Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI shpall fituesit e konçesioneve në Bushtricë

Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) shpalli fituesit e dy koncesioneve për hidrocentralin Bushtrica 2 dhe Bushtrica 3, të cilat ishin shpallur për shprehje interesi para dhe gjatë fushatës elektorale. Vlera e investimit për të dy HEC-et llogaritet në rreth 10 milionë USD.

Por cilat janë kompanitë që kanë fituar të drejtën për këto koncesione dhe ofertat e tyre që i kanë shpallur fitues. Kujtojmë që sasinë më të madhe të pikëve e merrte fuqia e instaluar e propozuar dhe tarifa koncesionare.

Bushtrica 2

Për hidrocentralin Bushtrica 2 janë paraqitur dy oferta. E para nga shoqëria “2T” sh.p.k. që është skualifikuar pasi sipas MEI nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë. E dyta që është dhe kompania fituese është bashkimi i përkohshëm i Shoqërive “Doko” sh.p.k. dhe “Erniku” sh.p.k. Sipas ofertës së kësaj kompanie fuqia e instaluar është parashikuar 4060 kw me prodhim të parashikuar prej 18,553,391 kWh. Vlera e tarifës koncesionare është në nivelin  2.02% (374,778 kWh).

Afati për zbatimin e kontratës është caktuar në 12 muaj dhe vlera totale e investimit pa TVSH është 600 milionë lekë.

Bushtrica 3

Ministria ka dhënë detaje edhe për fituesit e koncesionit Bushtrica 3.  Edhe në këtë procedurë pjesë e garës janë bërë dy kompani. E para shoqëria “Restaurim Gurra – Kaca” sh.p.k. e cila është skualifikuar pasi nuk ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe e dyta bashkimi i përkohshëm i shoqërive  “Vega” sh.p.k., “Enolio” sh.p.k. dhe “EL-BU 2009” sh.p.k. Sipas ofertës fituese me të cilën ministria do te hyjë në negociata fuqia e instaluar e përcaktuar në projekt është 6700kW me një prodhim 28,268,538 kWh  dhe një vlerë tarifë koncesionare prej 2.1% (593,639 kWh). Koha e zbatimit të projektit është ofruar 24 muaj dhe vlera e investimit rreth 560 milionë lekë pa TVSh.

Të dy koncesionet janë të formës partneritet publik privat dhe me një afat 35 vjeçar. Aktualisht Ministria e Energjisë ka hapur garën edhe për hidrocentralin e katërt në pellgun ujëmbledhës të Bushtricës kurse në Komisionin e Prokurimit Publik rezulton i ankimuar procesi për Bushtrica 1 nga kompania 2T sh.p.k.
Në fazë vlerësimi janë edhe disa koncesione të tjera si Kalivaçi, Gojan, Luniku, Grabovë 1 dhe 2.

Revista Monitor,  25.07.2017