Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet, nis shlyerja e detyrimeve

Pas bllokimit të disa pikave të karburanteve në territorin e Bashkisë së Tiranës, të cilat nuk ishin të liçencuara, në Drejtorinë e Tatimeve pranë bashkisë është regjistruar një fluks aplikimesh.

“Ky fluks ka nisur që ditën e parë, kur kemi patur dhe pagesat e para. Sot vazhdon i njëjti ritëm, është në proces, shifrat rriten nga momenti në moment dhe bashkia do ta vazhdojë aksionin deri në regjistrimin e pikës së fundit”, deklaron Arli Naska, drejtor i Tatimeve pranë Bashkisë së Tiranës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i dhjetorit 2015 për pagesën e një tarife ndaj bashkive për të gjitha pikat e karburantit dhe gazit u ankimua disa kohë më parë, por Gjykata Kushtetuese e konsideroi të drejtë këtë tarifë por me një ndryshim në vlerë.

“Solli ndryshim vetëm në nivelin e tarifimit. Për pikat që tregtojnë benzinë dhe naftë nga 5 milionë lekë parashikuar për t’u paguar për harkun kohor 5-vjeçar zbriti në 3 milionë, ndërsa për pikat e gazit nga 3 milionë zbriti në 1 milion për të njëjtin hark kohor”, sqaron Naska.

Në territorin e Bashkisë së Tiranës ushtrojnë aktivitetin e tregtimit të karburanteve rreth 173 pika, nga të cilat vetëm 3 prej tyre kishin aplikuar për liçencë, majde dhe këto me mangësi në dosje. Një ditë më parë u bllokuan 5 pika karburanti, ndërkohë që aksioni vijon deri në liçencimin e të gjitha pikave që ushtrojnë këtë aktivitet në Tiranë.

Top Channel,  12.08.2017