Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbia përshpejton projektin e litiumit

Kompania Rio Tinto me bazë në Londër ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me qeverinë e Serbisë për të përshpejtuar ndërtimin e një depozite që do të përmbajë një nga mineralet më me vlerë të shekullit të njëzetë, litiumin.

Sipas kësaj marrëveshjeje përcaktohet se si projekti Jadar do të përparojë më tej, me krijimin e grupeve të përbashkëta të punës, për ta çuar projektin në fazat e mëtejshme.

Projekti aktualisht është në fazën e studimit, me Rio Tinton që pritet të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me investimet dhe të fillojë ndërtimin në vitin 2020. Duke supozuar se studimet e fizibilitetit do të vërtetojnë qëndrueshmërinë dhe duke supozuar se të gjitha lejet e nevojshme do të miratohen, prodhimi i parë do të fillojë në 2023, njoftoi zyra e shtypit të kompanisë Rio Tinto.

Drejtori ekzekutiv i sektorit të kripës, uraniumit dhe borateve, SimonTrott, i cili nënshkroi memorandumin në emër të Rio Tintos, deklaroi se marrëveshja e afroi më shumë Serbinë me Rio Tinto duke u shndërruar në burimin kryesor të prodhimit global të litiumit dhe boratit.
Ministri i Minierave dhe Energjisë, Aleksandar Antiç, i cili nënshkroi Memorandumin si palë përfaqësuese e Serbisë, tha se nënshkrimi i këtij Memorandumi do të përshpejtojë aktivitetet që lidhen me procesin e hapjes së një miniere dhe fillimin e shfrytëzimit të litiumit.

“Zhvillimi i projektit Jadar në kohën e duhur dhe zbatimi i tij do ta bëjë Serbinë prodhuesin kryesor të dy elementeve shumë të rëndësishëm, litiumit dhe borit, të dyja shumë të rëndësishme për zhvillimin modern. Në këtë mënyrë, ne do t’i japim shtysë edhe rritjes ekonomike të Serbisë. Rio Tinto ka investuar tashmë 90 milionë dollarë në projektin Jadar duke e konsideruar elementin e litiumit si një prej faktorëve më të rëndësishëm të portofolit të saj të rritjes.
Në vitin 2004, gjeologët e Rio Tintos zbuluan një mineral të ri të borosilikatit të natriumit në zonën e Jadarit dhe dy vjet më vonë, jadariti u konfirmua zyrtarisht si një mineral i ri. Ai përmban litium dhe borat dhe Serbia është një ndër vendet e vetme të njohura për përmbajtjen e këtij minerali.

Kompania beson se depozita me litium-borat në Jadar është ndër depozitat më të mëdha të litiumit në botë. Nëse zhvillohet, projekti Jadar mund të furnizojë mbi 10% të kërkesës së litiumit në botë. Kërkesa me rritje më të shpejtë për prodhimin e produkteve me këtë lloj minerali ishte ajo baterive prej litiumi, veçanërisht me kërkesë shumë të lartë nga industria e automjeteve elektrike.

Revista Monitor,  05.08.2017