Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dielli shqiptar, biznesi 500 mln euro i dekadës

Çdo hektar tokë në Shqipëri mund të prodhojë në kufijtë e 250-320 mijë euro të ardhura nga energjia diellore.

Në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë qëndrojnë aktualisht 9 projekte me një vlerë investimi prej 85 milionë eurosh dhe një sipërfaqe që i kalon 174 hektarët.

Gjasat janë që me potencialet që ka Shqipëria dhe çmimi 100 euro/MW që caktoi qeveria, dielli të kthehet në biznesin e dekadës. Rastet e suksesit me sipërmarrjet dhe frika nga precedenti i HEC-eve.

Sokoli, i cili operon në sektorin fason dhe eksporton drejt Italisë, “importoi” nga partnerët e tij të biznesit në vendin fqinj, idenë e një impianti fotovotlaik. I pëlqeu fakti që faturën e kripur të energjisë mund ta zvogëlonte me 30%, të paktën si fillim. Vendosi që mbi çatinë e fabrikës së tij të instalonte mbi 60 kWp kapacitet. “Në Itali partnerët e mi në biznes kanë bërë të njëjtën gjë. U kërkova atyre që të më lidhnin me kompaninë zbatuese në Itali dhe të bënim një projekt paraprak së bashku me kostot. Kur e finalizuam projektin, rastësia bëri që të njëjtën vlerë dhe shërbim të ma ofronte një kompani shqiptare. Pas negociatave dhe mbylljes së detajeve të fundit, vendosëm për zbatimin dhe prej janarit fabrika furnizohet pjesërisht nga impianti fotovoltaik dhe pjesërisht me energjinë e siguruar nga OSHEE”, – tregon ai.

Kur e pyesim për investimin nëse është penduar apo mendon se ishte një zgjedhje e zgjuar, ai pohon se është i kënaqur me këtë investim. “Dua që të bëj rritje të fuqisë, por për momentin nuk janë kushtet. Bashkëjetesa e fabrikës me impiantin është duke më kursyer një shumë të konsiderueshme nga fatura e energjisë. Nuk mora kredi për ta financuar, por investova nga kapitali im dhe shoh që gjithçka po ecën ashtu siç ishte parashikuar. Nëse gjërat do të mbajnë këtë ritëm, mendoj se në pak vite do të rikuperoj investimin që kam bërë”, – shprehet Sokoli.

Nga janari rezulton që muaji më i mirë i impiantit të tij të jetë korriku dhe pas tij, qershori me një prodhim respektivisht 8.61 MW, 8.54 MW. Në janar, kur sapo impianti nisi funksionimin, prodhimi ishte 1.55 MW. Në total për shtatë muaj rezulton që biznesi të ketë përfituar një kthim investimi prej 4500 eurosh dhe këtu flasim për një pjesë të vitit. Me një llogari të thjeshtë nëse ruan të njëjtën tendencë, biznesi parashikon që kthimi i investimit të bërë të jetë në një afat 5-6-vjeçar.

Një tjetër biznes që duket se po shfrytëzon frytet e një fature më të lirë është edhe Villa Palladio në Durrës. Edhe ky biznes ka instaluar një impiant fotovoltaik. Ky impiant ka një kthim investimi mbi 2300 euro dhe sërish funksionimin e ka që nga janari i këtij viti. Por edhe pse dëshira është për rritje të fuqisë së instaluar do të duhet edhe pak kohë që gjërat të thjeshtohen dhe të marrin rrugë për shkak të pengesave ligjore, ndërkohë që bizneset duhet të mjaftohen me faktin që kanë gjetur një mënyrë efikase për të ulur kostot e tyre dhe për ta kthyer një investim disi të kushtueshëm në afatshkurtër në përfitim të konsiderueshëm në afatgjatë.

 

monitor 792.indd

Rriten kërkesat për parqe

Pothuajse çdo muaj, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ka pasur kërkesa për parqe fotovoltaikë dhe shumica e atyre që aplikojnë janë kompani që ushtrojnë aktivitet në një sektor tjetër që nuk ka lidhje me energjinë.

Vitin e kaluar, ishte kompania Novoselë Photovoltaic Power Plant që aplikoi për një park me kapacitet të instaluar prej 50 MW dhe me një vlerë investimi 72 milionë euro. Projekti do të shtrihej në zonën e Novoselës në Vlorë.

Pas saj, në nëntor 2016, do të vinte një kërkesë nga pesë kompani të bëra së bashku GAMMA SOLAR sh.p.k., ALFA ENERGY sh.p.k., BETA ENERGY sh.p.k., DELTA SOLAR sh.p.k. dhe SOLARIS sh.p.k., të cilat aplikuan pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për një park fotovoltaik me kapacitet 50 MW.

Por në njoftimin që u bë nga Ministria ky projekt nuk ishte i shoqëruar me një vlerë financiare. Në prill, pas disa rregullimeve ligjore, ato që vërshuan ishin aplikimet për parqe fotovoltaikë deri në 2 MW. Nga 6 prilli deri më 31 korrik 2017 janë bërë të paktën 8 aplikime për parqe fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 2 megavat. Kompanitë që kanë aplikuar janë biznese të ndryshme nga bujqësia tek elektronika apo agropërpunimi.

Në total, vlera e investimeve të parashikuara për parqe dhe centrale fotovoltaike deri më tani është 85.4 milionë euro dhe fuqia e instaluar e parashikuar 113.72 MW. Sipërfaqja e tokës që do të zënë këto parqe llogaritet në 174.08 hektarë.

A është dielli biznesi i dekadës?

Shqipëria parashikon të nxisë investimet në burime të rinovueshme energjie dhe një nga këta nxitës është edhe çmimi 100 euro/MW përcaktuar për të gjithë parqet me kapacitet deri në 2 MW. Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, çdo hektar në vendin tonë mund të japë nga 250-320 mijë euro. Me një llogaritje të thjeshtë, vetëm nga sipërfaqja që përfshijnë aplikimet e dorëzuara sot në Ministrinë e Energjisë na rezulton jo më pak se 55 milionë euro në vit, që do të “vilen” nga toka ku do të vendosen panelet.

Nëse përfitimi rezulton vërtet i tillë përpara shqiptarëve qëndron një biznes i ri që mund të kthehet në biznes të dekadës me një përfitim 500 milionë euro dhe nëse do të ketë interes, kjo shifër mund të shumëfishohet por le të mbajmë vrullin e “ëndrrave” në diell me pritshmëri reale. Thjesht me ato që janë në letër dhe që kanë gjasa të zbatohen. Është e çuditshme të shohësh sesi shumica e zonave ku po shfaqet interesi për ngritjen e parqeve fotovoltaikë janë zona që kanë një aktivitet dominant bujqësor, si Lushnja apo Fieri.

ERE caktoi çmimin 100 euro/MW për fotovoltaikët

Enti Rregullator i Energjisë vendosi në fund të korrikut që të caktonte një çmim për energjinë në rastet e parqeve fotovotalikë deri në 2 MW si dhe për parqet eolikë deri në 3 MW. Kjo erdhi në kushtet kur mungesa e një çmimi po linte hapësira bosh në nxitjen e investimeve. Për hir të së vërtetës, një çmim 100 euro/MW sikurse u caktua për energjinë diellore është një çmim bujar, që ndoshta do t’i japë një shtytje të re interesit në këtë sektor. Por vështirësia në përcaktimin e metodologjisë për çmimin duket se ka qenë evidente duke qenë se Shqipëria po shkel në një terren tërësisht të ri si për fotovoltaikët dhe për eolikët për të cilët çmimi ishte më i ulët, në vetëm 76 euro/MW. Ministria pranon në një shkresë dërguar ERE-s pikërisht këtë aspekt.

“Aktualisht në Shqipëri nuk ka investime të kësaj natyre të impianteve me diell (PV) apo me erë (Eolik), dhe për këtë arsye ka një mungesë të theksuar të të dhënave lidhur me planet e biznesit dhe kostot shoqëruese, me qëllim kryerjen e një analize të saktë të kostove në kushtet e vendit tonë. Informacioni që disponojmë nga propozime të pakërkuara është se ka shumëllojshmëri analizash dhe kostosh, të cilat asnjëherë nuk kanë proceduar në investim konkret. Në këto kushte, referencat janë të bazuara në studimet që disponohen, dhe mbi bazën e këtyre studimeve, rezulton se orët e punës së impianteve me diell, ndryshojnë nga ato me erë dhe ky faktor, përbën edhe ndryshimin në llogaritjen e çmimit për të dy impiantet, megjithëse kostoja mesatare e peshuar e kapitalit rezulton e njëjtë”, – thuhet në vlerësimin e ministrisë.

Enti duke pasur parasysh këtë i ka kërkuar MEI-t që nga viti 2018 e në vijim të mbajë të dhëna nga aplikimet dhe kostot e investimit me një premisë për të rishikuar vendimin që përcakton edhe metodologjinë.

Precedenti me hidrocentralet

Çmimi 100 euro/MW mund të jetë një nxitës i mirë për investimet e reja, por këto të fundit mbi të gjitha kanë nevojë për besim. Një precedent aspak pozitiv sa u përket investimeve dhe zhgënjimit është ai i hidrocentraleve kur qeveria vendosi të ndryshonte formulën me të cilën blihej energjia. Në logjikën e ministrisë, prodhuesit me përparësi nuk mund të shisnin tek KESH me një çmim të lartë dhe ky i fundit ta shiste anën poshtë çmimit që e kishte blerë. Ndaj në lojë hyri Bursa e Hungarisë. Kaq mjaftoi që shumë prej investitorëve të nisnin betejën pranë Entit Rregullator të Energjisë, duke kërkuar që formula të mos ndryshonte, sepse ajo që po u propozonte qeveria rrëzonte planet e tyre të investimit. Përtej përplasjeve në distancë, takimeve të shpeshta, ankesave të investitorëve në fund, çmimi mbeti ai me bazë qendrore bursën hungareze.

Rasti i hidrocentraleve dhe ndryshimi i çmimit mund të jetë një precedent që investitorët potencialë nuk do duan ta përsërisin, ndaj qeveria duhet mbi të gjitha të garantojë planet e tyre të biznesit, por edhe të jetë e qëndrueshme në politika, përndryshe kjo mund të kthehet në një bumerang.

monitor 792.indd

 

Forumi Ekonomik: Pse e ardhmja është dielli

Njerëzimi konsumon 221 tonë qymyr, 1,066 fuçi naftë dhe 93 000 m³ gaz natyror në sekondë. Këto materiale ishin të mrekullueshme për revolucionin industrial që nisi në Britani në shekullin e 18, por në fillim të shekullit të 21-të është koha të bëhet një rivlerësim i nocionit energji e re. Ka nevojë që burimet e shtershme të zëvendësohen me ato të rinovueshme, por pyetja është me cilin prej tyre?

Herët ose vonë, njerëzimi duhet të vendosë se burimi i vetëm i qëndrueshëm në afatgjatë është energjia diellore.
Nga një hartë e publikuar së fundmi nga Forumi Ekonomik Botëror rezulton që Afrika dhe Australia të jenë edhe zonat me potencialin më të madh të shfrytëzimit të energjisë diellore, por me të njëjtin intensitet shfaqen një pjesë e Azisë, Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut. Shqipëria kategorizohet tek ato vende që kanë një mesatare prej 4.5 kWh energji për metër katror dhe me një shumë vjetore prej mbi 1600 kWh/m². Maksimumi që mund të prodhohet në botë nga dielli është 7.5 kWh/m² me një shumë finale vjetore prej 2800 kWh dhe që kryesisht kjo mund të arrihet në dy zona të limituara, një në Afrikë dhe një në Amerikën e Jugut.

T’i themi po diellit

Sipas Forumit Ekonomik Botëror, sot toka konsumon energji në masën e 17.7 trilionë vat, që do të arrijë në 30 terravat deri në 2050, duke marrë për bazë një normë të ngjashme të rritjes së popullsisë. Energjia diellore që prek sipërfaqen e tokës është të paktën 4 herë më e lartë sesa niveli që njerëzimi mund të konsumojë. Kjo është më se e bollshme nëse shfrytëzohet siç duhet. Potenciali i energjisë mbi tokë është 120 Terravat. Por me vetëm 2% të tokës do të përfitonim 50 terravat.

T’i themi jo energjisë nukleare

Afrika e Jugut ishte e fundit që nën ngazëllimin politik po konsideronte energjinë nukleare. Fatmirësisht në prill 2017 zhvillimet për një të ardhme nukleare u ndërprenë nga Gjykata e Lartë. Le të mos përsërisim mëkatet vdekjeprurëse që e konsiderojnë energjinë nukleare si një mundësi dhe t’i kujtojmë vetes mëkatet. Së pari, për koston dhe pasojat që ka një impiant nuklear. Së dyti, raste si Çernobili, 30 vjet më parë, tregojnë se e gjithë ajo zonë është ende e mbuluar me rrezatim, duke mos u konsideruar e përshtatshme për të jetuar. Ky nuk është një rast që duam ta shohim të përsëritet.

Revista Monitor,  12.08.2017