologjike.

“Lugina e Sadu është një shembull i trishtë se si dokumentet ligjore mund të mbulojnë prerjet shkatërrimtare të bëra pa respekt fare për ligjin dhe ekosistemet”, thotë Valentin Salageanu, kreu i fushatave pyjore në Greenpeace Romania.
Greenpeace pretendon se pemët në Luginën e Sadut duhet të ishin shkurtuar në mënyrë përzgjedhëse, duke hequr më pak pemë në një zonë më të madhe. Ky nuk është aspak një incident i izoluar, por një praktikë e përhapur në pyjet shtetërore dhe private, thotë Salageanu.

Pretendimet e aktivistëve mbështeten nga statistikat zyrtare. Mes viteve 2009 dhe 2015, raportet e prerjeve të paligjshme u rritën nga 30 në 96 në ditë. Një studim i Inventarit Kombëtar të Pyjeve të Rumanisë, një organ shtetëror, vlerësoi se gati gjysma e të gjithë drurit të prerë në vend midis 2008 dhe 2014 u ndërprenë ilegalisht.
Përpjekjet e zbatimit nga qeveria e mëparshme duket se po paguajnë, së bashku me raportet për prerjet e paligjshme të cilat ranë në 26 në ditë në vitin 2016. Por, sipas aktivistëve, këto fitime tani janë në rrezik.
Zemërimi publik ndaj prerjeve ilegale është rritur shumë. Në vitin 2015, mijëra rumunë dolën në rrugë në 14 qytete për të shfaqur zemërimin mbi normën alarmante të shpyllëzimit. Edhe Bashkimi Europian ka shprehur shqetësim në lidhje me këtë situatë.

Në vitin 2015, Komisioni Europian theksoi zbatimin e dobët të rregulloreve të BE-së nga Rumania në lidhje me lëndën e parë të drurit dhe kërcënoi se do ta çonte vendin në gjykatë, nëse vazhdonte të dështonte në përmbushjen e standardeve të kërkuara.
Pa presion të jashtëm, aktivistët mund të jenë ata që të drejtojnë fushatën për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të vendit. Falë përpjekjeve, rreth 10% e pyjeve të virgjëra të Rumanisë fituan statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në korrik të këtij viti.

“Ne konsiderohemi si një shqetësim për qeverinë, – shprehet Octavian Anghelescu, një aktivist i cili u bashkua me kampin e Holbanit dhe do të kalojë kohën e tij të lirë këtë verë me Agent Green. – Me kalimin e kohës, ne shpresojmë që zëri ynë do të jetë më i fortë dhe do të dëgjohet më shumë dhe të kemi mundësi ta ndryshojmë situatën në favor të natyrës. Pyjet tona janë unike në Europë. Do të jetë një turp i madh nëse ne do t’i humbasim ato”.
Ndërsa dielli del mbi ish-shtëpizën e gjuetisë të shekullit të 18 në Covasna County, disa aktivistë largohen me Holbanin në Jeep-in e tij për në shtëpi. Por pasi të kenë kaluar vetëm disa orë, Holban do të kthehet me më shumë vullnetarë, të etur për të ndihmuar shpëtimin e pyjeve.

Revista monitor,  29.08.2017