Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE hap tenderin për importin e energjisë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ashtu siç pritej ka hapur këtë të hënë procedurën për blerjen e energjisë për periudhën 1 deri më 31 gusht. Në fakt kompania ka bërë vetëm shpalljen, në mënyrë që palët e interesuara të shprehin interes. OSHEE pret oferta për tre opsione furnizimi.

OSHEE ka ftuar operatorët që të bashkëngjisin oferta për sigurimin e një fuqie deri 170 MW në harkun kohor 00:00-24:00, pra plotësisht import për periudhën nga 1-31 gusht.

Së dyti, mund të jepen oferta për një fuqi deri në 350 MW në periudhën orare 07:00-23:00, pra për 16 orë furnizim.

Opsioni i tretë për të cilën kompanitë e interesuara mund të japin oferta është për një fuqi deri 180MW në një hark 000:00-24:00.

Kjo është faza e parë, ndërkohë që pritet që kompanitë të bashkëngjisin ofertat e tyre të cilat duhet të jenë të vlefshme deri në datë 26 korrik. Do të jetë Operatori i Shpërndarjes ai që do t’i zgjedhë dhe më pas do të hyjë në negociata me secilin prej operatorëve që ka dhënë edhe ofertën më të arsyeshme.

OSHEE importoi vetëm për korrikun mbi 22 milionë euro energji për të siguruar furnizimin publik me energji dhe për të mbuluar humbjet.

Në gusht pritej që importin ta bënte KESH, por Banka Botërore nuk ka dhënë ende Ok për përdorimin e fondit 22,4 milionë euro për import energjie parashikuar në kredinë për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë.

Administratori i kompanisë së shpërndarjes, Adrian Çela, tha për ‘Monitor’ së fundmi se po shqyrtohen disa skenarë në mënyrë që të sigurohet sasia e nevojshme dhe vendi të mos ketë probleme me furnizimin. Në çdo rast, sipas Çelës, një sasi do të jetë e rezervuar në mënyrë që nëse KESH merr miratimin nga Banka Botërore të vijojë vetëm me procedurën.

Revista Monitor,  24.07.2017