Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pagat në Shqipëri i kushtuan TAP-it 7.2 mln euro në 2016

Projekti më i madh i investimit në Shqipëri, gazsjellësi TAP, uli ndjeshëm kostot e personelit më 2016, ndonëse volumi i punës ka qenë më i madh se sa viti i mëparshëm.

Sipas të dhënave të kompanisë, në bilancin e 2017-s shpenzimet për paga më 2016 ishin rreth 7.2 milionë euro nga më shumë se 8 milionë euro që ishin në vitin 2015.

Gjithashtu TAP ka përgjysmuar disa kosto të tjera në lidhje me personelin. Këto kosto nga rreth 1.6 milionë euro që ishin më 2015, në vitin 2016 zbritën në 813 mijë euro. Për rrjedhojë u ulën edhe shpenzimet e tjera për sigurimet shoqërore dhe punët me kontratë.

Sipas burimeve zyrtare nga kompania, aktualisht, rreth 2,800 persona (direkt dhe indirekt) punojnë për projektin TAP në Shqipëri. Nga këta, rreth 84% e punonjësve janë shqiptarë, praktikisht më pak sesa ka punësuar call center më i madh në vend.

TAP pritet të përfundojë ndërtimin në fund të vitit 2019. Pas ndërtimit në afatin e shkurtër, Shqipëria nuk pritet të përfitojë nga ky gaz për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës, teksa nuk ekziston infrastruktura për shfrytëzimin e tij. Përfitimet do të jenë afatgjata dhe do të shtrihen në dy dekada, por edhe këto do të jenë të prekshme nëse Shqipëria ndërton rrjetin e brendshëm të transmetimit të gazit, në mënyrë që industria që e përdor atë si lëndë të parë të ketë akses në furnizim.

Kostoja e punimeve në proces që gazsjellësi TAP ka bërë në Shqipëri arriti një vlerë totale prej 57 miliardë lekësh (418 milionë euro) deri në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga bilanci i kompanisë.

Nga kjo vlerë, 44 miliardë lekë ose 325 milionë euro u kryen gjatë vitit 2016. Kjo shumë është sa 33% e Investimeve të Huaja Direkte që u kryen në vendin tonë vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, Investimet e Huaja Direkte ishin 983 milionë euro.

Revista Monitor,  10.08.2017