Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Enveri dhe nafta

Nëse Enver Hoxha do merrte një vendim që të mos investonte në Industrinë e Naftës,  atëherë çdo gjë do kish mbaruar dhe asgjë nuk do ishte zhvilluar sepse vendimmarrës ishte Ai dhe vetëm Ai. Prandaj mund të themi që Enver Hoxha ka lozur një  rol të  rëndësishëm politik në zhvillimin e industrisë së naftës dhe gazit

 Para disa ditësh në një shkrim të gjatë në ‘DITA’, duke kujtuar 100-vjetorin e shpimit të pusit të parë të naftës, autori Astrit Avdulaj, argumentonte se ai pus ndryshoi historinë e Shqipërisë dhe përcaktoi zhvillimet politike gjatë shekullit të 20-të. Ajo analizë përfshinte një periudhë rreth 20-vjeçare, ku dhënia e naftës me koncesion të huajve e bëri Ahmet Zogun president dhe mbret të Shqipërisë. Por, si ka shkuar historia e naftës shqiptare pas çlirimit e deri në ditët e sotme? Gjatë regjimit komunist nuk kishte koncesione të mirëfillta, por kthetrat e të huajve gjithsesi ishin të pranishme. Në fillim të jugosllavëve, mandej të sovjetikëve…

Dënimi i “sabotatorëve” në naftë dhe a është e vërtetë shprehja se ku hidhte kapelën Enver Hoxha, shpohej një pus nafte?

Gjithsesi, industria e naftës ka pësuar një ndryshim dhe zhvillim të jashtëzakonshëm. Në këtë intervistë me Prof. Dr. Fatmir Shehun, trajtohen me kompetencë e profesionalizëm këto çështje. Prof. Shehu ka qenë ish-anëtar i Komisariatit të Posaçëm të Industrisë së Naftës, Drejtor i Përgjithshëm i Industrisë së naftës në Ministrinë e Industri-Minierave, Zv/ministër që mbulonte Industrinë e naftës  në Ministrinë  e Energjetikës dhe Drejtor i parë i Institutit Teknologjik të naftës dhe Gazit. Po ashtu punonjës shkencor si dhe  studiues dhe projektues në fushën e shpimeve të thella dhe shumë të thella dhe vazhdon të jetë konsulent i rëndësishëm në këtë sektor.

 

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Profesor, a konsiderohej nga komunistët industria e naftës dhe gazit një degë e rëndësishme e ekonomisë?

 Kjo është një pyetje esenciale e cila ka të bëjë me qëndrimin që mbajti shteti komunist në lidhje më këtë industri të rëndësishme. Kam drojë se përgjigja në kuadrin  e kësaj interviste është shumë e shkurtër dhe ndoshta nuk do të jetë shteruese. Unë mendoj se industria e naftës dhe e gazit është dega më e rëndësishme e ekonomisë sonë. Por si sukseset ashtu dhe dështimet e kësaj industrie lidhen me një emër: atë të Enver Hoxhës. Ai ishte shumë i interesuar për këtë degë të ekonomisë sonë. Pse ka qenë e rëndësishme dhe mendoj se akoma është – Industria e Naftës dhe gazit për vendin tonë? Ajo ka qenë dhe mendoj se mbetet akoma, sepse trualli shqiptar ka një sasi rezervash të konsiderueshme nafte dhe gazi dhe mund të konsiderohet si një vend që ka rezerva relativisht  më të shumta nga shume shtete të tjerë të Europës. Po ashtu industria e naftës e vendit tonë ngelet e rëndësishme sepse veç rezervave, pozicioni jonë gjeografik është afër tregut lubi të Europës që naftën dhe gazin e kërkon jashtëzakonisht shumë. Ekonomia shqiptare mbasi pushtetin në Shqipëri e morën komunistët, kish kërkesa të shumta për naftë dhe nënproduktet e saj sepse ekonomia kish një trend të hovshëm zhvillimi. Industria e naftës pati një vëmendje të posaçme që në momentet e para pas çlirimit të vendit. Menjëherë pas çlirimit të vendit, u intensifikuan shumë punimet e rindërtimit të industrisë së naftës sepse ajo gjatë luftës pësoi mjaft dëme. Që në fillim Partia Komuniste dhe pak më vonë PPSH, në punën e saj për të rindërtuar vendin, përdori punën stimuluese dhe vullnetare të popullit të entuziazmuar nga çlirimi i vendit, të përpunuar me ëndrrën se tanimë populli është zot i fateve të tij dhe se rruga komuniste ishte rruga e perspektivës, e prosperitetit dhe e begatisë së vendit dhe popullit, e cila do çonte drejt “lugës së florinjtë”. Siç duket ata që e thoshin, kishin besim tek kjo thënie shumë atraktive, por dhe ata që e dëgjonin kishin shumë shpresë që ta arrinin. Brenda një kohë shumë të shkurtër u vunë në gjendje normale pune kantieret e naftës në Patos dhe Kuçovë dhe filloi puna për shtimin e numrit të puseve të shpimit dhe rritjes së prodhimit të naftës.

– Si ishin hapat e parë për forcimin e kësaj industrie?

– Periudha 1944-1947 ishte periudha më e vështirë për industrinë e naftës shqiptare. Me vendim të posaçëm të qeverisë dhe personalisht të Enver Hoxhës u dërgua në Kuçovë, në  vjeshtën e vitit 1944 Komisari i  jashtëzakonshëm Koço Theodhosi dhe në maj të vitit 1946, ngrihet drejtoria e  Kantierit në Kuçovë me detyrë dhe objektiva konkrete si: të riparohej naftësjellësi Kuçovë-Vlorë, të ndërtoheshin dy distileri për të furnizuar vendin me karburante, të ndërtohej centrali elektrik dhe bazat mekanike etj. Krahas punimeve që bëheshin për të vënë në punë kantierin e  Kuçovës u punua edhe për vënien në punë të kantierit të Patosit.

– Në atë kohë u dënuan me vdekje disa specialistë të naftës si sabotatorë ndërkohë që kthetrat jugosllave u futën si asnjëherë në ekonominë tonë. Pse ndodhi kështu?

– Puna që bënë specialistët italianë, dhe drejtuesit e tyre sidomos ish-drejtori Andrea Taraskoni si dhe specialistë të tjerë si Stanislav Zuberi, Riza Alizoti etj., u konsiderua armiqsore nga rregjimi komunist duke i larguar italianët  nga kantieret e naftës si dhe duke dënuar me vdekje ata me kryesorët në janar të vitit 1947. Këto dënime sigurisht ishin shumë të padrejta dhe shumë dëmprurëse edhe për ecurinë e industrisë së naftës, por mendoj se një gjë e tillë  shpjegohet me faktin se në atë kohë komunistët kishin një urrejtje patologjike për të huajtë sidomos për gjermanët dhe italianët si dhe siç e quanin ata, “klasën e përmbysur të bejlerëve dhe agallarëve”. Jugosllavia me të cilën gjatë kësaj kohe kishim miqësi të ngushtë, me qëllimet e saj të mbrapshta që ta bënte Shqipërinë Republikë të shtatë, thurte plane se si të gllabëronte ekonominë shqiptare sidomos industrinë e naftës. Sipas marrëveshjes midis të dy vendeve më 24 shkurt 1947 u formua shoqëria Shqiptaro-Jugosllave e naftës me qendër në Tiranë. Kjo shoqëri  kishte në vartësi vendburimin e naftës në Kuçovë  dhe Patos, atë të bitumit në Selenicë të Vlorës, si dhe gjithë zonat perspektive për kërkim dhe zbulim nafte, gazi dhe bitumi. Jugosllavët, me qëllim që ta merrnin naftën brut e ta çonin në rafinerinë e tyre në Rjeka, bënë që dy distileritë e ngritura në Kuçovë të punonin me 30% të kapacitetit, ndaluan shpimet në zonat e reja, morën motorat e sondave shqiptare edhe i çuan në Jugosllavi me pretekst për “remont” dhe nuk i sollën më. Jugosllavët që nuk kishin investuar as një qindarkë në industrinë e naftës të Shqipërisë, deshnin të hiqeshin si pronarë të saj deri sa në fillim të vitit 1948  Zëvendës-ministri i Minierave Jugosllave Ing. Dullar, kërkoi vartësinë e kantiereve shqiptare të naftës direkt nga ndërmarrja qendrore e Naftës në Jugosllavi. Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë në vitin 1948 , ndërpreu funksionimin dhe kjo shoqëri shqiptaro-jugosllave e cila kërkoi vetëm të rrëmbente nga pasuritë shqiptare.

– Pastaj ne u lidhëm me sovjetikët. A ishte kjo një “robëri” e re edhe për naftën?

– Nuk mund të shprehemi kështu. Dhe ja sepse. Mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe forcimin e marrëdhënieve me ish-BRSS, duke parë leverdinë e zhvillimit të industrisë së naftës, qeveria e Enver Hoxhës në vitin 1948 organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës (Kombinatin e Naftës) me qendër në Kuçovë e cila përmblidhte gjithë aktivitetin e Industrisë së naftës. Në këtë Kombinat trajtoheshin të gjitha problemet që kishin të bënin me industrinë e naftës ku deri në vitin 1961 në krye të gjithë punëve ishin specialistë dhe këshilltarë sovjetikë me mjaft eksperiencë dhe shumë dashamirës mbas të cilëve specialistët shqiptarë përfituan eksperiencë.

Enver Hoxha një vëmendje e veçantë i kushtoi kualifikimit të punëtorëve dhe përgatitjes së kuadrove të larta duke dërguar studentë në ish-BS, Rumani, Çeki, Poloni etj. Po ashtu u tërhoq ndihma nga vendet ish-socialiste në radhë të parë me specialistë që të bënin studimet dhe projektimet e nevojshme dhe më vonë u importuan makineri për të gjitha nevojat që kish industria e naftës si sonda, autotraktorë, makineri metal-prerëse, pajisje të ndryshme teknologjike etj. Me ndihmën e specialistëve sovjetikë, ndihmë kjo që u intensifikua mbas vitit 1950  e deri në vitin 1961, kur u prishën marrëdhëniet ndërshtetërore, industria e Naftës pati mjaft zhvillime si në fushën e studimeve gjeologjike, në shpimin e puseve dhe në zbulimin në vitin 1957 të  vendburimit të Marinzës që bashkë me Patosin që tashmë ishte zbuluar dhe që ishte një vazhdim verior  i kërkimeve nga e njohura tek e pa njohura  – përbënin një nga vendburimet më të mëdhenj në Europë që sot quhet vendburimi i Patos–Marinzës. Ky zbulim i dha një hov shumë të madh kërkimeve dhe zhvillimit të vetë industrisë së naftës në vendin tonë.

– Po pas ikjes së specialistëve sovjetikë dhe specialistëve të tjerë të huaj, si eci industria e naftës dhe e gazit?

– Ajo ishte një periudhe e vështirë në fillim, madje shumë e vështirë. Nga historia kujtojmë shpesh atë që u tha Hanibali ushtarëve të tij: “atje ku s’ka rrugë, hapeni vetë!”. Me gjithë se largimi i specialistëve sovjetikë ndodhi kur tashmë ishte zbuluar një vëndburim i madh naftë-gaz mbajtës siç ishte ai i Marinzës, Shqipëria e vetmuar,  e kishte shumë të nevojshme gjetjen e burimeve të reja të naftës dhe gazit. Duhet thënë se kjo kërkesë dhe kjo situatë  detyroi grumbullimin e tërë forcave të mundshme, dhe si rezultat çoi në disa suksese shumë të kënaqshme si në zbulimin e rezervave të reja, ashtu dhe në rritjen e prodhimit. Fill mbas ikjes së specialistëve sovjetikë, në vitin 1962 u zbulua vendburimi i parë në formacionet karbonatike siç ishte vendburimi i Visokës. Kjo gjë ishte një sukses mjaft i madh për këmbënguljen që u tregua nga udhëheqësit e shtetit dhe të vetë Enver Hoxhës dhe të specialistëve të industrisë së naftës, të cilët të mbështetur vetëm në eksperiencën e tyre arritën që të konkretizohej një objekt i ri kërkimi –ai  i  gëlqerorëve sepse deri në atë kohë si objekt kryesor dhe produktiv kërkimi për naftën dhe gazin konsideroheshin ranorët. Në këtë objekt kishim dhe zbulimet konkrete të rezervave të naftës dhe gazit. Një arritje e tillë, dmth zbulimi i naftës në formacionet karbonatike, formuloi një akuzë politike për specialistët e ikur sovjetikë duke thënë që ata me qëllime sabotimi i kishin abandonuar dhe zhvlerësuar kërkimet në objektin me kolektorët karbonatikë (gëlqerorët). Në fakt, gjatë kohës së punës së specialistëve sovjetikë në industrinë e naftës, ata dhanë disa pika shpim – kërkimi, madje shumë afër objekteve të zbuluara për kërkime në objektin e gëlqerorëve si: pusin Q.Stalin 601, Pusi i Urës Vajgurore (602) , Pusi Verbas-3 me thellësi rekord për kohën 3500m etj. Kësisoj, mendoj se faktikisht, nuk mund të bëhet akuza që specialistët sovjetikë nuk i konsideronin perspektivë formacionet karbonatike por mund të thuhet se ata ishin në proces kërkimi në objektin e gëlqerorëve dhe fatmirësisht këtë proces e vazhduan dhe patën sukses specialistët shqiptarë fill mbas ikjes së tyre. Gjetja e naftës dhe gazit në formacionet karbonatike çoi në një intensifikim të madh të kërkimeve në këto formacione dhe rrjedhimisht u zbuluan disa vendburime të tjera pas Visokws si ai i Ballshit, Hekalit, Gorisht –Koculit, Cakranit, Amonicës, Finiqit, Delvinës ndër të cilët ai i Cakranit dhe Delvinës janë të natyrës gas-kondensat. Gjetja e këtyre rezervave rriti shumë optimizmin  e udhëheqjes së kohës  për një zhvillim progresiv të ekonomisë edhe duke u mbështetur në forcat e veta me parullën “nafta çan blokadën” . Nga gjithë këto suksese u arrit  që industria e naftës në vitin 1974  të prodhonte 2.4 milion ton naftë, gjë që ishte një e ardhur mjaft e madhe për ekonominë e vendit që në këtë periudhë  ishte  në vetminë e madhe dhe e  mbështetur po thuaj totalisht në forcat e veta, Pasi kishte filluar me kohë ftoja me kinezët.

– Pse vazhdimisht ia atribuoni këto arritje Enver Hoxhës. Ju e kini ende këtë mendim?

– Unë e kam përjetuar intensivisht atë kohë. Këtu do kuptuar mirë se udhëheqësi i shtetit dhe i partisë, Enver Hoxha, ka meritën e tij në këtë zhvillim. Në radhë të parë kjo meritë nuk lidhet  me aftësitë e tij të mbinatyrshme për të studiuar dhe kërkuar dhe zbuluar naftën dhe gazin,  por duhet thënë se lidhet me këmbënguljen që ai tregoi në zhvillimin e kësaj Industrie në pikëpamje politike. Po ashtu duhet kuptuar si një mundësi që Enver Hoxha e konsideronte  naftën dhe gazin, për të ndërtuar socializmin me forcat e veta. Po të ishte ashtu si shpesh thonë, që në atë kohë, atje ku hidhte kapelën Enveri atje instalohej sonda e shpimit, atëherë del pyetja: në se Enveri e ndiente se ishte  kaq  kompetent, pse ngriti 4 shkolla të mesme profesionale, përgatiti rreth 1400 specialistë të lartë të profileve të ndryshme që mbulonin gjithë spektrin e kërkesave të industrisë së Naftës dhe Gazit; ngriti dhe pajisi me mjetet e kohës shumë ndërmarrje të specializuara (rreth 45) ku punonin rreth 20,000 punonjës dhe rreth 1400 kuadro të larta me specialitete të ndryshme dhe rreth 5000 specialistë të mesëm. Po ashtu u ngritën dy Institute kompetente shkencore ku u grumbulluan specialistët më të mirë të industrisë së Naftës si dhe u morën më të mirët edhe nga degë të tjera të ekonomisë. Ngriti një Fakultet të posaçëm në kuadrin e Universitetit shtetëror që përgatiste specialistë të lartë në profilet e nevojshme të industrisë së naftës dhe gazit. Po ashtu u realizua një organizim me cikël të plotë të aktivitetit të industrisë së naftës duke filluar nga kërkimet gjeologjike, prodhimi i naftës dhe gazit, prapavija që kryente gjithë punimet e nevojshme si rrugë-bazamente, remontin dhe prodhime të reja të pajisjeve dhe makinerive, transportin e mjeteve të punës  dhe personelit, grumbullimin, kondicionimin dhe transportin e naftës dhe gazit, përpunimin e naftës (u ndërtuan tre rafineri ku ajo e Ballshit ishte më e madhja dhe më modernja për kohën) dhe tregtimin e nënprodukteve në tregun e jashtëm dhe të brendshëm. Po ashtu, duhet thënë  që nëse Enver Hoxha do merrte një vendim që të mos investonte në Industrinë e Naftës,  atëhere çdo gjë do kish mbaruar dhe asgjë nuk do ishte zhvilluar sepse vendimmarrës ishte Ai dhe vetëm Ai. Prandaj mund të themi që Enver Hoxha ka lozur një  rol të  rëndësishëm politik në zhvillimin e industrisë së naftës dhe gazit. Shembuj që ndonjë specialist i veçantë që punonte në industrinë e naftës dhe gazit apo jashtë saj, të ketë këmbëngulur për të shpuar ndonjë pus kërkimi në një vend të caktuar nuk mund të gjejmë (këtu nuk mund të lë pa përmendur të vetmen këmbëngulje të një nga specialistët që e respektoj – Kadri Ramës, për të shpuar një pus kërkimi në zonën e Beratit), sepse dhe tematika e studimit dhe e projektimeve dhe grupet e punës, aprovoheshin nga lart  dhe përkatësisht ngarkoheshin specialistë apo grupe specialistësh që të punonin, nganjëherë edhe kundër dëshirës dhe preferencave të tyre. Ka shembuj të dokumentuar që tregojnë se ka qenë këmbëngulja e drejtuesve kryesorë të shtetit  dhe të partisë  që janë konkretizuar disa zbulime si ai i Visokës, Cakranit, Delvinës, sepse zbatohej një vijë politike: “industria e naftës do zhvilluar pa tjetër, madje me thonj dhe me dhëmbë”. Prandaj me një fjalë mund të them: Enver Hoxha ka pasur bindjen politike, për vetë rrethanat politike që kalonte vendi që kjo industri nafte, ishte mbështetje kryesore e ekonomisë dhe prandaj duhej zhvilluar dhe faktikisht u zhvillua dhe arriti rezultate të kënaqshme dhe deri më sot këto rezultate janë rekorde që nuk janë “thyer” në shumë drejtime.

(Vijon)

Gazeta Dita,  22.08.2017