Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH do të sigurojë asetet e TEC-it të Vlorës

Pas më shumë se një dekade mosvënieje në funksion, Termocentrali i Vlorës është rikthyer në fokusin e qeverisë.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, e cila ka marrë nën administrim këtë objekt, ka vendosur të sigurojë asetet e këtij TEC-i për një periudhë 1-vjeçare.

KESH ka shpallur të hapur garën për tenderin me fond maksimal 32 milionë lekë për sigurimin e godinës dhe pajisjeve nga zjarri, rrufetë, eksplozionet, tërmetet, përmbytja dhe aksidente të tjera.

Sipas të dhënave të disponuara nga KESH, vlera totale e këtyre aseteve arrin në 8 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e tyre kanë nevojë për paketën e plotë të sigurimit, ndërsa një pjesë me vlerë 839 milionë lekë kanë nevojë të sigurohen vetëm nga tërmetet.

Makineritë më të kushtueshme në pronësi të TEC-it të Vlorës përfshijnë turbinën e gazit dhe gjeneratorin e fuqisë, me vlerë 2.6 miliardë lekë; gjeneratorin e avullit dhe pompat e ushqimit, me vlerë 1.2 miliardë lekë; si edhe turbinën e avullit, kondeserin dhe rigjeneruesin e nxehtësisë, me vlerë 1.1 miliardë lekë.

Gara për këtë shërbim do të mbyllet më 31 Gusht 2017 dhe fituese do të shpallet kompania e kualifikuar që ka bërë ofertën më të ulët. Fondi për pagesën e këtij shërbimi është vënë në dispozicion nga të ardhurat e vetë KESH.

Pas realizimit të gazsjellësit TAP, Shqipëria do të ketë akses në sasi të konsiderueshme gazi natyror me çmim të ulët. Synimi është që TEC-i ekzistues, përmes një investimi të konvertohet për të punuar me gaz, e kështu të prodhojë energji elektrike për nevojat e vendit.

Sakaq, investimi fillestar për këtë termocentral ka qenë 95 milionë euro.

Scan Tv,  08.08.2017