Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

22 mln euro për 5 muaj nga nafta e prodhuar në vend

Nafta, si një nga produktet më të konsumuara në vend, është edhe furnitori kryesor i buxhetit të shtetit me të ardhura. Por teksa të dhënat janë të azhurnuara për çdo muaj për importet e naftës, të dhënat mbi prodhimin e naftës vendase dhe kontributin e saj në buxhetin e shtetit nuk kanë qenë shumë transparente.

Por së fundmi, Ministria e Financave nga një rishikim që u bëri treguesve fiskalë të 2017-s raportoi se të ardhurat në buxhet nga taksimi i naftës vendase kanë qenë mbi 3.1 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro gjatë periudhës janar-maj 2017, kur një vit në të njëjtën periudhë ishin paguar pak më shumë se 12 milionë lekë taksa ose 800 mijë euro.

Ministria e Financave thotë se të ardhurat nga taksimi i naftës vendase ishin 27 herë më të larta se e njëjta periudhë e 2016-s. Gjithsej u taksuan 69 mijë tonë naftë vendi.

Teksa shihet se, të ardhurat nga taksimi i karburantit të importuar kanë rënë me 3.5 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.

Rivënia në punë e rafinerisë së ARMO-s, ka bërë që një e treta e tregut të furnizohet me naftë vendi.

Ministria e Financave duke krahasuar të dhënat e importit me ato të zhdoganimit raporton se konsumi i naftës ka shënuar një rritje rreth 6% këtë vit.

Sipas analizës së Ministrisë së Financave, të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 16.8 miliardë lekë, 9.1%, ose 1.4 miliardë lekë më shumë se 5-mujori i vitit 2016, dhe 3.6% ose 580 milionë lekë më shumë se plani.

Financat pohojnë se ndikimin kryesor e ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 207 mijë tonë, me një rritje prej 12,166 tonë ose + 6.2% krahasuar me 5-mujorin e vitit 2016.

Gjithashtu rritje kanë shënuar importi i gazit të lëngët me 17%, importi dhe prodhimi i birrës me 10.3%, importi i pijeve energjike me 26.9%, importi dhe prodhimi i verës me 24.3%, dhe importi i cigareve me 5.7%.

Ndërkohë është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit me rreth 3.5 tonë nga 0.4 tonë të deklaruara në periudhën janar-maj 2016.

Revista Monitor,  10.08.2017